Vlerat dhe traditat e tiranasve - Kulturore e Patriotike, nga Shyqyri Rreli dhe Ismail Demneri
Vlerat dhe traditat e tiranasve - Kulturore e Patriotike, nga Shyqyri Rreli dhe Ismail Demneri

Figurat kulturore e patriotike tiranase, njëherësh me vlera të mëdha historike, janë mjaft të hershme. Po e nisim me emrin simbol, Sulejman Pashën, trashëgimtarin e një prej dyerve më të mëdha të Arbërit; i ati i të cilit ishte vendosur në Mullet. Sulejmani, ai burrë i shquar, i ndershëm, i arsimuar dhe ushtarak i aftë, që ka jetuar e punuar katër shekuj më parë, për vlerat dhe mentalitetin e tij, duhet të ketë përfaqësuar tiranasin intelektual e të formuar ndoshta deri në nivelet më të larta të kohës.

Por, mbi të gjitha, Sulejman Pasha njihet si themelues i Tiranës. Xhamia me emrin e tij, dhe e ngritur në vendin më të zgjedhur, do të shënonte fillimin e qytetit të ardhshëm. Në gurin e portikut të saj ishte gdhendur viti i ndërtimit, që daton “1023 hixhri” sipas kalendarit islamik ose 1614 të erës sonë.

Xhamia ishte e një tipi mjaft të thjeshtë, por, gjithsesi, e kombinuar me elementë shumë të rëndësishëm të arkitekturës popullore dhe të teknologjisë krahinore. Qerpiçi i tharë në diell, që ishte materiali bazë për ndërtimin e mureve, kombinohej me shtyllat e rrumbullakëta prej guri të gdhendur dhe me kangjellat e punuara prej hekuri të rrahur. Suvatimet e brendshme dhe të jashtme ishin të pikturuara me motive floreale. Çatia me tjegulla kishte strehë të gjëra; ndërsa në oborrin e xhamisë ishin mbjellë disa selvi.

Sulejman Pasha u vra në Persi në vitin 1618, si komandant i trupave të dërguara atje. Sipas porosisë së tij, atë e sollën  të balsamosur dhe e varrosën në vendlindje, pranë veprës që ndërtoi vetë. Xhamija e Sulejman Pashës ose ”xhamia e vjetër”, si u quajt ajo ndër shekuj, me atë pamje mjaft të bukur dhe me ato vlera që kishte, në vitin 1633 u plotësua me minare nga i biri i vet, Ahmet Pasha. Ky monument i rrallë i kulturës, shumë më vonë, në vitin 1840, ju nënshtrua një meremetimi. Më tutje, Ibrahim beu, nipi i Sulejman Pashës, që sundoi në Tiranë për një kohë mjaft të gjatë dhe tamam atëherë kur qyteti filloi të zhvillohej edhe më shumë, u kujdes për rregullimin e rrugëve. Ujin e lumit e futi në qytet dhe e ndau në dy vija me drejtimin nga lindja në perëndim. Ajo që kalonte gjatë rrugës së Dibrës ka funksionuar deri në vitet 30-40 të shekullit që shkoi. Ai iu kundërvu edhe Portës së lartë. Stërnipi i Sulejman Pashës, me emrin Ahmet Pasha, ishte i fundit burrë i kësaj familje; ai la pas vetes vetëm pesë vajza: Hafsa, Hamide, Mahmude, Zehra dhe Aishe.

Xhamija u dogj më 1944, gjatë luftës. Por, fatkeqësisht, sistemi i ri politik i sapoardhur në pushtet, pa përfillur as rëndësinë historike e kulturore të saj, si ndërtimi i parë i qytetit, dhe as shansin e mirë se ai objekt nuk u rrënua plotësisht, në vend që ta rindërtonte, e rrafshojë atë, madje bashkë me varrin e Sulejman Pashës e ato të pjesëtarëve të tjerë të familjes së tij, të vdekur 330 vjet para këtij akti. Në botimin ”Tirana në rrjedhën e shekujve”, Koço Zheku, duke folur në rolin e dëshmitarit, shkruan se, prishja e xhamisë u bë “me ndërgjegje të pastër”.

