Vila në rrugen Hoxhë Vokrri
Vila në rrugen Hoxhë Vokrri

Tridhjetë lekë të vjetra në vajtje dhe tridhjetë në kthim. Të mbledhura shuk në dorën grusht që djersitet nga shtrëngimi prej frikës se mos humbasin. Udhëtoj në autobuzin fizarmonikë  me njerëzit ngjeshur si në kuti sardelesh e që lëkundet si në një det plot tallaz, rrugës për në Tiranë. Pothuajse çdo të shtunë, me dëshirën e një peshku që sapo ka dallë nga kutia konservë e hidhet me not të lirë, ndër rrugët e gjëra të kryeqytetit, thith me flegrat e hundës ajrin e pastër si një kërcim balerin, duke i thënë vetes gëzohu,  se në këtë moment, ndër këto rrugë je një e panjohur.

Askush të njeh apo më saktë askush të kontrollon. Nuk do të të ndjekin sytë gjarpërues të grave që takon në rrugë e të pyesin ” ku po shkon”. Nuk do të të kontrollojnë  sytë dinakë të djemveqë duan të dijnë se kujt zemre i ke dhënë fjalën. Ndërsa ec e lirë dhe shpengueshëm, ndjej muskujt që çlirohen, trupin që drejtohet, flokët që vallëzojnë nën ritmin e erës, sytë që kërkojnë të përpijnë si një shkrepje fotografike rrugët, pallatet, lulishtet, dritat dhe së fundi njerëzit që bisedojnë çlirët.

Ndjesia që provon të jeshe panjohurmë ka joshur përherë. Është si një shenjë prove që ti i vendos Unit tënd rebel , atij uni që kërkon ta ndërtosh natën, fshehur në fantazitë e dëshirave dhe në momentin kur iqëron lëkurën dhe e zhvesh, e nxjerr në pah dhe pret kurioz si do reagojë. Vallë do dijë të ndryshojë diçka?

Këmbët më shtyjnë drejt një rrugice më se të njohur. Përgjatë saj, ngrihen avllitë e bardha që fshehin shtëpitë një katëshe me oborret nga zhurmojnë zërat e fëmiijëve. Ata zëra përplasenpas mureve si topi që vërtisin nëpër duar e kapërcejnë oborret e brëndshme sinjë takim të fejuarish. Afrohem pranë  derës së hekurt në krye të rrugës dhe shtyp tre herë butonin që paralajmëron se po vjen një i familjes. Qeni me të cilin nuk arrita kurrë të gjejmë një gjuhë të përbashkët, fillon lehjen si një  gozhdë që mbetet ndër dhëmbët e sharrës. Vetëm në atë çast ndjej zemrën që përshpejton rrahjet nga frika e vështrimit kërcënues të tij, ndërsa dikush i ve hallkën e zinxhirit në fyt për ta lidhur. Ka të drejtë  që më ka inat i them vetes, këtu ku fillon liria jote, mbaron ajo e tij.
Dy puthje në faqe, përshëndetem dhe e lumtur hedh vështrimin nga vila. Është shtëpia më e bukur që njoh, e ndërtuar rreth viteve 40′.

Në dy krahët e shkallëve janë vendosur vazot me borzilokqë me aromën e tyre të  mbushin mushkritë. Vila italiane, siç e quajnë të gjithë, është e rrethuar me lule dhe pemë. Gjej gjithmonë një palë  shkallë druri të mbèshtetura në trungun e ndonjë peme, një palë gërshërë dhe një zë që të fton për të marrë një kokërrr pjeshkë. Luleboret hapin gojëzat e tyre drejt diellit e duket sikur ndukin qumështin që ju vjen nga rrezet që përthyhen mbi petale. Ndërsa degët e hardhisë, zihen midis tyre duke konkurruar se cila prodhon vilën e rrushit më të mirë, ajo e rrushit vajgur që të sjell ndër hundë aromën e luleshtrydhes, apo e rrushit të bardhë moskat që e thërrasin rrush amerikan.

