Tirona e Kurioziteteve – Ne kujtimet e mesuesit Cen BYLYKU
Tirona e Kurioziteteve – Ne kujtimet e mesuesit Cen BYLYKU

Duke shkruar për të gjitha fushat e jetës dhe të dijes për Tironën dhe tironasit, midis tyre Cen Bylyku ka paraqitur edhe një sërë kuriozitetesh të Tironës.

Një e tillë është për Xhaminë e Ethem beut: “Ju ndoshta nuk e besoni, por unë e kam parë me sytë e mi kur isha kalama. Kjo xhami në majë të minaresë kishte një tepsi të madhe prej bronzi të verdhë të pastër.

Ajo, në mes, kishte një birë të madhe dhe mjeshtërit kur e mbaruan xhaminë e vendosën këtë tepsi në majë të minaresë, që po të kishte nevojë xhamia për ndonjë riparim të madh e hiqnin dhe e shisnin. Ishte prodhuar në Turqi dhe kishte një vlerë të madhe. Në verë nga çdo anë e Tironës shihej shkëlqimi i saj dhe nga rrezet e diellit dukej si një flakë e madhe në qiell. Më 29 nëntor 1912 kur serbët pushtuan Tironën, deshën që ta grabisnin, por nuk mundën që ta hiqnin. Kur austriakët i përzunë serbët nga sytë këmbët, një dimri me shkreptima, rrufeja goditi minarenë e xhamisë duke e rrëzuar. Shyqyr që nuk ndodhi njeri brenda.

Gjenerali austriak urdhëroi xhenjerët e tij që ta riparonin minarenë e xhamisë dhe hajatin. Ata e bënë më të bukur nga sa ishte. Populli u gëzua shumë dhe i donte austriakët dhe ata neve na kanë dashur. Për falenderim, Myftiu i Tironës i fali gjeneralit austriak tepsinë e madhe, i cili e çoi në Vjenë për të bërë një këmbanë kishe. Austriakët në Tironë hapën një qendër sanitare, ku njerëzit kuroheshin falas nga mjekë ushtarakë”.

Me ngjyra të gjalla flitet në shënimet e Cen Bylykut për  dasmën tiranase, për zhvillimin e saj, për këngët, ritet etj. Dhe midis të tjerave flitet se si i thuhej vajzës kur afronte dita e dasmës: “Me t’u afruar dita e caktuar e dasmës duhej lajmëruar goca. Ajo nuk di gjë fare. Prandaj një çun i vogël caktohet që ta lajmërojë. Ai i hedh mbi kokë një shami duke i thënë: “Qaj moj e shkretë se të kemi dhënë burrë filanin, birin e filanit”. Me të dëgjuar këto fjalë vajza qante dhe vajtonte me të vërtetë. Po kështu qajnë e ëma dhe gratë e tjera. Tani, që nga ky çast goca mënjanohet dhe banon në një dhomë më vete. Asaj i vijnë shoqet që ta shoqërojnë dhe ta ndihmojnë në këtë hall që i ka rënë. Ndonjë grua e pjekur i flet dhe i tregon për gjëra të fshehta që tanimë e reja duhet t’i dijë.

Paja renditet, vajza hazëron dhe bën gati teshat”.

Po kur ndonjë grua nuk lind dhe ndonjë vajze nuk i del fati?

“Në Tironën e vjetër, gratë që nuk lindnin dhe vajzat që akoma nuk e kishin gjetur fatin e tyre, largoheshin nga qyteti pa aguar, në drejtim të Bathores. Na Bathore kishte një burim që ujin e kishte të bekuar. Sipas besimit të vjetër, ky uji kishte një fuqi aq të madhe, saqë me të larë fytyrën, duart dhe këmbët me të, atëherë një për një gruaja do të lindte dhe vajza do të martohej.

Porsa dilte dielli gratë shterpë dhe vajzat që nuk ju kishte dalë fati, domosdo duhej të ishin pranë burimit. Duke u larë dhe
shpëlarë ato thoshin:

Du një çun trim
Të bukur, të kulluar
Si ujin tënd…

Vajzat nga ana e tyre ja prisnin:
O burim, o burim
Më jep një burrë trim
Të pashëm, të bukur, të urtë
Si guriçkat e tu…”

Po lojërat argëtuese më të spikaturat, cilat kanë qenë“? Si argëtoheshin tironasit?

“Si lojëra argëtuese në Tironë kanë qenë lojërat popullore, kala dibrançe, shkopaeingli etj. Mjaft popullore kanë qenë ndeshjet e
patave dhe të gjelave të detit. Të dy kundërshtarët paraqisnin tufën e patave, kryesuar nga një patok në shesh dhe aty mblidheshin shumë njerëz. Nuk vononte dhe patokët përlesheshin, kurse patat ndihmonin me britmat e tyre. Këto ndeshje vazhdonin me orë. E njëjta gjë bëhej me gjelat e detit”.

Po është edhe diçka për të cilat Cen Bylyku flet me hollësi. Dhe këto janë varrezat e vjetra

“Një nga karakteristikat e Tironës së vjetër kanë qenë varrezat e përhapura kudo. Pranë çdo xhamije dhe teqeje kishte varreza.
Xhamija e vjetër rreth e rrotull kishte varreza. Ishin varrezat e para të qytetit. Siç e thamë qyteti ka qenë plot edhe me teqe, midis të cilave ishin varrezat e shelerëve si teqeja e Kubatit, teqja e sheh Abdurahman Harasanit, teqja eBaba Selman Shopës, teqja e Sheh Ahmet Pazarit, teqja e Sheh Muharremit etj.”. Me sa ngjyra të gjalla jepen të gjitha këto. Në kavaletin e ngjyrave të mjeshtër Cen Bylykut, triumfojnë ngjyrat e jetës.

