“… Vërtet që Tirana i meriton fjalët e mira dhe unë vetë kam parë pak qytete të tjera me kaq peizazhe të hijshme. Qysh në mëngjes, shëtisim rrugëve.

Konsulli i Italisë, me shoqëruesin e tij dhe me përkthyesin tim, më shoqëron dhe më çon së pari në xhaminë e madhe. Syri të zë një shesh të madh të shtruar me kalldrëm të gurtë ku kalojnë disa vijëza uji.

Anës tij, shtëpi të bardha fshehin ballët në portikët e tyre. Në fund mbi një ledh, duket xhamia me pesë hajatet e saj dhe bardhësia e kupolës. Në të djathtë, minarja shpon qiellin me majën e saj, dhe në majtë, veçuar nga xhamia, një kullë, si kambanoret e qyteteve tona të vjetra, lartësohet rreth pesëmbëdhjetë metra me sahatin dhe kambanat e saj… Ja një xhami tjetër, e vogël dhe e ulët, rreth së cilës zhvillohet pazari.

Kuajt e ngarkuar rëndë sjellin shalqinj të mëdhenj. Përgjatë lumit të vogël, tezgat janë nën çati të mjera që mbajnë shirat, mes të cilave janë tendosur copa të trasha. Djem dhe vajza të vogla argëtohen rreth këtyre barakave, disa llokoçiten në ujin e pastër, disa nëpër qoshet e dyqanit flenë përmbi thasë të mëdhenj, të tjerë punojnë me prindërit duke u thirrur njerëzve që kalojnë…”.

(Më gjerë: Gabriel Louis-Jaray, Në mbretërinë e re të Shqipërisë, përktheu Taulant Hatia, ASD-Studio, Tiranë 2006).
Burimi: Gazeta Shqip – Fatos Baxhaku

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.