Si për të paralajmëruar ndalimin e besimit fetar që do të vinte mbi njëzet vjet pas asaj ngjarje; shumë shpejt dhe pikërisht më 29-11-1949, atë truall, ku njerëzit i luteshin Zotit prej më se tre shekujsh, e zaptoi një ”njeri me pushkë” dhe i vendosur mbi një bazament. Ai ishte “Monumenti Partizani”, për të cilin, me kalimin e kohës, nga një pjesë e opinionit, madje, për të ardhur keq, edhe e vetë medias filluan të përdoren emërtimet ose më mirë nofkat ”Partizani i panjohur” dhe ” Ushtari i panjohur”, ashtu si në anë të tjera të Tiranës, ato ”Zogu i zi”, ”Brryli” etj..

Duke mos qenë të një mendimi me ato thirrje, mendojmë se, për këtë rast, pranimi i tyre përmban dy gabime mjaft të konsiderueshme:

Së pari. Ato terma nuk janë as të vërteta, as historike dhe as juridike. Për t’a provuar këtë, shihni dokumentet e kohës së inaugurimit të asaj vepre; shihni se çfarë ndodhi më tutje kur, për ”nder” të tij, në distanca fare të shkurtra kohore dhe hapësinore, me të njëjtin emër, u shtuan edhe objekte të tjera: kinemaja “Partizani” dhe deri birraria ”Partizani”; kujtoni po ashtu dedikimin në bazamentin e vjetër (që nuk është më) dhe shihni atë të tanishmin, të cilin këtu po e citojmë krejt të saktë: Partizanëve të rënë për çlirimin e kryeqytetit, 28/X/-17/XI/ 1944”.

Historia e luftës për çlirimin e Tiranës, nga njëra anë, dhe ky formulim zyrtar, korrekt e krejt i hapur, nga ana tjetër, provojnë fare qartë dhe pa asnjë mëdyshje se, ata që ranë dëshmorë në atë betejë nuk ishin të panjohur, por ishin partizanë të rreshtuar në formacione të rregullta.

Së dyti. Pavarësisht nga shkaqet, për të gjitha rastet, ndry- shimet amatoreske të emërtimeve e pa bazë ligjore deformojnë faktin dhe cenojnë historinë, në rastin konkret atë të vetë Tiranës. Për rrjedhojë, këto akte nuk ndikojnë për mirë as në edukimin e
brezave më të rinj.

Termi fisnik “Ushtari i panjohur”, e mjaft i përhapur në botën e qytetëruar, simbolizon vetëm ushtarin e brumosur me ideologjinë e kombit, për çka, ai nderohet e respektohet nga të gjitha forcat politike të vendit përkatës. Për rastin në fjalë, kjo praktikë kuptohet se nuk mund të funksionojë; e për më tepër që, në basorelievin jugor të atij monumenti, një partizan, madje ai që është në krye të grupit, e identifikon veten përmes një  simboli joshqiptarl”, por të njohur nga shqiptarët; simbol i një vendi jodashamirës për ne. Partizani që ka ngritur “tre gishta” lart qëndron aty prej 60 vjetësh, madje edhe tani pas rikonstruksionit që ju bë atij mjedisi këtë vit nga Bashkia e qytetit!!!!.

Shembja e xhamisë dhe ngritja po në atë vend e monumentit ”Partizani” dëmtoi vlerat aq të çmuara historike e kulturore të Tiranës. Këto akte, që filluan menjëherë pas çlirimit, prej vitit 1945, ishin goditjet e para që ju bënë figurës historike të Sulejman Pashës. Dhe, për këto shkaqe, ky emër i madh e i njohur, gradualisht filloi të harrohej; çka u bë më e dukshme kur ai u hoq edhe nga ndonjë objekt i mëparshëm. Për shmangien e këtij absurditeti, si pjesë e masave dhe e përpjekjeve, që filluan pas ardhjes së demokracisë, ishte edhe vendimi i drejtë i Bashkisë së atëhershme të Tiranës për ngritjen e një monumenti për nder të kësaj figure të veçantë. Ai u realizua më 28 shtator të vitit 2000.

Personalitetet e shquara të Tiranës vazhduan edhe pas Sulejman Pashës. Në vitin 1711, pra, një shekull më vonë, apo tre shekuj para ditëve të sotme, evidentohet juristi Rexhep Kubati nga një familje mjaft e njohur vendase që ka banuar aty ku tani është pallati prapa Bankës së Shtetit. Kronologjikisht përmendet Haxhi Et’hem Beu, personalitet i jetës kulturore e politike dhe njeri arsimdashës. Ishte shkolluar në Medresenë e Lartë të Stambollit në Turqi, por kishte udhëtuar edhe në perëndim. Ai ishte edhe poet, madje me vargje të shkruara në gjuhën shqipe. Familjet e Sulejman Pashës me atë të Haxhi Et’hem Beut ishin të lidhura me njëra-tjetrën. Kjo provohet nga një skemë gjenealogjike e botuar në revistën ”Shqypnija e ilustrueme”, ku del se, i ati i Haxhi Et’hem Beut, Molla Beu, ka qenë kushuri i parë me Ahmet Pashën, stërnip i Sulejman Pashës.

