Ymer Bali

Ymer Bali u lind në Tiranë në 10 tetor 1894. Prindërit e tij, Kume dhe Mehmet Bali ishin qytetar të mesëm të këtij qyteti dhe banonin në rrugën Ceno Sharra (sot rruga Mihal Grameno). Meri (siç e thërrisnin të gjithë) ishte një djalë i heshtur, por inteligjent. Gjyshi i tij quhej Bal dhe kishte qenë hoxhë dhe prandaj kishte edhe xhaminë e tij.

Për këtë arsye Meri fillon shkollën unike në medresenë e Tiranës dhe në mbarim të saj, nuk i pëlqeu të vazhdonte më lart. Për rrjedhojë, prindërit preferuan që ai të fillonte punë si çirak në pazarin e vjetër, për të mësuar ndonjë zanat.

Që i vogël Merit i kishte pëlqyer të pikturonte, por deri atëherë ishte mjaftuar me vizatime të vogla. Gjatë kohës që ndihmonte artizanë të ndryshëm në pazarin e vjetër, atij i kishte bërë shumë përshtypje një burrë i moshuar, i cili u bënte portrete banorëve të ndryshëm me pagesë. Ishte i varfër dhe nuk kishte dyqan, por një karrige ku ulte klientët e tij për t’u bërë ndonjë portret. Kohën kur kishte pushim, Meri shkonte ta ndihmonte atë pa i kërkuar asnjë lek dhe ai për shpërblim i mësonte atij të vizatonte portrete. Ai i thoshte shpesh Merit, se kishte jetuar për shumë kohë në Francë, ku kishte mësuar të pikturonte, por nuk kishte bërë dot hajër. Për pak kohë edhe Meri mësoi të bënte portrete, pasi piktori e linte atë edhe vetëm për të mbaruar punët e tij. Shpesh i thonte Merit që të mësonte gjuhën frënge, pasi do t’i duhej për të zhvilluar më tej zanatin e tij.

Pas dy vitesh piktori u sëmur rëndë dhe për pak kohë ai ndërroi jetë. Në këtë periudhë Meri afirmohet si piktor portretesh, duke zënë vendin e artistit, që tashmë kishte ndërruar jetë. Të ardhurat kishin filluar t’i rriteshin, por ato i ruante për objektivin e tij ambicioz. Prej pak kohësh, piktori i kishte futur në mend emigrimin për në Francë, si vëllai më i madh, Hyseni. Atje Ceni kishte qenë edhe korrier i internacionales së parë komuniste. Kohët e fundit kishte filluar të bënte edhe portrete me ngjyra dhe jeta kishte filluar ti qeshte më shumë ekonomikisht. Pak nga pak kishte filluar të mësonte edhe gjuhën frënge, me një libër gjeografie në frëngjisht, që i kishte lënë piktori.

Pas disa vitesh kthehet nga emigracioni Hyseni, vëllai i Merit, Ceni, i cili zotëronte disa gjuhë të huaja dhe për këtë arsye i gjen vetes një punë të mirë në Tiranë. Ai shoqëronte jashtë shtetit bejlerët dhe agallarët dhe tregtarët, të cilët shkonin për kurim nëpër klinika të ndryshme të Europës. Hyseni u shërbente atyre me përkushtim dhe ata të kënaqur e shpërblenin me napolona floriri.

Në një prej udhëtimeve të shumta të Cenit, Meri i kërkon të vëllait që ta merrte edhe atë me vete jashtë Shqipërisë. Atë rrugë ai do të shoqëronte një tregtar tiranas për të bërë një kontroll shëndetësor në Vjenë dhe kjo rrugë do të ishte vendimtarja për jetën e Ymerit. Gjatë këtij udhëtimi, Ymeri 18-vjeçar ndërron mendje në lidhje me planin e tij të emigracionit. Vjena ishte një qytet i bukur, por edhe dhe kryeqyteti i perandorisë austro-hungareze dhe Ymerit i kishte pëlqyer pa masë. Për konsekuencë ai i tregon vëllait vendimin e tij për të qëndruar në Vjenë, duke i thënë që ti gjente një hotel të lirë, pasi kishte mjaftueshëm para. Kështu Meri u strehua në një hotel, që ishte pronë e një familje hebreje, të cilën e administronte vajza e tyre.