Ky prelud dashurie natyror pasi të jep kohë që ta shijosh, të merr për dore e të fton drejt dhomave të gjera e të larta të vilës. Dyshemeja me pllakat e ngjyrosura në forma trapezi të le përshtypjen e një kuadri të marrë nga kështjellat franceze, që syri ti ndesh në ndonjë film. Kjo i jep shkas imagjinatës që ta mendosh veten në një sallë kërcimi ku pret njeriu i ëndrrave të tua, veshur me frak. Dritaret e larta të drejtojnë vështrimin nga shkëmbinjtë e thepisur të Dajtit, nga ku lind dhe perëndon dita. Pranë, qëndron kafazi i kanarinave që kompozon e të përkëdhel çdo mëngjez me nga një këngëz të re. Mëngjezi të sjell ndër hundë aromën e simiteve të porsa blera lyer me gjalp dhe të kuqin e vezës që skuq në filxhanin e kafesë.

Dy gllenjka qumësht e më pas, hapat të drejtojnë drejt shkallëve të ngushta që zbresin tek dhomat e shpirtrave të fjetur, ( atë emër i dhamë mbasi lexuam Alendje) në kërkim të librave dhe sendeve të vjetra. Njëra nga shpirtërat që jeton aty, quhet Leze. Shpirti i shtrigësqë thirret në ndihmë, merr jetë dhe formë aq herë sa nevoja e kërkon, kur femijet nuk i binden tonit urdhërues të të mëdhenjve. Gjatë verës kur zhegu të pjek si tjegull, fle mbi një minder aty në bodrum, që supozohet që të jetë i Lezes gjatë natës. Në gjumë i kërkoj ndihmë që të më sjellë pranë shpirtin e nënës, por nuk bindet. Siç duket edhe në qielll, shpirtrat e këqinj qëndrojnë në konflikt me shpirtrat e mirë.

Në këtë vilë, ardhja ime kthehet në një festë sepse mbledh të gjithë të afërmit që jetojnë përreth dhe shtrohen tavolinat. Praktikisht, festa është pothuajse femërore sepse mblidhen motrat me vajzat tek vëllai. Takim tradicional. Diskutimet bëhen të zjarrta dhe në dy orë ke mësuartë gjitha krushqitë dhe mëritë e reja të fisit.

I zoti i shtëpisë, vendos përparësen përpara, skenë pothuajse e rallë në ambjentet shtëpiake, burrë që zë brumë dhe shtron petët e byrekut, ndërsa bashkëshortja përgatit tortën me mollë nga më të mirat që kam provuar. Dimrit, pranë divanëve, mangalli djeg prush dhe thith avullin e çorapeve të lagura nga këmbët që shtrijmë për ti tharë.
Me kalimin e viteve,në vilë, mësova gjuhën e luleve dhe recetat sekrete të reçelrave.
Po ashtu,  ti gëzohesha krapit që vinte nga Shkodra dhe mënyrën për ti pastruar luspat nga kurrizi i tij.

Vila kujdeset dhe për mendimet. Nuk të lejon të shprehesh pa u menduar. Vihemi në provë kush shprehet më bukur. Këtu mësohet që njëshi është për të gjithë, e të gjithë janë për njëshin. Mjeti magjik apo ndërlidhësi është  biçikleta që lidh urë të gjitha udhëkryqet e Tiranës. Ndodh që ajo biçikletë kur nuk ndjehesh mirë, të shoqëron pa përtuar tek mjeku edhe në orët e vona të mbrëmjes.
Të gjithë e njohin si vila e kujdesit për dashurinë.

Kanë kaluar mbi 15-vjet. Në katin e tretë të pallatit 10-të katësh, ndërsa mbi tavolinë vendosen fruta dhe ëmbëlsira për të festuar vizitën time pas kaq kohësh mungesë,
syrin e rrëmben pamja enjë tablloje në vajtë vendosurmes dy të tjerave. I afrohem. Është vila e bukur e fëmijërisë që sot nuk është më.
Mbi mollëza rrëshqet loti që djeg.

Burimi: albmendimiarts.com

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.