Xhamia e Sulejman Pashës
Xhamia e Sulejman Pashës

Sheshi i Sulejman Pashës në kryeqytet, mbart një histori të tërë paradoksesh ideologjike. Nga ditët e para të pasluftës së Dytë Botërore e deri më sot, ndryshimet urbane reflektojnë përplasje të thella botëkuptimore, ndërsa qytetarët tiranas, të detyruar, deri tashti kanë bërë sehir, si spektatorë të një loje pushtetesh të ndryshme në kohë.

Lufta e Dytë Botërore me mbarimin e saj la gjurmë të thella dhe të pashlyeshme në të shkuarën e kryeqytetit shqiptar, me rrënimin e njërit prej monumenteve më të rëndësishme arkitektonike, që mbartte mbi vete edhe datën e themelimit të qytetit. Gjatë luftimeve të muajve të fundit përpara largimit të ushtrisë gjermane nga Tirana u dëmtua nga bombardimet e ndryshme edhe Xhamia e Vjetër e Tiranës, një nga monumentet e kultit, shumë i dashur për të gjithë qytetarët tiranas pa dallim. Xhamia e Vjetër e ndërtuar nga Sulejman Pasha kishte asistuar deri asokohe në të gjitha hallet që kishin kaluar tiranasit. Luftëra për pushtet, përplasjet shoqërore aty në Pazar, hallet e pazarxhinjve, luftën për pavarësi dhe në sallën e faljes ka parë vizitorë nga më të ndryshmit e jo vetëm besimtarët që falen, madje dhe një perandor.

Aty ku ngrihej lart zëri i myezinit, po aty diskutohej edhe për hallet e përditshme njerëzore. Ndërkaq vjen një ditë kur njerëzit vënë dorë mbi këtë shenjtëri urbane dhe pas një lufte globale ky monument me vlera të mëdha jo vetëm arkitektonike dëmtohet rëndë nga bombardimet. Kanë dorë edhe vetë shqiptarët në dëmtimin e saj. Në mbarim të luftës, Tirana pësoi ndryshime drastike nga pikëpamja politiko-historike. Fatkeqësisht kaluam në Bllokun Lindor komunist, i cili do të kishte një ndikim me pasoja shkatërruese edhe për urbanistikën e kryeqytetit, i cili tashmë duhej të ndryshonte fytyrë. Ndërkohë që tiranasit prisnin nga qeveria e re të merrej me rehabilitimin e të gjitha dëmeve nga kjo luftë, Xhamia e Vjetër u la pas dore.

Megjithëse Komuniteti Mysliman i kohës ndërmori një program rikonstruktimesh të xhamive të dëmtuara nga lufta dhe u ndreqën ato, siç është rasti i minares së dëmtuar të xhamisë Et’hem beut, Xhamia e Vjetër u la pas dore nga regjimi komunist. Në krye të programit të rindërtimit të xhamive të dëmtuara u vendos patrioti Hafiz Dalliu, i njohur për përkushtimin e tij ndaj Tiranës dhe bashkëqytetarëve të vet, por as kjo nuk vlejti për regjimin komunist. Në vitin 1947 Hafiz Dalliu me tre kolegët e tij të Medresesë së Tiranës do të përfundonin në burgjet e errëta komuniste me akuzat ordinere, se kishin dëgjuar Radio Londrën. Pas dy vitesh, do t’i jepej dora e fundit shkatërrimit të Xhamisë së Vjetër.

Xhamia e Vjetër do të shkatërrohej dhe aty do të ndërtohej një shesh i ri dhe këtu fillon paradoksi i parë. Në vend të xhamisë ndërtohet Partizani i Panjohur, një monument me konotacione të thella komuniste, ndërsa në të gjithë botën i ndërtohet një monument ushtarit të panjohur, i cili është sakrifikuar për atdheun dhe për ta mbrojtur atë, aty ndërtohet një partizan komunist me pushkë në dorë, duke i thirrur shokët e vet të revolucionit për në luftë drejt Perëndimit të Tiranës. Ikën një monument shpirtëror kulti, themeli i një qyteti, për t’i lënë vendin një monumenti tjetër kulti idhujtarie njerëzore, i lidhur ngushtë ky me shkatërrimin e vlerave njerëzore.

Mirëpo paradoksi vazhdon. Pak më larg Partizanit ndërtohen edhe banjat publike, një veprim i ulët ky i pushtetit të asaj kohe për ta rritur më shumë dozën e mosbesimit dhe të ateizmit shtetëror në publik. Pak kohë më pas, një figurë popullore e njeriut hallexhi do të bëhej e mirënjohur te të gjithë tiranasit me bejtet e tij thumbuese dhe shpotitjet e tij me të folmen e Tironës dhe nuk do t’i kursente aspak pushtetarët e rinj dhe sigurimsat të sapo ardhur nga malet, dhe me një mungesë të thellë qytetarie. Ky ishte Sefer Daja, që nuk linte kurrkënd pa thumbuar. Pikërisht edhe ata që me revolucionarizmin e tyre do të shkatërronin gjithçka të vjetër për të ngritur monumentet e reja të ideologjizuara me doza të thella marksiste.

Pas rivendosjes së demokracisë në vend, pushteti lokal e ndjeu për peng moral të rikujtonte Sulejman Pashën, ndërtuesin e Xhamisë së Vjetër, si themelues i Tiranës dhe i ngritën një statujë pak më larg vendit ku ai ishte varrosur. Ironikisht kjo statujë u vu në kryqëzim, ku më tepër ngjante me një polic trafiku se sa me një kushtim mirënjohjeje të një qyteti ndaj themeluesit. E këtu kemi vazhdimin e këtij paradoksi tashmë 50-vjeçar. Ndryshimi i pushtetit lokal më pas e zhvendosi përsëri statujën e Sulejman Pashës pak metra më tej, për ta korrigjuar gabimin, shumë afër me Partizanin e Panjohur, madje mund të themi që rivalizojnë të dyja statujat me njëra-tjetrën. E kështu pas 15 vitesh të tjera, dozat e paradoksit shtohen, Partizani me pushkë në dorë sheh nga Perëndimi, ndërsa Sulejman Pasha me veshjen tradicionale tiranase sheh nga Jug-Lindja.

Ndoshta ka ardhur koha që midis atij sheshit të ishte më mirë një rikonstruksion i Xhamisë së Vjetër, për të na kthyer më mirë në vlerat e vjetra tradicionale të Tiranës, së bashku me varrin e Kapllan Pashës dhe Pusin monumental, i cili ka qenë pjesë e ansamblit urban, me ujin, që simbolizojnë të gjitha këto jetën komunitare qytetare!

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.