Cen Bylyku e do Tironën e tij ashtu si është, natyrore dhe të shëndetshme, të bukur dhe të pastër, të gëzuar dhe me gjelbërim.

Dhe ashtu mbeten në kujtesë këto shënime të arta dalë nga një zemër e madhe dhe bujare, skalitur nga valët e detit të kohës, nga shtrëngatat e moteve.

Dhe në fund si epilog të vogël të kurioziteteve të Tironës edhe një episod kuptimplotë:

“Në fund të vitit 1918, pas Luftës së Parë Botërore. Tironën  e pllakosi uria. Refik bej Toptani, me shpenzimet e veta hapi një furrë ku furnizoheshin familjet e vjetra çdo ditë me dy okë bukë misëri të ngrohtë dhe gjysmë oke djathi, pa asnjë para deri sa kaloi uria. Ata i pajisi me disa teneqe të vogla, të rrumbullakëta, me numër”. Populli i Tironës pas kësaj nuk e thirri më Refik bej Toptani apo me emra boshë si “naltmadhëri”, “pasha bej” ose “aga”, por me emrin që nuk ishte thirrur ndonjëherë ndonjë shqiptar, me emrin e lavdishëm “Buka e fukarasë”.

Këto kujtime të lëna në formë shënimesh nga Cen Bylyku, këto margaritarë të fshehur në mjegullën e kohës dhe që ne jemi të lumtur që po i shfaqim, janë në të vërtetë një poemë e fuqishme atdhetarie në këtë 100 vjetor të pavarësisë. Në këtë mënyrë Cen Bylyku simbolizon intelektualin patriot dhe qytetar të dalë prej popullit të Tironës.

Cen Bylyku bashkë me Asdrenin përfundon:
Koha kalon. Asgjë mbi dhe nuk jeton përgjithmonë
Si trashëgim ju lëmë shpirtin tonë…

Nga ftohtësia dhe kallkanëzimi i dimrit, mes flokëve të dëborës dhe brymës krijohen stalaktitet, dëshmitarë dhe lapidarë të brishtë të një dimri të madh dhe të ashpër. Kështu ka ndodhur edhe me Tironën e sidomos në historinë e saj pas dimrit të madh më se gjysmë shekullor të diktaturës në Shqipëri. Por përsëri nga kjo ftohtësi shpesh vdekjeprurëse, jetëshuese-kombshkatërruese vijnë kujtimet si stalaktite që pikojnë buzë shkëmbinjve të ashpër makthin e dhimbjes.

E më thellë në histori. .. Në arkivin e Cen Bylykut është edhe  një roman i shkruar nga atdhetari i shquar tironas. Relik Toptani. Kur shkruan mbiemrin e vet ky patriot, anëtar i këshillit të lartë të shtetit pas Kongresit të Lushnjës, mbiemrin e shkruan Topias, e ndoshta me të drejtë.

E ne, tek lexojmë këtë roman të shkruar në fillim të viteve njëzetë të shekullit të kaluar, shohim se ky roman një nga romanet e parë shqiptar, ende i pabotuar flet për një zemër dhe shpirt që e njeh Tironën nga lartë e poshtë, shtëpi më shtëpi e pus më pus e ky roman është një poemë për historinë e Tironës, për dhimbjet dhe dashuritë, për guximin dhe shpresën.

Familja Toptani që ka nxjerrë një piktor dhe poet si Murat Toptani, mund të mburret me të drejtë se ka nxjerrë edhe një nga romancierët e parë shqiptarë. E ky është atdhetari i shquar Refik Toptani, një nga aktivistët e parë të ngritjes së Flamurit në Tironë dhe në Vlorë. Romani i Refik Toptanit është edhe një epilog kuptimplotë për këto kujtime të Tironës së atëhershme.

Dhe kështu si rreth një tavoline, si rreth një sofre vigane vijnë këto kujtime të mësuesit të madh dhe të paharruar tironas, por dhe të hokatarit dhe të shpotitësit të stilit të Bualosë, Cen Bylyku. Dhe ashtu si arti i vërtetë që mbledh me mijëra dhe mijëra lexues, shikues apo dëgjues edhe këto kujtime plot art dhe jetë mbledhin në vetvete në sofrën e tyre të pasur plot begati të historisë, më mijëra dhe mijëra miq, të njohur dhe të panjohur, udhëtarë në udhëtim apo shtegtarë të lodhur dhe na thotë:

Pini nga kjo gotë e rubintë kujtimesh në nektarin e historisë. Shumë institucione mund të ligështohen dhe të korruptohen, por institucioni i kujtesës së familjeve shqiptare mbetet gjithmonë i pastër, i shëndetshëm, i bukur, i fortë dhe vital.

Sepse ashtu si arti i vërtetë këto kujtime brilante dalin vetvetiu nga zemra dhe pushtojnë zemrat, duke zënë fill nga një prag  rrugice plot emër të Tironës dhe pushtojnë të gjitha zemrat dhe të  gjitha rrugët. Ashtu qoftë. Dhe ne vazhdojmë të udhëtojmë me këto kujtime.

I hedhim në det
Dhe pastaj vite dhe vite pritjeje
Dërguesi në heshtje pret dhe pret
Atë jehonë perlë në përgjigje të kujtimeve.

Se historia e tillë është, duhet ta kthesh kokën, që të njohësh të kaluarën, të modelosh të sotmen dhe të projektosh të ardhmen.

Mor nga libri “100 Famlije Autoktone Tiranase” me autor Zenel dhe Donika ANXHAKU.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.