Përveç hotelit kjo familje ishte shumë e njohur edhe për një studio të madhe fotografike që ata kishin në Vjenë. Ymeri ishte djalë i pashëm dhe me kalimin e kohës bie në dashuri me administratoren e hotelit, e cila u kurorëzua më pas me lindjen e një djali. Nëpërmjet saj, ai pati mundësinë të fillonte punë edhe në studion fotografike të kësaj familje. Sapo u strehua në hotel fillimisht ai komunikonte me të dashurën me frëngjishten e tij fillestare, të cilën e perfeksionoj në Vjenë në frëngjisht, ku bleu një libër të vërtetë për mësimin e gjuhës frënge. Me kalimin e kohës Meri filloj të mësojë edhe gjermanisht, me një manual bisedash frëngjisht-gjermanisht, që e kishte blerë në Vjenë.

Punën e filloj me përdorimin e aparateve fotografike, duke fotografuar qytetarë të ndryshëm dhe më pas filloi të bënte edhe punët brenda në studio, si larjen e filmave dhe stampimeve. Të gjitha fitimet i grumbullonte për blerjen e pajisjeve për studion e tij të ardhme në pazarin e vjetër. Ambicia, aftësia dhe durimi, ishin pikërisht vetitë më të mira të Ymerit, prandaj për një kohë relativisht të shkurtër, ai përvetësoi të gjithë artin e fotografimit. Në Vjenë, Ymeri ishte njohur si një rekordmen në fushën e fotografimit, pasi kishte fotografuar në Shqipëri tre objekte të qarta, në distancë të barabartë midis tyre dhe ata i kishte pasqyruar në vetëm një fotografi. Ishte një lule në të djathtë, një fshatar në të majtë dhe amfiteatri i vjetër i Orikumit në qendër.

E vetmja mburrje që ai pranonte, ishte kur i thonim me shaka se “O Daj Mer edhe ti je një rekordmen botëror” dhe atij i bëhej qejfi jashtë mase. Ishte e vetmja mundësi me i marrë atij një qeshje natyrale. Është një fatkeqësi që nuk e gjejmë më këtë foto, por do ta kërkojmë atë në Austri. Në Vjenë Ymeri pati kontakte me disa intelektualë dhe patriotë shqiptarë në emigrim, duke u bërë edhe pjesëtar i shoqatës patriotike “Bashkimi”. Në një kafe të madhe në Vjenë ai kishte pasur mundësi të njihte dhe fotografonte Ahmet Zogun, si një nga këshilltarët shqiptarë të perandorisë dhe familjes së Hasburgëve. Gjatë kësaj periudhe, ai shkonte dhe vinte shpesh në Shqipëri. Përfundimisht në vitin 1920, Ymeri kthehet në Shqipëri, i bindur nga Zogu dhe kontaktet e tjera patriotike në Vjenë, disa vite më parë, pasi zanati i tij mund ti shërbente çështjes shqiptare. Kishte blerë pajisje moderne për kohën, por të përdorura dhe me to hapi menjëherë në pazarin e vjetër një studio fotografike. Në këtë mënyrë ai plotësoj ëndrrën e tij vjetër, por kësaj radhe jo si piktor i thjeshtë portretesh, por si fotograf i kompletuar.

Mbante njëkohësisht kontaktet me dy familjet e tij, të origjinës në Tiranë dhe asaj të krijuar rishtazi në Vjenë. Për këtë ai shkonte dhe vinte shpesh nga Vjena për tu furnizuar dhe shumicën e fitimeve të aktivitetit e ndante midis Austrisë dhe Shqipërisë. Në vitin 1926, shoqja e tij në Vjenë lindi një djalë, i cili do të ishte pengu më i madh i jetës së Ymerit. Ishte periudha kur po vendoseshin për fatet e Shqipërisë, pasi Europa e kishte lënë Shqipërinë në mëshirën e fatit. Brenda vendit ekzistonte një duel i madh, midis forcave patriotike dhe bejlerëve me prijësit e tyre.

