Xhemal Ali PAZARI
Xhemal Ali PAZARI

Xhemal Pazari, mësimet e larta, ku u dallua për rezultate mjaft të mira, i kishte kryer në Fakultetin e Teologjisë dhe të Filozofisë të Universitetin Al-Az’harit në Kajro të Egjiptit.

Problemeve të besimit fetar, ai diti t’i japë gjithmonë thelbin e tij, me argumente dhe pa vulgaritet, të cilin krahas devotshmërisë ndaj krijuesit e shihte si një obligim hyjnor që lartëson mirësinë dhe dinjitetin njerëzor dhe jo si përçarje ndërmjet shqiptarëve e në dëm të interesit kombëtar.

Falë njohjes së thellë të Kur’anit dhe elokuencës së treguar prej tij, ai. gjithnjë u vlerësua jo vetëm nga besimtarët, por edhe nga rrethi i gjërë shoqëror. Për vite me rradhë, Xhemali punoi edhe në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.

Gjatë jetës relativisht të gjatë të tij, e duke patur gjithnjë lidhje të ngushta me figura të shquara kombëtare, ai u bë dëshmitar, madje në ndonjë rast edhe protagonist në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të politikës kombëtare. Për këtë ka mjaft dokumenta.

Ato nisin që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) e vazhdojnë me përpjekjet e rilindasve tanë për gjuhën e shkollën shqipe, me lëvizjet për pavarësinë, aktin e shpalljes së saj (1912), përpjekjet për konsolidimin e shtetit shqiptar dhe deri për ngjarjet e luftës së dytë botërore.

Prej atyre dokumenteve mund të veçohet një kërkesë e djelmënisë së Tironës drejtuar Osman Myderrizit (6-9-1922), kryetar i Partisë Popullore, për zgjedhjen Xhemalit në Këshillin e Naltë. Gjatë viteve 1922-1925, Xhemali mbajti edhe detyra të pushtetit lokal të Tironës, anëtar i Këshillit Bashkiak etj..

Në angazhimet politike të tij, ai arriti deri deputet i Prefekturës së Tironës në Asamblenë Kombëtare. Zgjedhjet e këtij institucioni, për të cilin nuk e njohim plotësisht legjislacionin përkatës, u zhvilluan gjatë muajve shtator e tetor të vitit 1943 dhe u organizuan nga ”Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm”, organ që funksionoi për gati dy muaj pas kapitullimit të Italisë.

Në dallim nga legjislaturat e mëparëshme, ky institucion kushtetues, i përbërë nga 203 vetë, duke përfshirë të gjithë prefekturat e Kosovës dhe të Dibrës së madhe, shtrinte aktivitetin e tij edhe jashtë kufinjve shtetërorë të 1913-ës. Në këtë mënyrë, me këtë organ kombëtar përgatitesh edhe mundësia e realizimit të asaj aspirate të madhe e të shenjtë, bashkimi i të gjithë trojeve shqiptare, çeshtje, e cila fatkeqësisht vazhdon ende e pazgjidhur, por përsëri aktuale.

Mbledhjen e parë, Asamblea e re, që filloi punimet e saj në Tironë më 16 tetor 1943, e filloi me zgjedhjen e organeve të veta drejtue- se dhe me emërimin e kryeministrit e të qeverisë së re. Pas 10 nëntorit të po atij viti, ky organ thellësisht nacionalist dhe që i përgjigjej aspiratave të mbarë popullit shqiptar, u quajt Kuvend Kombëtar ose Parlament. Ai binte në kundërshtim me politikat antikombëtare të forcave kundërshtare, të cilat me veprimet e tyre u bënë edhe pengesë reale në mbarëvajtjen e tij.

E mbledhur rishtas pas disa ditësh, Asamblea zgjodhi kryesinë e saj dhe caktoi Rexhep Mitrovicën për të formuar qeverinë e re, programin dhe përbërjen e së cilës, të paraqitur po nga ai më datën 9 nëntor, e aprovuan të gjithë deputetët. Nga ana e tyre, deputetët kosovarë kërkuan nga qeveria e re shqiptare dhe nga vetë populli shqiptar përkrahjen dhe përpjekjet e tyre maksimale për masat e nevojshme mbi afrimin dhe forcimin e lidhjeve shpirtërore të shqipëtarëve.

Ata shprehën njëherësh edhe dëshirën e bashkimit të të gjithë trojeve tona, duke filluar nga Mitrovica, si pika më veriore (edhe sot pas shpalljes së Republikës së Kosovës), e deri në fshatrat më jugorë shqiptarë.

Me përgatitjen e tij, si njeri me horizont kulturor e historik e njëherësh i zhvillimeve politike dhe ekonomike botërore e veçanërisht të atyre ballkanike, edhe në këtë organ, Xhemali diti të mbajë qëndrimin e nevojshëm në mbrojtje të interesave kombëtare. Më vonë, në Qeverinë e Shqipërisë do të kishte ndryshime, por jo në karakterin kombëtar të saj. Veç Mehdi Frashërit si kryeministër i ri ka edhe emra të tjerë intelektualë e patriotë si pjesë e saj. Ka të dhëna se në atë kohë u ngrit edhe Akademia e parë Shqiptare e Shkencave.

Dhe kështu ndodhi për problemet kombëtare, por jo për gjthnjë; lidhjet dhe bashkëveprimet e Shqipërisë me Kosovën u shtuan. Ata u bënë mjaft të dukshme jo vetëm në kulturë e arsim, por veçanërisht në ekonomi.

Megjithatë, politikat e brendshme dhe faktorët e jashtëm nuk shkuan në favor të shqiptarëve. Shqipëria etnike, madje deri sot, mbeti e ndarë. Por, një fitore tejet e madhe është arritur, Republika e Kosovës tashmë është realitet, ajo është e pavarur nga Jugosllavia e atëhershme dhe Serbia e sotme.

Duke u rikthyer te Xhemali mund të përmendet edhe fakti se, për aktivitetet e tij, ai pati edhe rrjedhoja: ishte burgos nga xhonturqit (1909-1910) dhe deri nga qeveria komuniste (1947), pas dyzet vjetësh, kur dy Vjet më parë, kjo e fundit i kishte vrarë djalin e madh Besimin dhe nipin e tij, Faikun.

Më 28-7-1995, nga Presidenti Republikës Sali Berisha, ai është dekoruar me medaljen “Për veprimtari patriotike”.

Burimi: Shoqata Tirana

SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.