Veli Rada
Veli Rada

Veli Rada lindi në Tiranë më 23 shkurt 1942. U aktivizua fillimisht në Lëvizjen Amatore Teatrore të qytetit. Aftësitë e shprehura në fushën e komedisë dhe të humorit e çuan vetiu drejt studimeve të larta për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve, dega e Dramës. Pas mbarimit të tyre, në vitin 1983, filloi punë si aktor në Estradën e Tiranës, ku punoi për plot 35 vjet. Ka luajtur shumë role në estradë, edhe pse ai u diplomua për dramë. Komeditë, skeçet, monologët, kupletet dhe disa zhanre të tjera të humorit ishin dhe do të mbeten pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij.

Veli Rada

Prirja e Veli Radës ishte kryesisht për të ravijëzuar karaktere personazhesh me natyrë disi nervoze, njerëz prepotentë, drejtues e administratorë burokratë, politikanë ekstremistë etj. Ai ka qenë një aktor që kryesisht përdorte gjeste të prera dhe një të folur “të ashpër”, duke shfrytëzuar me sens komik edhe dialektet, e sidomos zhargonin e labërishtes, atë të minoritetit grek etj.

Veli Rada dhe Fadil Hasa

Përveç roleve në estradë, ai ka dalluar edhe në komeditë: “Tre dhëndurët”, “Lezeti i kolltukut dhe krevatit” apo “Revolja e humbur” në rolin e hetuesit, me të cilin krijoi figurën e dhunshme e dinake të nëpunësit të sigurimit të shtetit në periudhën e diktaturës. Roli si kushëriri i parë i Edlirës në filmit “Stola në park”, është gjithashtu i njohur për publikun e gjerë. Ndërsa në futboll, ai u bë ekspert për komentimin e ndeshjeve të Tiranës, por edhe të Kampionatit Europian apo Botëror.

Pas viteve ’90 Veli Rada u përfshi edhe në politikë. Ai ka kontribut në Partinë Demokratike, ndaj edhe u përcoll në banesën e fundit me nderime nga ish-lideri i kësaj partie, Sali Berisha, kryebashkiaku Lulzim Basha e personalitete të tjera nga PD-ja.

Në vitin 2013 ai u nderua nga bashkia e Tiranës me titullin “Mirënjohja e kryeqytetit” si dhe nga Presidenti i Republikës “Mjeshtër i Madh”

U nda nga jeta më 27 Dhjetor 2014

Marrë me shkurtime nga: Panorama.com.al, intervista e Elisabeta Ilnica me vajzën e artistit Veli Rada