Kampionët 1969-1970
Kampionët 1969-1970

Kampionati i sezonit 69-70 ishte kampionati i 34 i futbollit Shqiptar, Tirona u shpall fituesja e këtij kampionati me një diferencë prej 6 pikësh nga vendi i dytë, që ishte Vllaznia e Shkodrës.

Tirona kishte në përbërjen e saj këtë grup lojtarësh: Bujar Tafaj, Bahri Ishka, Perikli Dhales, Pavllo Bukoviku, Josif Kazanxhi, Ali Mema, Petrit Nurishmi, Petraq Ikonomi, Gezim Kasmi, Arben Cela, Skender Hyka, Fatmir Frasheri, Niko Xhacka, Durim Hatibi, Luigj Bytyci, Osman Mema, Lulzim Shala, Tomorr Gjoka. Trajner: Myslym Alla.

Më poshtë po sjellim disa nga intervistat dhe opinionet e disa prej protagonistëve të kohës por edhe opinionistë dhe gazetarë të tjerë. – Venaliu

Trajneri Myslym Alla: Edhe këtë sezon Tirona e nisi me dëshirën që të siguronte për të katrën herë titullin kampion. Gjatë këtij kampionati, skuadra e rriti intensitetin e stërvitjes, kristalizoi edhe më mirë variantet taktike, dhe çfar është më e rëndësishmja “rrënjosi edhe më thellë dashurinë për ngjyrat bardheblu” dhe vendosmërinë për të fituar çdo ndeshje.

Më duket se në përgjithësi skuadra pati një rendiment konstant, ndonëse grafiku i ndeshjeve në disa raste shënoi edhe rënie ku u manifestuan disa të meta, këtë herë u pa një farë vetbesimi i tepruar dhe nënvlehtësim i kundërshtarit. Por në fazën e fundit të kampionatit skuadra u mobilizua më shumë dhe i kaloi këto me sukses, bëri një shkëputje të fortë nga rivalet e saja dhe siguroi titullin kampion me diferencë më të madhe pikësh nga kampionatet e tjerë.

N. Roshi: Fitimi i titullin kampion është një gëzim i madh për futbollistët e Tironës, aq më shumë që po ta marrim parasysh se numri i pretendentëve që luftonin për titull ishte më i madh. Kështu kampionati qe mjaft interesant dhe plot faza emocionuese.

Një meritë të madhe ka edhe futbollisti Skënder Hyka, i cili mund të themi se ka zhvilluar disa ndeshje shumë të bukura në takimet e fundit duke shënuar mbi 17 gola.

Skifter Këlliçi: Më duket se Tirona këtë vit e pati më të vështirë, sepse në çdo ndeshje edhe në ato që mund të quhen të dorës së dytë luftoi me këmbëngulje, ngaqë të gjitha skuadrat luftuan denjësisht për ti shkëputur pikë skuadrës kampione.

Kështu le të marrim shembull ndeshjen e dytë të Tironës me Partizanin apo dy ndeshje të saja me Dinamon dhe Skënderbeun e Korçës. Duke ruajtur gjakftohtësinë deri në minutën e fundit. Duke ruajtur distancën dhe duke përforcuar pozitat në krye të klasifikimit.

Fatmir Frashëri: Që të mundësh kundërshtarin duhet të derdhësh djersë, të luftosh gjatë ndeshjes pa e ulur ritmin. Kjo arrihet vetëm me përgatitje fizike. Më duket se skuadra jonë e bëri mirë këtë. Gjatë grumbullimit veror, ne veç të tjerash luajtëm edhe në rërë të ngjeshur dhe të shkrifët, me ngarkesë të dyfishtë për të rritur rezistencën, bëmë eskursione të gjata malore si dhe pregatitje speciale.

Gjatë kampionatit kombinuam më mirë pregatitjen fizike me variante taktike dhe teknike të skuadrës. Sidoqoftë kjo nuk mjafton. Mendoj që pregatitja fizike të bëhet mbi baza më shkencore. Pranë skuadrës mund të punojë për shembull edhe një mjek fiziollog si ndihmës i trajnerit në stërvitjen e gjithëanshme fizike.

Enver Shehu: Unë jam i mendimit se nuk mund të kuptohen cilësitë e mira të një ekipi pa qenë i pregatitur nga ana teknike dhe taktike. Një lojtar i pregatitur mirë fizikisht nuk vlen vetëm të vrapojë pa qenë në gjendje të zgjidhë në fushë të gjithë situatat e ndryshme tekniko-taktike. Mendoj se këtu ka qenë edhe suksesi i jonë.

Por është e vërtetë se një skuadër pa pregatitje psikologjike pa nerva të forta, sado me eksperiencë të jetë e ka të vështirë. Harmonia, mirëkuptimi, dashuria për njëri tjetrin ka qenë karakteristike për ekipin tonë edhe në minutat më të vështira të ndeshjeve më të rëndësishme.

Loro Boriçi: Unë e përgëzoj skuadrën e Tironës për arritjen e këtij suksesi. Më duket se merita e skuadrës qëndron tek rendimenti i njëjtë në çdo ndeshje. Në krahasim me kampionatet e tjera skuadra e Tironës këtë vit titullin kampion e realizoi me mobilizimin e tij gjatë gjithë kampionatit, pa patur nevojën e ndeshjes përfundimtare direkte.

Ekipi ishte i pregatitur mirë, taktikisht dhe sidomos psikologjikisht. Uroj që lojtarët e Tironës të kenë sukses edhe në ndeshjet e ardhëshme ndërkombëtare sidomos në ato të kupës së kampioneve të Europës.

Artikulli publikohet për herë të parë në faqen Tirona dhe online, fragmente intervistash dhe opinionesh të mbledhura nga gazetat e kohës.

Përgatiti për faqen Tirona: Olsi S. Ferazini