Më tutje, ndeshen të diplomuarit me arsim të lartë, madje të ardhur edhe nga Europa: Said Sermedi Toptani; Adem Bimbashi, më 1859; Hasan Mema, më 1870; Teufik Tefiku, më 1878; Myslim Llagami, më 1882; mjekët Tahir Mara, më 1874; Abdullah Ademi, më 1876; Jakov Hobdari, më 1894 e sa të tjerë.

Tiranasi i shquar, Hafiz Ibrahim Dalliu, njeriu me përmasa të mëdha, që ja kushtoi jetën vendit të tij e që u martirizua për të, është nga figurat më madhore. Ai kërkonte përhapjen e gjuhës shqipe dhe të shkronjave shqipe. Për politikën përçarëse të pushtuesve turq, ai ka thënë: ”gjithë atyre që bënin kryengritje, edhe nipërit e Profetit të ishin do t’ja thoshin një fjalë”. Si një personalitet i padiskutueshëm e shumëplanësh, figura të tilla duken si kontradiktore. Ka njerëz që e paragjykojnë fetar dhe asgjë më tepër, ashtu sikurse të tjerë që e quajnë hoxhë liberal apo hafiz liberal. Por, te ky intelektual i shquar, asnjëherë nuk kishte kontradikta ndërmjet bindjeve të tij të teologjisë islame (për të cilën ishte formuar e arsimuar) dhe qytetarisë perëndimore.

Me nivelin e lartë kulturor e teologjik që kishte ai, ky njeri i kulturuar dinte t’i jepte vendin e duhur atdheut dhe fesë, e për këtë kishte vlerësimin e merituar. Kur më 1945, Ibrahim Dalliu ndodhej në dhomat e burgimit bashkë me Peshkopin e njohur ortodoks Irine (Ilia) Banushi, për ”argëtim”, hetuesi politik, çallmën e hafizit e vendosi në kokën e të krishterit. Në përgjigje të këtij akti aspak qytetar dhe as moral, për më tepër as ligjor,
Peshkopi i thotë hetuesit ”faleminderit, është nder për mua të mbaj çallmën e këtij patrioti që shkriu jetën për një Shqipëri të lirë, demokratike e etnike dhe, njëherësh të këtij njeriu të ditur, me të cilin krenohet edhe vetë kjo tokë”. Hetuesi u bë “i mençur”, veprimin e parë të tij nuk e ktheu në të kundërt se do të merrte të njëjtën përgjigje.

Hafiz Ibrahim Dalliu

Hafiz Ibrahim Dalliu

Për komunizmin, si periudha e fundit që kaloi ai; në vitin 1949, ndër të tjera, shkruante:

Po kërkove bukën, të japin urinë;
Po kërkove jetën, të japin batërdinë;
Po kërkove nderin, të japin poshtërsinë;
Po kërkove shokun, të japin pabesinë;

Hafiz Dalliu ka dhënë mesazhe të qarta të natyrës e të karakterit tiranas. “Ndjenja kombëtare e demokratike” është e pranishme në të gjithë elementët e veprës dhe jetës së tij të karakterizuar nga kultura dhe qytetaria e lartë. Ai transmetoi nevojën e dijes e të arsimimit shqip dhe për këtë u rrah publikisht nga turqit; qysh para pavarësisë, ai kundërshtoi politikën turke për mbylljen e shkollave e të klubeve dhe synimin e saj për çrrënjosjen përfundimtare të gjuhës. Në planin qytetar, ai dha mesazhin e ”harmonisë fetare”. Nga vepra e Hafiz Dalliut, e përsh- kuar gjithnjë nga tradita dhe historia e trevës sonë, del edhe një mesazh tjetër e mjaft i rëndësishëm, ”nevoja e përjetimit të vlerave patriotike të saj”. Kjo është konkretizuar veçanërisht me librin ”Patriotizma në Tiranë”, të shkruar prej tij e të botuar për herë të parë në Tiranë në vitin 1930. Në të, ai dokumenton kontributet e shquara të Tiranës. Më herët, se ky punim, prej tij kishin dalë edhe disa vepra letrare e me përmbajtje atdhetare, siç janë vjershat satiriko-politike ”Grenxat e kuqe” (1915) dhe ”Dokrat e hinit” (1922).