Për rrjedhojë të dyja fronte kishin nevojë për pasqyrimin e aktivitetit të tyre dhe kjo për kohën mund të bëhej vetëm nga fotografia. Midis evenimenteve të demokratizimit të Shqipërisë dhe tentativave të Zogut për marrjen e pushtetit, fotografia shqiptare mori një zhvillim të madh. U zhvillua më pas edhe me krijimin e Mbretërisë Shqiptare, e cila në këtë mënyrë gjente mundësinë të pasqyronte të gjithë madhështinë e saj. Në këtë periudhë Ymeri ishte bërë një nga fotografët më të besuar të Zogut, pasi me fotografitë e tij ai do ta ndiqte Zogun në të gjithë evenimentet e tij.

Gjatë kësaj periudhe do të zhvillohej edhe aktiviteti më i madh i Ymerit, i cili nuk përtonte të fotografonte të gjitha evenimentet historike, kulturore dhe politike. Me fotografitë e tij, ai bënte edhe rolin e kronistit për jetën e shqiptarëve, duke pasqyruar përveç festimeve historike dhe kulturore, edhe fatkeqësitë natyror. Një nga këto ishte edhe tërmeti në qytetin e Korçës.

Meri ishte i pa lodhur, ai e shëtiste gjithë Shqipërinë me fotografinë e tij. Ymeri ishte shumë i lidhur me familjen e tij në Tiranë dhe sapo u kthye nga Vjena, fotot e para ishin për motrën dhe familjen e saj. Ai kishte një dobësi të madhe për mbesën e tij, e cila kishte mbetur jetime që e vogël. Motra e tij, Gjylja, kishte hequr të zinjtë e ullirit për ta rritur atë. Në vitin 1923 ajo ishte martuar me Hysen Ketën dhe patën tre fëmijë.

Edhe pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe Ymeri ishte i afirmuar dhe autorizuar si fotograf zyrtar në Tiranë dhe për rrjedhore të gjitha evenimentet e qeverisë i fiksonte në fotografitë e tija. Deri në vitin 1943, Ymeri kishte krijuar një nga studiot fotografike më të njohura në Shqipëri. Por gjatë pushtimit gjerman ai e shpërnguli studion në shtëpinë e tij, për ta ruajtur nga lufta dhe bombardimet. Puna tashmë puna e tij konsistonte në sistemimin e fototekës, por me raste Ymeri i shërbente edhe qytetarëve të ndryshëm yiranas, në ceremonitë tyre martesore ose mortore.

Në shtëpi, përveç Ymerit jetonin edhe vëllai i madh, Hyseni dhe motra e tij, Gjylja, e cila pas vdekjes së burrit, ishte kthyer me vajzën e saj, Nurijen (gjyshen time) në derën e vëllezërve. Megjithëse shtëpia ishte e madhe, ajo ishte e vjetër dhe Ymeri kishte frikë ta vendoste aty fototekën e tij. Për këtë arsye ai ishte i detyruar të mbante gjithçka në dhomën e tij, e cila ishte pa lagështi. Gjatë kësaj periudhe, Ymeri vazhdonte të fotografonte edhe luftën antifashiste dhe aq më tepër stërnipin e tij, Myslym Ketën, i cili ishte një nga pjesëtarët më aktiv të saj.

E ndiqte kudo me fotografinë e tij, brenda dhe jashtë Tiranës. Shpesh Lymi i lutej atij se: “Mos mër daj me gjimo nga mrapa, se nuk ke fuqi dhe nuk du që për fajin tim ti të humësh gjithë punën e jetës tate”, por ai i përgjigjej se: “Kjo osht e vetmja munsi met të nimu në luftën tate dhe ky osht zanoti im”. Ymeri ishte një artist i vërtetë, fotot me ngjyra nuk ekzistonin, por ai i krijonte ato me dorë të lirë, në portrete dhe pamje të ndryshme. ngjyra mbi letër fotografike, të cilat quheshin “retushime” dhe asokohe ishin në modë.

