Tenis Nallbani
Tenis Nallbani

Në të vërtetë fusha e parë e tenisit, siç thotë vëllai i Saliut, Abdullai, ka qenë pranë bibliotekës ‘Karnevon’ ku është sot kino Ali Demi.

Atje në fillim të viteve ’30, Saliu mori mësimet e para të tenisit nga një profesor francez i gjimnazit. Në vitin 1933 një suedez, konsull nderi i Shqipërisë në Stokholm, Franklin Gardlund, merr me shpenzimet e tij, një grup studentësh të gjimnazit ndërmjet të cilëve, përveç Saliut, ishin: Vedat Kokona, që me vonë shkroi librin nga Tirana në Stokolm, Sadik Kaceli, Xhemal Kallçiu etj.

Këtu Saliu zhvilloi ndeshjet e para dhe në sy të specialistëve të huaj ra talenti i tij, duke e thirrur në turne zyrtare. Kështu më 1934 në Stokholm del në finalen e kampionatit të studentëve duke zënë vendin e parë dhe duke fituar kupën që është kupa e parë e një sportisti shqiptar në arenë ndërkombëtare. Merr pjesë me sukses në turne të tjera në Berlin dhe Kopenhagen kudo me rezultate të shkëlqyera.

Sali Nallbani

Sali Nallbani

Në korrik 1935 në turneun ndërkombëtar të Stokholmit Nallbani korr një fitore të bujshme duke mundur në finale kampionin e Suedisë Kramer me rezultatin 7:5/8:6 duke fituar kështu kupën e madhe të argjendtë. Kampionin, tashmë ndërkombëtar, e përgëzoi për fitoren, edhe vetë Mbreti i Suedisë Gustavi i V-të (A. Basha: Sali Nallbani-shqiptari i parë që fitoi kupë ndërkombëtare. – Sporti Popullor 4,03,1991).

Këtu në këtë takim të rëndësishëm ndërkombëtar, i ngjashëm sot me takimet e mëdha ndërkombëtare, ushtoi hymni ynë kombëtar.

Nga ushtrimi i tenisit krahu i djathtë ishte dukshëm më i zhvilluar se i majti. Nga ana teknike zotëronte në mënyrë të barabartë të dy krahët si reverin ashtu edhe drajfin, kurse taktikisht ishte i përkryer, preciz në topat në të dy anët e fushës për të lodhur kundërshtarin. Ishte i aftë ta dërgonte topin në gjysëm m2 për 50-60 herë radhazi. Stili i lojës tij si edhe fiziku i tij më kujtojnë tenistin e madh suedez Lendel të disa viteve më vonë, numri 1 i botës për mjaft kohë.

Mbas vitit 1944 për takime ndërkombëtare as që mund të bëhej fjalë. Kështu mbas studimeve në Itali, Saliu që mund të ushtronte talentin e tij kudo në Evropë dhe kjo gjë iu afrua, kthehet në Shqipëri si shumë të rinj të tjerë, me idenë e fiksuar për zhvillimin e tenisit të tij të dashur duke sakrifikuar karrierën e tij sportive të shkëlqyer. Dy fushat e para u ndërtuan me përmasa ndërkombëtare me sistem drenazhimi në formë kurriz peshku dhe shtresa çakëlli e granili deri tek mbulesa me pluhur tulle të ngjeshur. Fushat rrethoheshin me tel të lartë dhe në mes tyre ishte një shatërvan e gjelbërim i përhershëm.

Frekuentuesit e parë të tenis “Nallbanit”, kështu i mbeti emri në kohë, ishin intelektualët e njohur të kohës: Isuf Vrioni, Abdulla Sheri, Hasan Meniku, Petro Konomi etj.. Tenis ‘Nallbani’ ishte një klub i vërtetë jo vetëm sportiv po edhe kulturor. Aty organizoheshin takime gazetarësh biseda kulturore e mbrëmje vallzimi. Nuk është e rastit që disa nga personat e përmendur më sipër ishin personalitete të kohës dhe për veprimtarinë e tyre përfunduan në burgjet komuniste.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.