Vlerat patriotike të tiranasve, veç sa më sipër, shprehen dukshëm edhe me mjaft tregues të veçantë statistikë, që për frymë popullsie japin shifra dinjitoze. Si luftëtarë të çështjes kombëtare, janë gati 160 patriotë tiranas të burgosur në kohën e Turqisë, prej të cilëve mund të përmenden Fuat Toptani, Jusuf Banka, Ymer Sallaku, Hajdar Hidi, Ali Kukaleshi, Mahmud Fortuzi, Fan Koja, Osman Beshiri, Reshit Petrela, Riza ]asa, Beqir Luga, Hajdar Hidi, Mustafa Mara, Naun Lasku, Nikolla Nishku, Mustafa Caslli, Musa Vathi, Ymer Bali, Hasan Qosja, Adem Kruja, Osman Herri, Met Këllezi, Elmaz Karrili, Ramazan Brahja, Riza Jasa, Ramazan Çali, Xhaferr Stërmasi e sa e sa të tjerë. Në atë numër patriotësh përfshihen madje deri mbi 15 hoxhallarë mjaft të arsimuar si teologë. Tiranasit, që kurrë nuk i shërbyen administratës turke, i shtrinë aktivitetet e tyre patriotike deri në çetat e Mirditës e të Dibrës si dhe në komitetet e posaçme në Delvinë. Pyetjes se sa patriotë janë tiranasit, dikush ju përgjigj në mënyrë simbolike: “Mjafton të përmendësh Him Kollin që, në kohë të Turqisë, kur punonte tokën, mbi pendën e qepe vinte flamurin shqiptar”. Këtë
akt të bukur, më vonë e ndoqën edhe Ibrahim Reli e të tjerë.

Pikëpamjeve patriotike i kanë shërbyer edhe parti e shoqata të ndryshme të ngritura për këtë qëllim. Pasi Hyrjeti i shpallur më 1908 nuk mbajti premtimet e dhëna, në Tiranë u formua Partia Shqiptare” me karakter nacionalist, objektivi i së cilës ishte çlirimi i vendit. I rëndësishëm ishte edhe klubi i mirënjohur “Bashkimi” (1908), i kryesuar nga Refik Toptani e që vepronte në shtëpinë e Murat Toptanit. Ishin patriotët tiranas, ato që shpallën pavarësinë që më 26 nëntor 1912, d.m.th., dy ditë para 28 nëntorit dhe që kishin kontribut të rëndësishëm edhe në aktin e madh të pavarësisë.

Më tutje, ishin dyqind tiranas që, nën komandën e Seit Toptanit, shkuan më 1920 në Vlorën kreshnike dhe ishin po tira- nasit ata që me guxim i thanë komandantit serb: ”nuk ju duam, jemi shqiptarë”. Për të gjitha këto, edhe në situatat e ndryshme të krijuara pas shpalljes së pavarësisë, tiranasit provuan persekutimet dhe keqtrajtimet. Mbi 40 prej tyre si, Hysni Dalliu, Myslym Llagami, Musa Maçi, Xhaferr Kondi, Rexhep Rada, Mehmet Shehri, Llazar Shapatini e të tjerë, për tetë muaj rrjeshfu mbajtën të burgosur në Durrës. Disa prej tyre, burgun e patën kaluar edhe më parë, në kohë të Turqisë. Nga mjaft të internuar në Itali, gjatë viteve 1914-1915, kishte edhe tiranas.

Tradicionalisht e në mënyrë masive, sikurse edhe në krahinat e tjera, tiranasit kanë ngritur në shtëpitë e tyre flamurin kombëtar gjatë ditëve të festave.

Krahas karakterit patriotik të tiranasve, është mjaft i njohur edhe ai arsimdashës, si burim i domosdoshëm dhe i nevojshëm i kulturës. Refik Toptani, kryetar i Xhemijetit të atëhershëm (një lloj organi para shpalljes së pavarësisë), më vonë edhe pjesëtar në Kongresin e Manastirit, i dha porosi shkollave të Tiranës: tri fillore djemsh, pesë vajzash, një ruzhdije dhe dy ortodoksësh, të mësonin edhe shqipen, çka u kundërshtua nga autoritetet turke. Propaganda për përdorimin e shkronjave latine është bërë deri te ritet fetare të të dy feve. Shkolla e njohur e Filip Ashikut, për myslimanë e të krishterë, ku ka dhënë mësim edhe Hafiz Dalliu, nisi më 28 nëntor 1898 (data përkon me atë të vitit 1443 të ardhjes së Skënderbeut). Për të, u përdor shtëpia e Osman Elezit (ku sot është Hotel ”Miniri”). Nga kërkimet e kryera në arshivat austriake, kanë dalë dokumenta se, shkolla e parë shqipe në Tiranë, është hapur që në vitin 1886.

