Xhevdet HARASANI
Xhevdet HARASANI

Ka lindur në Tironë më 20.10.1941. Në vitin 1966 mbaroi fakultetin e mjekësisë të UShT dhe mori diplomën ”mjek i përgjithshëm”. Emërohet në Institutin e Onkologjisë të Qendrës Spitalore Universitare, duke kryer specializimin për anatomopatholog dhe citolog (1966-1968). Në vitin 1978 aktivizohet si pedagog i jashtëm në fakultetin e mjekësisë të UT për lëndën e histologjisë normale. Prej vitit 1979 e në vazhdim është pedagog i anatomisë patologjike.

Gjatë periudhës 1983-1993 kreu disa specializime jashtë shtetit: në Institutin “Curie”, Paris, (gjashtë muaj), 1983; në Institutin Onkologjik të Budapestit (dy muaj), 1990; në Institutin e Citopathologjisë të Duseldorfit (tre muaj), 1992 dhe në shërbimin e morfologjisë të Universitetit ” La Sapienza” të Romës (një muaj). Në vitin 1985 ka mbrojtur me sukses disertacionin me temë ”Dinamika e ndryshimeve Citologjike në strishat cervikale në gratë e rrezatura për kancer të qafës së mitrës dhe rëndësia e tyre”.

Ka mjaft botime si autor e bashkautor në më shumë se 82 artikuj, raporte, tekste e punime në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit. Ka marrë pjesë aktive në shumë veprimtari të Federatës Europiane të Shoqatave Citologjike dhe të Akademisë Ndërkombëtare të Citologjisë me referime duke qenë edhe kryetar në sesione të veçanta.

Në karrierën e tij profesionale përfshihen: anëtar i Akademisë Ndërkombëtare të Citologjisë (IAC); anëtar i Unionit Ndërkombëtar të Luftës Kundër Kancerit (UICC); anëtar i Këshillit të Federatës Europiane të Shoqatave Citologjike; anëtar i Unionit Europian të Federatës së Shoqatave Citologjike; anëtar i komitetit Ndërkombëtar për Zbulimin e Kancerit për gratë që i nënshtrohen mbikëqyrjes mjekësore; anëtar nderi i Shoqatës Turke të Dermatologjisë; anëtar i Shkollës Ballkanike të Citologjisë dhe përfaqësues i Shqipërisë në këshillin e saj.

Anëtar i organizimit dhe realizimit të projektit të parë pilot për depistimin e kancerit të gjirit në Shqipëri në bashkëpunim me Universitetin “La Sapienza” të Romës; anëtar i bordit botues të revistës “ Acta Cytologica” dhe anëtar i bordit botues të revistës ”Cytopathology”. Është anëtar i Urdhrit të Mjekut të Republikës së Shqipërisë dhe President i Shoqatës Shqiptare të Citologjisë; bashkëthemelues i Shkollës Ballkanike të Onkologjisë.

Njeh dhe komunikon në gjuhët angleze, italiane, frënge e ruse.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.