Lagjja e Tabakeve 20-30

Pinjollët e Tabakëve rikthehen në mëhallën e dikurshme, ku dikur ishte Teqeja e Tabakëve, Tyrbja e Tabakëve, Hani i Tabakëve dhe Selvia shekullore në oborrin e shtëpive prej qerpiçi, të cilat janë shembur të gjitha. Historia e familjes që lidhet me Urën dhe Xhaminë e Tabakëve, treguar nga pinjollët e sotëm.

Rrapi i Tabakëve, Ura e Tabakëve, Selvia shekullore e Tabakëve, Hani i Tabakëve, Sheshi i Tabakëve, Teqja e Tabakëve, Tyrbja e Tabakëve, Xhamia e Tabakëve… Përveç urës dhe xhamisë, të gjithë toponimet e tjera të Tabakëve janë varrosur me një të rënë të planit për ndërtime të reja që nga vitet ’60 deri në ‘90-ën.

Por marka “Tabakët” në tironë nuk ka humbur. Madje pinjollët e Tabakëve i gjetëm në trojet e të parëve, ku sapo janë ribashkuar. Jo larg Urës së Tabakëve dhe përkarshi Xhamisë me të njëjtin emër. Pikërisht aty ku ka qenë Tyrbja dhe Teqeja e vjetër.

Ura e Tabakeve sot
Ura e Tabakeve sot

Tabakët e kanë rikthyer mëhallën e dikurshme, madje edhe dyqanet që sigurisht nuk quhen më Tabakhane. Trashëgimtarët e emrit të njohur i ruajnë ende të parët dhe të shkuarën në kujtimet e tyre. Një pjesë prej këtyre thjesht në formë gojëdhënash, të pashkruara askund. Por njëri prej pinjollëve të Tabakëve i ka përjetësuar shtëpitë e vjetra, tyrben, teqenë, selvinë në disa vizatime të para 50 vjetëve dhe i ruan me fanatizëm si dëshmi pamore të mëhallës së vjetër të Tabakëve.

Quhet Besim Tabaku dhe është skulptor e mësues në Liceun Artistik. Ai ruan përveç grafikave të kohës kur ishte vetë liceist edhe një mal me kujtime e gojëdhëna për rrënjët e familjes së vet. Në një ditar për përdorim të brendshëm nga pjesëtarët e familjes Tabaku, Besimi ka shkruar një pjesë të mirë të këtyre kujtimeve. Nga ana tjetër, Kasem Tabaku, 68 vjeç, më i vjetri pinjoll i familjes, i ruan të gjitha në kujtesë. Po ashtu edhe pinjollët e tjerë, Bashkimi, Burhani, Dhurata. Të gjithë rrëfejnë diçka nga kujtimet e tyre për familjen duke e plotësuar tablonë deri në detaje.

Gojëdhëna për emrin Tabaku që mori emrin nga Sheshi i Tabakëve e mandej qe pikërisht familja Tabaku, që nga ana tjetër ia dha emrin Xhamisë. Historia e hanit të Tabakëve, tyrbes dhe teqesë si edhe selvisë shekullore, asnjëra prej të cilave nuk ka mbërritur deri në ditët e sotme. Çezma dhe tubacionet që kanë zbuluar Tabakët së fundmi gjatë rrëmimit për ndërtimin e pallatit ku tani janë vendosur bashkë të gjithë djemtë e Abdyl Tabakut dhe pak më tutje trashëgimtarët e Selim Tabakut, që të dy djem të Sheh Kasem Tabakut, një nga të parët më të lavdishëm të familjes Tabaku dhe fetar me titull të lartë në atë kohë. Në mëhallën e Tabakëve Kasemi, 68-vjeçari që ka punuar si radioteknik në Repartin Ushtarak të tironës, ka jetuar në tokën e të parëve edhe gjatë regjimit komunist.

Megjithëse shtëpisë së tij iu afrua dy herë plani i ndërtimeve të reja të pallateve, ai mundi të ruante një pjesë të saj duke jetuar vetë në një dhomë të vetme të mbetur nga shtëpia prej qerpiçi, ndërkohë që ndërtohej pallati. Tabakët e tjerë u shpërngulën dhe vetëm një pjesë mori shtëpi në pallatet e reja që u ndërtuan aty ku më parë ishin shtëpitë prej qerpiçi të pronarëve të tokës.