Arsimimi i tiranasve vazhdoi pandërprerë, madje edhe në nivelet më cilësore. Deri para shpalljes së Pavarësisë më 1912, shkollën e lartë e kishin kryer të paktën 25 vetë; ndërsa deri në vitin 1944, madje kryesisht në vendet europiane, kishin shkuar për studime të larta pothuajse 200 vetë. Nga Tirana dolën mjaft personalitete madhore, prej të cilëve, vetëm për mjekësisë, po përmendim Shefqet Ndroqin, që luftoi tuberkulozin; Kadri Kërçikun, sëmundjet veneriane e mykotike; Sabri Tefikun, atë patolog të padiskutueshëm; Jorgji ]orgonin, pediatrin e parë në Shqipëri e deri më të riun, Mentor Petrelën, neurokirurgun e përmasave të veçanta, ”Profesor i universiteteve dhe i spitaleve të Francës” (1997). Nga këto breza të lavdishëm, kanë dalë më shumë se 170 intelektualë tiranas që mbajnë titullin shkencor profesor” ose “profesor i asociuar” dhe gradën shkencore ”doktor”.

Familja e madhe Toptani, që ka punuar e luftuar aq shumë për Shqipërinë, vlerat e së cilës janë errësuar padrejtësisht, ka disa ”rekorde”, madje të nivelit kombëtar. Nga 11 nënshkruesit e njoftimit për ngritjen e flamurit në Tiranë, më datën 26 nëntor të vitit 1912, tre ishin toptanas (Fuati, Refiku dhe Xhelali); gati 15 toptanas kishin kaluar nëpër burgjet dhe internimet e Turqisë. Deri në vitin 1944, prej kësaj familje, nga rreth 25 vetë që nisën arsimin e lartë, janë diplomuar gati 20 prej tyre.

Po nga ajo familje ka dalë Said Seremediu, studenti i parë shqiptar që shkoi në shkollat perëndimore (1846) dhe që po ashtu është lënë mënjanë. Si pjesëmarrës i revolucionit demokratik francez të vitit 1848, ai arriti shkallë ndërkombëtare, ngriti në Paris flamurin e fitores mbi Panteon.

Murat Toptani, biri i tij, ky rilindës i shquar dhe i internuar katër herë nga turqit, ishte nënshkrues i Dokumentit të Pavarësisë dhe anëtar i Pleqësisë së zgjedhur atje për ndihmë të qeverisë, vjershëtor e skulptori i parë shqiptar. Abdi Toptani, nënshkrues i dokumentit të Pavarësisë, ministër i financave në qeverinë e Ismail Qemalit (1912) dhe koleg i Luigj Gurakuqit, ishte personaliteti më i spikatur që, më 1919, kërkonte integritetin e plotë të Shqipërisë. Ai ishte një nga katër anëtarët e Këshillit të Lartë të zgjedhur në Kongresin e Lushnjes (1920). Nga kjo familje është edhe i pari doktor shkencash shqiptar, Ihsan Toptani, që, më 1940, kreu me sukses në Austri, doktoratën me temë ”Mendime (opinione) ekonomiko-ushtarake kontradiktore lidhur me drejtimin e politikës gjermane të tregëtisë së jashtme përpara luftës së dytë botërore”. Po prej kësaj familje, Qemoran Toptani, e njohur me emrin Lona, duhet të jetë femra e parë shqiptare e diplomuar në mjekësi. Nga nëntë djemtë e Muratit, gati të gjithë kryen arsimin e lartë. Prej toptanasve është edhe ”Nëna Mbretëreshë”, e ëma e mbretit Zog I. Gjeni një familje tjetër të këtyre përmasave, sa sasiore aq edhe cilësore, sa patriotike aq edhe të kulturuar. Madje, për të gjitha këto vlera, vetë emri i saj mund të përdoret si simbol i arsimit të lartë në Shqipëri. Mos të shqetësohemi, ka një precedent mjaft të bukur; megjithëse jopublik, ai është Universiteti “Luarasi” dhe po në Tiranë.

