Teodor Jorgoni
Teodor Jorgoni

Teodor Jorgoni ka lindur në Tironë më 15-5-1919, në një familje të njohur vendase e me aktivitet tregëtar. Po në këtë qytet, ai kreu edhe të gjithë formimin arsimor parauniversitar.

Me të gjitha potencialet e plotësuara, regjistrohet, në vitin 1939, në fakultetin e mjekësisë së Universitetit të Romës, por, për të, situatat politike të kohës nuk mundësuan mbarimin e studimeve. Më 1942, ai u kthye në Shqipëri.

Përveç disa punësimeve të rastit, pas çlirimit të vendit, Teodori takohet si mësues në Shkollën Pedagogjike të Beratit (1946-1948) dhe në Shkollën e mesme Mjekësore të Tironës (1948-1954). Prej këtij viti, ai nisi edhe plotësimin e studimeve të pambaruara universitare për mjekësi. Në vitin 1957, u diplomua ”mjek i përgjithshëm” në Institutin e Lartë Mjekësor të Tiranës, paraardhës i fakultetit të mjekësisë të UShT. Më pas, për një vit, duke punuar në Spitalin e përgjithshëm të Tironës, u specializua në profilin e pediatrisë, ku edhe vazhdoi gjatë të gjithë karrierës së tij.

Në vitin 1958, atë e transferojnë në Pogradec, ku, prej 9 gushtit, vazhdoi gjatë krejt karrierës së tij. Edhe pas daljes në pension në vitin 1984, Teodori jetojë po atje. Deri në vitin 1961. ishte shef i repartit të pediatrisë në Spitalin e qytetit, e më tutje, për 23 vjet, edhe drejtor i Poliklinikës. Në kuadër të këtyre detyrave, duke zhvilluar edhe propagandën profilaktike për mirërritjen dhe ruajtjen e shëndetit të fëmijëve, drejtoi njëherësh edhe shtëpinë e foshnjës (1958-1961).

Ky mjek i pasionuar i fushës së pediatrisë njihet si njeri i kontributeve të shumta. Kohën më të madhe e kalonte në spital, madje edhe shtëpinë e kishte dhe e ka po aty afër. Për rrethin e Pogradecit, ai ka kryer studime të rëndësishme mbi sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë e shkaktuar nga distrofia dhe rakiti (1959-1968) si dhe mbi depistimin e rakitit në çerdhet e qytetit (1978-1979).

Për këto vlera të Teodorit, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor (1984), ai është dekoruar me urdhërin “Për shërbim të mirë të Popullit”.

Ky tiranas i vjetër e ky njeri bujar, që dikur kishte qenë edhe futbollist me skuadrën e hershme tiranase “Agimi”, sport që e vazhdoi madje edhe kur ishte student në Itali, ka fituar tashmë simpatinë dhe respektin ndër të gjithë vendasit pogradecarë. Duke ushtruar profesionin e tij human, shpesh herë, fëmijëve të varfër i blinte edhe ilaçet. Për të, “Pasuria më e madhe është respekti i njerëzve të thjeshtë”.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.