“Kur u shfaq për herë të parë komedia “Prefekti” unë dhe nëna ime ishim në shtëpi. Po e dëgjonim në radio. Nëna ime u revoltua. Të nesërmen e premierës, kur dola nga shtëpia për të shkuar në shkollën “Qemal Stafa”, ku vazhdoja gjimnazin të gjithë më shikonin të habitur e kuriozë. Kur vajta në shkollë të gjithë më rrethuan të habitur, sikur isha ndonjë personazh filmi.” 

*Për shkak të mbiemrit dhe atësisë Reshit Mulleti u detyrua të ndërronte shumë shkolla sepse nxënësit e rrihnin, kryenin dhunë. Sapo ishte transferuar tek shkolla e re kur u shfaq komedia “Prefekti”. Ja si e tregon ai një episod.

“Kur thirri emrin tim Reshit Qazim Mulleti, ajo shtangu dhe pyeti: Emër i vërtetë është ky? Nxënësit e klasës iu përgjigjën në kor: Po, po, ky është Shiti i komedisë “Prefekti”. Mësuesja shtangu, u habit, iu duk çudi, më afroi pranë vetes, më foli me shumë dashuri, më qëndroi pranë dhe iu duk shumë padrejtësi se si mund të përdoreshin emra realë në një komedi?! Të nesërmen erdhi kamioni e na mori, na dërguan në internim, në kampin e Tepelenës. Aty na mbajtën 5 vjet deri në mbylljen e tij… Në atë kamp kam kaluar tmerre të vërteta, kushte të këqija dhe trajtim çnjerëzor. Në atë kamp kam varrosur me duart e mia më shumë se 300 vetë, ku 200 prej tyre kanë qenë fëmijë. Mbas 2-3 vitesh me urdhër të komandës i kemi zhvarrosur, dhe rivarrosur në një vend tjetër… Nënën e kanë torturuar shumë, ndërsa mua më fusnin në fuçi me ujë të ftohtë, shpesh më futnin dhe kokën në ujë. Mbasi na grabitën çdo gjë, na dërguan përsëri në Tepelenë, më pas në Fier e Lushnje në kampet e internimit në Savër, Gradisht, Grabian. Çdo kamp të ri e kam inaguruar. Ishim të parët që dërgoheshim në kampin e ri të internimit.”

*Kujtojmë se Qazim Mulleti i kishte shpëtuar jetën nga fashistët shkrimtarit të komedisë, i cili do ta shpërblente me atë farsë. Po mos ishte shkruar ajo komedi Reshit Mulleti dhe Hajrie Kusi Mulleti s’do të kishin vuajtur kurrë aq shumë sa vuajtën. Ja një episod tjetër përshkruar nga vetë Reshiti.

“Morëm leje dhe dolëm në qytetin e Lushnjes. Në një moment më thotë nëna: “Shiti dikush po na thërret!” Më erdhi shumë keq, por u detyrova dhe i thashë: non nuk o tu na thirr kush, por nga artopalanti jepet komedia e po na qeshin, po na tallin, po na venë në lojë, po argëtohen…” Ajo mu përgjigj: “Na marrshin të keqen!”, dhe unë i thoja vetes: na i morën të gjitha, na çvatën, por na dëmtuan dhe imazhin tonë të mirë, tani ishim vetëm personazhe groteske, butaforike. U larguam nga qyteti, dorëpërdore nënë e bir ecnim në drejtim të kampit të internimit…” 

*Reshiti vuajti nga fëmiria e deri në plakje. Hyri fëmi në internim e doli plak. Nga idhnia nuk arriti kurrë të krijoi familje. Ja si e përshkruan dhimbjen e tij. 

“A ka më fatkeq se unë? Gjithë jetën u talla, u përqesha, me emrin tim u abuzua. Cili djalë do të sillej ashtu me një baba aq të mirë, të mrekullueshëm si i imi, që ishte i kulturuar, që kishte dhënë ndihmesën për Shqipërinë, që kishte studiuar e mbaruar universitetet dhe e kaloi jetën në mërgim, larg atdheut. E provoi jetën e emigrantit për herë të parë pas ikjes së princ Vidit, pastaj pas dështimit të qeverisjes së Fan Nolit. Erdhi në Shqipëri në mesin e vitit 1939 dhe mua më gjeti 8 vjeç. U largua për herë të tretë nga Shqiperia në gusht 1944. Ishte hera e fundit. Nuk do të kthehej më as në mesin e familjes, as në atdhe. Nuk e pashë më kurrë…” 

Referencë:
Shkëputur nga emisioni Dosja K të gazetares Admirina Peçi. Episodi me titull “Historia e vërtetë e Qazim Mulletit” publikuar më 23 prill 2019 në Youtube.

Burimi: Najdeni.com

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.