Mbarimi i luftës i mbylli përfundimisht rrugën Ymerit, për të shkuar tek familja e tij në Vjenë. Nuk mundi të shkonte edhe fshehtas, pasi nuk kishte mundësi të merrte asgjë me vete, si pajisjet e studios, ashtu edhe fototekën e tij me vlerë. Ymeri ishte nga natyra një burrë shumë i zgjuar, por shumë i heshtur. Me heshtjen e tij, ai ndrydhte në vetvete mungesën e familjes së vet. Këtë e ruante me shumë fanatizëm, si sekretin më të madh të jetës së tij. Kjo ishte periudha më e hidhur e jetës për Ymerin. Nuk kishte më dëshirë për asgjë dhe mjaftohej vetëm me vazhdimin e fotografive të klientëve që vinin në shtëpinë e tij, duke i privuar vetes çdo kënaqësi të jetës edhe pse ishte vetëm 50 vjeç.

Motrat e Zogut gjate ceremonise mortore te nenes se tyre
Motrat e Zogut gjate ceremonise mortore te nenes se tyre

Ai e njihte mirë situatën në diktaturën komuniste, prandaj hezitonte të kontaktonte me të birin në Vjenë. Nëpërmjet njerëzve që vinin nga Shqipëria në Vjenë, i biri kishte kohë që pyeste për të atin, por takimi i tyre u bë gjithmonë edhe më i pamundur, për arsyet që të gjithë shqiptarët i dinë fare mirë. Deri në vitin 1965, Ymer Bali ishte një fotograf i nderuar edhe nga diktatura komuniste, e cila në 50-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë e dekoroi atë me medalje kujtimi për patriotizëm dhe pjesëmarrjen e tij në shoqërinë “Bashkimi”.

Pas vrasjes së nipit të tij, Myslym Keta, nga diktatura komuniste në vitin 1966 jeta e Daj Merit do t’i afrohej fundit. Dhe me të vërtetë që nga ajo ditë, ai nuk doli më nga shtëpia e tij, derisa në 16 prill 1967, ai ndahet nga jeta, në moshën 73 vjeç. Po të njëjtin fat do të kishte edhe vepra e tij.

Pas vdekjes së Ymerit, familja ime ishte trashëgimtare e vetme testamentare e pronës dhe veprave të tij, pasi nëna ime, ishte e vetmja që u kujdes për të, deri në momentet e fundit të jetës. Që kur ishte gjallë Myslymi, daj Meri i kishte dhënë atij një truall të mjaftueshëm për ndërtimin e një shtëpie, të cilën nuk e kishte përfunduar akoma. Direkt mbas vdekjes së dajë Merit, ne kishim filluar të pastronim dhe sistemonim shtëpinë dhe për pasojë edhe fototekën, e cila rrezikohej të prishej nga lagështia.

Shtëpia ishte shumë vjetër, me mure qerpiçi dhe çatia kishte filluar të dëmtohej dhe për rrjedhojë muret kishin filluar të binin. Në shtëpi banonte akoma vëllai i tij i madh, Ceni, për të cilin gjyshja dhe nëna ime vazhduan të kujdesen njëlloj si për Merin, deri në fund të jetës së tij. Përpara se të ndërronte jetë edhe Ceni kishte vendosur t’ia trashëgonte pjesën e tij, gjyshes dhe nënës time, por kjo nuk ndodhi, pasi ai dha shpirt befasisht, një ditë përpara se ata të paraqiteshin tek noteri. Kështu në vitin 1968 ndahet nga jeta edhe vëllai i Ymerit, Hyseni.

Siç ndodhte shpesh në familjet Tiranase, trashëgimia e pronës ishte objekt i xhelozisë midis të afërmve dhe kështu ndodhi edhe me familjen tonë. Por nuk ishte e arsyeshme ajo që do të ndodhte më pas, pasi tek gjyshja jonë u shkarkua e gjithë xhelozia për trashëgimin e kësaj prone. Këtë ndodhi gjyshja u mundua ta anashkalonte, për të mos futur në grindje familjet tona. Për konsekuencë, ajo ndërtoi me kredi një shtëpi të vogël në bahçen e Ymerit dhe Cenit ku do të mbyllte në qetësi pleqërinë e saj.

