Familja Hobdari: Në vitin 1850, familja Hobdari u vendos në Tironë. Njëri nga djemt, Alqi ose Nikoll Jani Hobdari, pasi mbaroi uniken dhe shkollën e mesme gjimnaz grek në Durrës dhe më pas, shkollën profesionale dy vjeçare në Athinë, në degën e Industrisë së Lehtë, bashkë me dy Vëllezërit e tij, Aleksandrin dhe Jorgjin, filloi aktivitetin në fushën e Industrisë së Lehtë. Ata me kushërinjtë Hobdari në vitin 1914, ngritën fabrikën e parë të sapunit. Më 1916, në Durrës, instaluan mullirin e parë të blojës me fuqi motorike.

Më 1918 ngritën një fabrikë të vogël për prodhimin e akullit, ku punonin 7 punëtorë e prodhonin 7 kuintalë akull në ditë, si dhe një fabrikë tjetër për prodhimin e pijeve freskuese. Në vitin 1925, me iniciativën e Aleksandër Hobdarit, Vllasi Dovanës, Jusuf, Hysen, Tahir e Halil Beshirit, vëllezërve Qosja, dhe disa aksionerëve të tjerë, ku mund të përmend Haxhi Shehun, Sotir Dushin, Ali Veliun, Ismail Qorrin, Josif e Kostaq Papariston, Llambi Manon, Kristaq Ristanin, Ali Hashon, Telemak dhe Krisanthi Qirkon, Petro Spiru, Perikli Spiru, Besim Tugun, Jashar Zeraliun, Nedha Bimblin, vllezërit Bakiri, Mynyr Zaraliun, Mehmet Demirin, e shumë të tjerë nga Tirona, Durrësi dhe qytete të tjerë të Shqipërisë, u themelua shoqëria e parë aksionere anonime ”STAMLES”, për monopolin e letrave, shkrepses dhe duhanit, me kapital fillestar 186.000 franga ari, e ndarë në 186 aksione, të cilën, deri në vitin 1927, e drejtoi Aleksandër Hobdari. Në vitin 1927, Aleksandri mori iniciativën për themelimin e Shoqërisë Aksionere ”SITA” (Shoqëri Industriale Tregtare Anonime), aktiviteti i së cilës ishte ndërtimi në Tironë i një centrali të fuqishëm elektrik, për furnizimin me energji të kryeqytetit.

Ai bashkëpunoi me patriotin tironas Musa Vathin. Çentrali në fillim kishte vetëm 3 motorë nga 120 HP seicili, më vonë u shtuan dhe arrinë numrin 8. Nga këtamol, 5 motorë ishin prodhim i fabrikës austriake Gratz: 3 nga 120 HP, njëri 360 HP dhe tjetri 480 HP. Tre më të rinjtë ishin prodhim i fabrikës gjermane M.A.N: 2 me 715 HP dhe njeri 440 HP. Çentrali u ngrit në një ndërtesë, në krahun e majtë të rrugës së Durrësit, përballë gjimnazit “Qemal Stafa”, aty ku tani ndodhet Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore.

Shpronsimi i truallit kapi Shifrën 8528 franga ari, ndërsa ndërtimi nga shoqëria konçesionare shkoi 1.000.000 franga ari, në total 1.008.528 franga ari. Me 3 nëntor 1927, filloi ndriçimi i qytetit. Zoti K. Kotta preu shiritin kuq e zi. Administrata u vendos në shtëpine e petrelasve, në Rrugën “Mbretnore”. “SITA” mori në sipërmarrje dhe monopolin e prodhimit të kripës, në Vlorë e në Kavajë, si dhe monopolin e tregëtimit të shkrepses, duke e importuar nga Suedia. Po kështu,u hap dyqan për shitjen e paisjeve elektrike të importuara nga Gjermania, nëpërmjet firmës ”SIEMENS”.

Shoqëria u fuqizua së tepërmi. Asamblea e saj në vitin 1937 pranoi unanimisht se kapitali nga 1000000 franga ari që ishte aktualisht, do të shtohej deri në 2.200.000 franga ari dhe bëhej kështu më e forta shoqëri kombëtare.
Ajo parashikonte të ngrinte një stacion të madh hidroelektrik në Selitë, vepër që do të rregullonte problemin e ujit të pishëm.

Më 1928, po në Rrugën e Durrësit, vëllezërit Hobdari ngritën një kompleks të madh industrial, që përbëhej nga fabrikë për prodhimin e akullit; fabrikë për prodhimin e sapunit; destileri për prodhimin e alkoolit industrial nga misri; laborator për prodhimin e parfumeve me esenca të importuara nga firma gjermane ”Gurt Geroge” e Leipcigut, si “levando” dhe “Bergamo”, e që shiteshin me etiketa të shkruajtura në frëngjisht: ”Eau de Cologne Extra Fin”, “Tre Fin”, ”Angleise” dhe “Russe”, dhe linjë moderne për prodhimin e pijeve freskuese, duke marr eskluzivitetin e firmës gjermane “SINALKO”, me qendër në Dortmund.

Në vitet tridhjet, me iniciativën e Aleksandrit dhe bashkëpronarë Andon Beça, Spiro Papa dhe Niko Lezo, u ngrit linja për pastrimin kimik dhe larjen e teshave, që njihej me emrin fabrika “PASTËRTIA”, në Rrugën e Vjetër të Durrësit, tani Rruga Mihal Duri”, me shpenzime, që kapën shifrën 150.000 franga ari. Perandori i Japonisë Hiroito, më 20 prill 1932, dekretoi Aleksandër Hobdarin, Konsull Nderi të Japonisë në Tironë.

Po atë vit edhe Qeveria e Vjenës e dekretoi Konsull Nderi të Austrisë. Më 17 gusht 1935, Aleksandër Hobdari dha dorëheqjen si konsull nderi i Austrisë në Tironë dhe më 2 shtator, në vend të tij u emërua inxhinier Asim Abdurahman. Në vitin 1926 Aleksandër Hobdari riorganizoi Dhomën e Tregtis së Shqipërisë“”. Hobdarët në vitin 1932, i dhanë shtetit me qira ndërtesën në qendër të Tironës, përbri Hotel ”Tirona Internacional”, për të vendosur Bankën Kombëtare Shqiptare.

Tani aty ndodhet Qëndra Kombëtare BAHA’I. Lulëzimi i firmës Hobdari vazhdoi deri në vitin 1947, kur regjimi i Enver Hoxhës nxori ligjin për shtetëzimet. Deri vonë ndërtesa ku prodhoheshin pijet freskuese u përdor për prodhimin e çokollatave. Kështu mori fund ”Perandoria” e themeluesve të Industris së Lehtë në Shqipëri, kur largpamësia e Hobdarëve qëmdronte në perspektivën e qytetit.

Shkëputur nga libri “Tirona 1920-1944” me autor Spiro MEHILLI

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.