Me që jemi te familjet, Aleksandër Hobdari duhet të jetë modeli dhe pionieri i industrialistit kapitalist shqiptar. Angazhimi më madhor i tij është organizimi në Tiranë i Shoqërisë Industriale Tregëtare Anonime ”SITA” e viteve 20-të, me 500 aksionerë kryesisht nga Tirana dhe me kapital 2.500.000 franga shqiptare. Kjo shoqëri kishte një statut edhe për sot mjaft modern, me një administratë model e shumë bashkëkohore dhe me parim rrotacional të drejtimit të saj. Paguante deri në 14 muaj rrogë në vit dhe konsideronte sigurimet shoqërore. Falë personalitetit të Aleksandrit, në vitin 1926, ai mundi të riorganizojë edhe Dhomën e Tregëtisë së Shqipërisë. Ishte konsull i nderit për Japoninë dhe për Austrinë. Për të gjitha këto vlera, emri i tij ndodhet në Enciklopedinë “Who is it” të vitit 1935 (fq. 459).

Me këto forma efektive të zhvillimit të një vendi, aksionerët tiranas ishin të pranishëm edhe te shoqëria STAMLES, me qendër në Durrës, e deri te Banka Kombëtare e Shqipërisë. Nuk ishte e rastit që, falë mentalitetit të kulturuar të këtij populli, në Tiranë dhe nga tiranasi Dhimitër Voilla, u hap edhe kinemaja, një tregues i rëndësishëm i kulturës. Kjo ndodhi në vitin 1922, në kopështin e Hotel ”Liria”. Madje po në Tiranë, pas kësaj ngjarje, filloi edhe kinemaja e mirëfilltë. Më 1925, Nikolla Hobdari, Xhuf Koljaka, Ferit Vokopola e të tjerë krijuan shoqërinë e parë kinematografike në Shqipëri, megjithë refuzimin e qeverisë për të mos krijuar lehtësitë e rastit. Si lokal u përshtat një sallë e ndodhur në Pazarin e qytetit. Më 1930, të gjitha aksionet e saj iu shitën Jusuf Beshirit dhe vëllait të tij, Hysenit, të cilët më vonë  ndërtuan edhe kinemanë e atëhershme ”Rex”, e cila më tutje u quajt ”Nacional”. Kjo vepër e rëndësishme kulturore, për para- metrat e saj bashkëkohorë, përbënte një ”rekord” më vete. Më tutje, u çelën degët e veta në Durrës, Shkodër, Kavajë, Gjirokastër, Vlorë etj.. Edhe prej vitit 1946, kjo kinema, e shtetëzuar dhe me emrin politik të saj ”17 nëntori”, mbajti peshë të rëndësishme për këtë degë të artit.

Duke vazhduar me ”rekordet”, a e dinë të gjithë se, cili është rektori i parë i Universitetit të parë Shqiptar, Universtitetit Shtetëror të Tiranës të hapur më 1957. Është një tiranas 24 karat, po ashtu si edhe emrat e tjerë për të cilët u fol më lart, është i nderuari dhe i ndjeri Zija Këlliçi, pinjoll i një familje të njohur, të kulturuar dhe patriotike. Pa dhënë argumente të tjerë, Universiteti Politeknik, i dalë nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, me plot meritë mund të marrë emrin ”Prof. Dr. Zija Këlliçi”, personalitet i shquar, inxhinier, pedagog, shkencëtar dhe akademik. Kushërira më e hershme e tij ishte Alije Këlliçi, e bija e Mytesimit, patriotit dhe teologut me bindje demokratike proeuropiane e që ngriti krye kundër dokeve dhe zakoneve patriarkale, luftëtar i vendosur për Pavarësinë e Shqipërisë, pjesëmarrës i rretheve patriotike që më 26 dhe 27 nëntor 1912 ngritën flamurin kombëtar në Tiranë dhe në Kavajë. Alija u bë mësuese e shqipes në moshë fare të re, në kohën e okupimit austriak. Para saj, kishin dalë mësuese edhe vajzat e Musa Maçit dhe të Hasan Mehmetit. Sot, të gjitha ata përfaqësojnë emra të njohur të arsimit tonë. Po rektori i parë i Universitetit të dytë në Shqipëri?. Përsëri një tiranas, Prof. Dr. Gëzim Karapici.

Mund të vazhdojmë edhe me të tjerë, me shkencëtarin“ dhe patriotin Osman Myderrizi, njeriun që u shqua si gramatikan, leksikograf, studiues i teksteve të vjetra shqipe dhe historian etj..