Pas vrasjes së të vëllait, Myslym Ketës, nëna ime kishte pakënaqësitë e saj ndaj regjimit komunist dhe për këtë shprehej lirisht nëpër shokë dhe miq. Kjo pati konseguencat e saj, pasi regjimi komunist vazhdonte gjuetinë e shtrigave dhe me mënyrën djallëzore që e karakterizonte, luftën e fillonte brenda familjes. Megjithëse ja kishte vrarë babanë, djalin e madh të Lymit, Arbenin, diktatura komuniste e futi në parti, për të filluar luftën kundër llojit të vet. Pas përjashtimit nga partia dhe internimit të babait tim nga Tirana edhe nëna ime kishte shkuar pas të shoqit, në Buzë të Tepelenës.

Për karshillëk politik ndaj saj diktatura emëroi nipin, në ish-vendin e saj të punës (Arkivën e Kinostudios). Tashmë ai ishte komunist dhe më pas u bë edhe anëtar i këshillit në lagjes Nr 1. Puna e parë që do të bënte, ishin tentativat për prishjen e shtëpisë së vjetër të Ymer Balit, të cilën ne kishim filluar ta riparonim pjesërisht, për ta kthyer atë në muze të fototekës. Për këtë arsye kishin kërkuar edhe aprovimin e Bashkisë, por për çudinë tonë nga komiteti ekzekutiv i Tiranës na erdhi një shkresë ku zv/kryetarja Lefkothe Dusku, na urdhëronte që këtë shtëpi ta kthenim në gjendjen e mëparshme. Domethënë të prishej dhe së bashkë me të edhe fototeka Ymer Balit, me gjithë ato aq vlera të mëdha artistike.

Në lidhje me këtë fakt, më kujtohet një moment shumë i hidhur i familjes time, lidhur me fototekën e Ymer Balit, e cila edhe sot më ka ngelur brengë në zemër: Ishte viti 1975, kur diktatura komuniste kishte mbaruar së shkatërruari pa mëshirë, pothuajse të gjitha veprat historike dhe kulturore të popullit Shqiptare në shekuj. Ato nuk i pëlqenin diktatorit Enver Hoxha, i cili në vend të tyre mendonte të ndërtonte të tjera mediokre, sipas modelit të realizmit socialist. Pas internimit të prindërve të mi në Buz të Tepelenës, Manush Myftiu kishte dhënë urdhër për shpronësimin tonë dhe për ndëshkim të mëtejshëm, në bahçen tonë do të ndërtoheshin banesa me punë vullnetare për pedagogët e universitetit të Tiranës.

Lagjja e Tabakeve 1915 – Foto Ymer BALI
Lagjja e Tabakeve 1915 – Foto Ymer BALI

Sipas urdhrit të Lefkothe Duskut, ne ishim të detyruar të dorëzonim pronën në fjalë, duke boshatisur edhe ndërtesën e vogël, ku ruanim fototekën e Ymer Balit. Me të marrë vesh urdhrin e bashkisë, nëna merr leje dhe kthehet në Tiranë. Në pamundësi të sistemimit të fototekës në shtëpinë e mbetur të Daj Merit, ajo bën disa kërkesa, për ti depozituar ato në Arkivën e Shtetit. Por kërkesat e saj u refuzuan, për faktin se poseduesi i tyre, tani konsiderohej armik i partisë dhe pushtetit. Pas shumë lutjesh me lot në sy, Arkiva e Shtetit mezi pranoi vetëm rreth 500 copë negativa nga fototeka e Ymer Balit dhe për këtë “favor” ata e detyruan nënën time të firmoste një deklaratë me dorën e saj, ku ajo humbiste pronësinë mbi to. Ishte një formë presioni, që diktatura komuniste, kishte përdorur gjithnjë, për përvetësimin e vlerave të mëdha kulturore nga e kaluara. Me brengë në zemër ajo u detyrua ta firmoste këtë deklaratë pa asnjë pretendim, vetëm e vetëm për të shpëtuar çfarë të mundte nga këto vepra.