Nga shtëpia e vjetër ka mbetur vetëm një pus, të cilin e kanë varrosur brenda mureve të ndërtimeve të reja që kanë bërë Tabakët së fundmi. Kasemi jeton në një shtëpi private të re dykatëshe së bashku me nuset, djemtë dhe nipërit e mbesat. Ai e mban mend mirë se aty ku tani është ngritur një pallat shumëkatësh dikur ishte Sheshi i Tabakëve. Mu aty ka qenë edhe një Han i madh. Por Hani i Tabakëve ishte më i vogël dhe ka ekzistuar sipas Kasemit deri në vitin 1953. “

I gjithë vendi ishte një qendër e rëndësishme sidomos për përpunimin dhe tharjen e lëkurëve”, – tregon Kasemi. Gjyshi i tij Sheh Kasem Tabaku ishte kryetar i Teqesë së Tabakëve dhe pas vdekjes u varros pikërisht në Tyrben e Tabakëve ku kanë qenë varrosur edhe 20 qyresh prej Tabakëve të parë. Vetëm varri i Sheh Kasem Tabakut është shpërngulur në Tufinë gjatë shndërrimit të mëhallës së vjetër në shesh ndërtimi për pallate të reja.

Eshtrat e pararendësve të tjerë janë tretur bashkë me tyrben nën pallatet e ndërtuara. Po ashtu edhe Teqeja e cila u prish në vitet ’60. Në këtë kohë u hoq edhe selvia e moçme që siç kujton njëri nga pinjollët e Tabakëve, Bashkim Tabaku, pedagog i matematikës në Universitetin e Kamzës, ishte e lartë sa minarja e xhamisë dhe “në trungun e saj jashtëzakonisht të trashë kam numëruar vetë njëherë 1200 rrathë me plus minus, që tregojnë për moshën tepër të vjetër të selvisë, e cila thirrej në atë kohë Selvia e Tabakëve”, – thotë Bashkimi. Edhe Besimi, skulptori i Tabakëve tregon për selvinë të cilën e ka ruajtur në vizatimet kohës kur ishte në lice ashtu si edhe shtëpitë prej qerpiçi të lidhura me shtylla druri.

Aty ka fiksuar edhe tyrben dhe teqenë për të cilat folëm. Besimi thotë se pikërisht aty ndodheshin edhe dyqanet ose Tabakhanet e të parëve, që janë marrë kryesisht me bujqësi në tokat përreth, për të cilat kishin sajuar një sistem ujitës, por janë marrë edhe me përpunimin e tharjen e lëkurëve.

Mëhalla e dikurshme e Tabakëve dilte sipas rrëfimeve të pinjollëve në urën e Tabakëve. “Lumi i Lanës atëherë nuk gjarpërohej në të njëjtin shtrat si sot. Ura e Tabakëve ka qenë goxha e thellë dhe nën të kalonte përroi i Lanës, që vinte afër mëhallës sonë. Duket se edhe pjesëtarët e familjes sonë kanë kontribuar për ndërtimin e kësaj ure ashtu si edhe banorë të vjetër të zonës. Por meqenëse ajo njihej si mëhalla jonë, atëherë kështu besojmë se i ka mbetur emri edhe urës e nga ana tjetër edhe Rrapit të Tabakëve ashtu si edhe Xhamisë”, – tregon Besimi. Sipas gojëdhënës Tabakët pretendojnë se gjejnë gjurmë në tironë qysh prej 500 vjetësh.

Mbiemrin Tabaku e shpjegojnë në lidhje me Tabakhanet ku thaheshin dikur lëkurët dhe me sheshin që mbante këtë emër e që me sa duket u është ngjitur familjarëve që jetonin aty. Ndërsa me xhaminë ka ndodhur e kundërta. Ajo e ka marrë emrin nga mëhalla e Tabakëve. Kjo mëhallë është rigjallëruar këto muajt e fundit ku janë rikthyer vëllezërit Tabaku së bashku me familjet e tyre dhe kanë çelur dyqane të reja si dikur në pjesën që u ka mbetur në mes dhe pas pallateve të ndërtuara kohë pas kohe.

Sëndukët

Disa sëndukë të vjetër janë të vetmet dëshmi nga e shkuara. Ndërsa Besim Tabaku, skulptori, ruan si një dëshmi materiale të së shkuarës edhe një pjesë tubi. Besimi pretendon se ai tub mund të shpjegojë se si vinte uji në çezmën e gurtë që dikur gjendej rrëzë shtëpive të Tabakëve dhe që ishte një nga të rrallat çezma në tironë pasi në atë kohë uji nxirrej ende nga puset dhe nuk kishte rrjete ujësjellësi.

Thotë se e ka gjetur pikërisht në drejtim me çezmën. Ndërkohë ai na shpjegon se për shkak se në Teqe gjatë kalimit të ushtrive zbarkonin ushtarët, shumë prej librave me vlerë dhe antikuarëve u zhdukën ndërsa një pjesë tjetër u vodhën gjatë shembjes për ndërtimet e reja. Vetë Besimi ka dorëzuar në Muzeun e Armëve të Gjirokastrës shtatë armë të vjetra që ruheshin në Teqenë e Tabakëve.

Publikohet per her t`par ne faqen TIRONA

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.