Xhamia e Vjeter
Xhamia e Vjeter

Xhamia e vjetër e Tiranës mendohet të jetë ndërtuar aty nga mesi i shekullit XVI, prej Sulejman Pashës, djali i një prej familjeve të para të fshatit Mullet, që ndodhet pak kilometra në periferi të Tiranës së sotme. Asokohe Tirana ishte një fshat i vogël me disa stane dhe banesat e përkohshme të barinjve dhe e rrethuar nga fshatra të mëdhenj me tregje e me faltoret e tyre.

Në këtë kohë Tirana nuk kishte lindur ende, “nër këto vise ishin të caktueme zonat e çifligjeve të agallarëve dhe të zotnive t’atëhershëm, të cilët banofshin ndër katundet fqinj” Sulejman Pasha duke qenë se ishte i preferuari i Sulltanit mundi që ti pranohet propozimi për ndërtimin e një qyteti të ri. “mbasi e hapi fjalën ndër fqinj, u muer vendimi qi, ma para së gjithash të ngrifesh një Faltore (xhami), nji hamam (banjo) një shtëpi për imamin dhe nji furrë”

Në përshkrimet historike thuhet se për ta bërë që faltorja të frekuentohej prej banorëve përreth, deri sa të shtoheshin banorët e qytetit të ri, nxori fjalën se për të gjithë ata që do të vinin aty për të bërë lutjet e zakonshme do të merrnin nga furra e bukës një prarurë.

Banorët e fshatrave përreth filluan të zbrisnin në qytetin e Pashës e të ndërtonin banesat e tyre, ku vendin e ndërtimit të shtëpisë dhe një kopsht përpara saj e kishin falas, kështu dalëngadalë filloi të merrte fizionominë e një qytetit të vërtetë. Ndërsa në lidhje me emërtimin “Tiranë” ka disa hipoteza por ajo më e qëndrueshmja deri më sot është se duke qenë se Sulejman Pasha ishte Pasha në Teheran të Persisë, qytet të cilin e donte shumë dhe kështu i vendosi qytetit të ri një emër të ngjashëm me të, pra Tiranë. Kështu Xhamia e Sulejman Pashës do të bëhej epiqendra e një qyteti të ri me merin Tiranë.

Arkitektura e saj ka qenë e veçantë dhe e rrallë për faltoret shqiptare. Revista e asaj kohe “Kultura Islame” e përshkruan kështu këtë fakt:

“Sikur të hedhshim vështrimin tonë për nja pak çasa të kësaj Faltoreje, do të ndeshim në rrymën e artit qi e përshkon, tue fillue prej pikturimit të mureve, punimit të dyerve e penxhereve, deri në mbërthimin e copave të tavanit. Vijëzimi i bukur i rrëshqitjes së brushës nga “ustajë” të nep në ças skicën e punës së një “finezze” t’artit t’asaj kohe , e cila e bamun si një shpirt i dytë i artistit, nxirrte prej botës së tij të mbrendshëme punën e mrekullt nër të gjitha lamët; nxirrte me lëvizjen e gishtave të tj frymën e gjallimin e nji pune e cila nuk kishte me u-çvleftësue asnjë herë. Stili i artit të kësaj xhamie – si shumë të tjera punime kësisojë – siç dihet vjen nga udha e artit Arabo-Moresk, i cili kishte përshkue disa pjesë të rruzullit.

Mjeshtrat qi hudhën brushën për të parën herë nër muret e xhamisë vjetër nuk ishin tjerë përveçse ustallarë të dalun prej këtyne rajoneve, nër të cilat ndotjani, tue marrë me angarina dhe punë godinash nër qytete si me randësi t’asaj kohe, kushte mund për me thith në botën e tij rremin e artistit, e kjo asht kryesorja qi ban njeriun të jetojë disa çasa mahnitjeje dhe të ndigjojë një adhurim për ta, kur me sakrifica ma të mëdhaja, dhe të pa – pasunuem me mjetet e lypuna t’asaj kohe , skalisin punë artistike të pavdekshme!

Në puthitjen e dërrasave të tavanit, në ujdisjen e sylmeve të tij,në vendosjen e në planin e bukur të hekurave, njeriu dallon me njiherë se jeton në lamshin e punës së dalunnga dora e një artisti të vërtetë.

Në pikëpamje t’arkitekturës prap se prap Falëtorja e Sulejman Pashës të nep po at përshtypje: Vendosja e shtyllave, punimi dhe projekti i kubes (mesi i faltoreve), të detyrojnë t’ia hudhish sytë mirë me shikim kritiku të vërtetë; gjithashtu rregullimi i vendshëm i mureve të mafilit, i skalisjes së minares të shinë sikur po shkëmben fjalim me arkitektin e përsosun të kohës.”

Në këtë përshkrim të revistës Kultura Islame dalin në pah vlerat e mëdha arkitektonike e artistike të kësaj xhamie e stilizuar  me detaje të hollësishme dhe mbresëlënëse nga mjeshtërit e asaj kohe.

Por ashtu si dhe shumë objekte të tjera të kultit në Shqipëri, Xhamia e vjetër e Tiranës nuk mundi t’i mbijetojë regjimit komunist që u vendos në Shqipëri në vitin 1967, duke i hequr kështu kryeqytetit gurthemelin e tij e duke e lënë atë të çalë.

BURIMI: DRITA ISLAME

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.