Pa na njoftuar, pas dy ditësh Komiteti Ekzekutivi i Tiranës dërgoi punëtorët për të prishur ndërtesën e vjetër dhe të riparuar ku ishte edhe fototeka e Ymer Balit. Përpara dhunës së diktaturës komuniste dhe punonjësve të Bashkisë së Tiranës, ishte e pamundur rezistenca dhe mbrojtja e asaj pjese të fototekës që kishte ngelur. Ajo u hodh pa mëshirë në një gropë gëlqereje aty afër, për tu mbuluar dhe humbur përjetë. Më kujtohet si sot ajo ditë, kur nëna ime me lot në sy, po asistonte e pafuqishme në asgjësimin e fototekës së Daj Merit, i cili edhe gjatë dy luftërave e kishte mbrojtur atë.

Ymer Balit, i ishin dashur gati 50 vjet pune dhe sa e sa sakrifica për ta sistemuar atë në shtëpinë e tij modeste dhe pikërisht atë ditë, për 2-3 orë, diktatura komuniste po i asgjësonte ato pa mëshirë. Në momentin që jam duke shkruar episod të tmerrshëm edhe unë jam i përlotur njëlloj si nëna ime atë ditë, pasi nuk do t’ia fal dot kurrë vetes time, pjesëmarrjen time të heshtur në atë masakër. Isha i ri dhe ishte e pothuajse e pamundur të reagoje, pasi do të kishim konsekuenca të mëdha, por duhet të pranoj me ndërgjegje, që edhe unë, dashje pa dashje me heshtjen time, isha bërë pjesë e atij sistemi totalitar dhe pa vlera.

Pas 33 vjetësh, në vitin 2000, me vendimin nr. 59 te Bashkisë Tiranës, fotografit dhe patriotit Ymer Bali, i jepet titulli “Simbol i qytetit të Tiranës”, por vepra e tij tanimë ishte e mbuluar me dhe, për tu zhdukur përgjithmonë.

Pas daljes nga burgu i babait tim dhe kthimit të nënës time nga internimi, nëna nuk ndaloi së kërkuari të drejtën e saj, mbi trashëgimin testamentare që ajo kishte mbi pronat dhe veprave të mbetura për meritën e saj, por justifikimi ishte se ajo kishte firmosur një deklaratë me shkrimin e saj. Megjithatë ajo kishte vendosur ti drejtohej gjykatës për të drejtën e mohuar të saj, por nuk e vazhdoi, pasi gjatë një legjislature të djathtë, nën zë, në Arkivën e Tiranës i kishin thënë se sapo ti gjejmë do ti japim. Kjo histori u mbyll me ndarjen nga jeta të saj në dhjetor të vitit 2000, por amanetin e saj do ta çoj unë, deri sa të kem fuqi dhe jetë.

Kohët e fundit jam kthyer nga Italia për të stampuar disa foto të rralla të Daj Merit që personalisht i kisha ruajtur që 40 vjet përpara. Kam marrë vesh se vepra e tij që diktatura i kishte depozituar ato në Arkivën e Shtetit, sot ato bredhin lirisht nëpër ekspozita personale, pasi janë bërë padrejtësisht pronë e vetë komunistëve. Përfundimisht kam besimin se do ta çoj deri në fund këtë amanet, për të mbledhur të gjitha fotot e Ymer Balit dhe me to do të ngre një ekspozitë, pikërisht në tokën e tij. Në mënyrë që vepra e tij të mbetet e gjallë në shekuj.

Me këtë tregim nuk dua të prek shumicën e të afërmve të mij, të cilat janë të pafajshëm në këtë masakër artistiko-kulturore, të cilët i kam thellë në zemër. Por dua që e drejta të dalë në dritë dhe aq më tepër përgjegjësit të kësaj masakre, sot me paturpësinë më të madhe kërkojnë ligjërisht bashkëpronësinë mbi pronën dhe veprat e Daj Merit. Kjo është një hipokrizi e gjallë e këtij shekulli.

*Stërnipi i Ymer Balit 

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.