Suat Jegeni
Suat Jegeni

Suat Jegeni, për shkak të prirjeve dhe aftësive sportive, zgjodhi dhe mbaroi shkollën e mesme të fizkulturës dhe më pas ILKF “Vojo Kushi”, ku u diplomua “mësues i edukimit fizik”. Ai përfaqësoi këto shkolla në aktivitete të ndryshme lokale dhe kombëtare, madje në disa sporte: basketboll, gjimnastikë, por me rezultatet më të mira në atletikë. Ai lindi në Tironë më 25 mars 1942.

I profiluar në dhjetëgarësh, në vitin 1962 shpallet kampion kombëtar dhe thyen rekordin e saj dhe të garës së kërcimit me shkop. Duke mbajtur këtë titull për tetë vjet radhazi, e ka përmirësuar disa herë këtë rekord. Si anëtar i ekipit kombëtar të atletikës, ka dhënë maksimumin e mundshëm në shumë aktivitete ndërkombëtare, ku ka marrë pjesë.

Mbështetur në formimin e plotë teorik dhe praktik të tij, në vitin 1983, emërohet pedagog në katedrën e atletikës të ILKF “Vojo Kushi” ku punoi për 11 vjet. Në vitin 1974, lufta e klasave e zhvendosi si mësimdhënës të edukimit fizik në shkollat e qytetit. Pas tetë vjetësh, në vitin 1982, emërohet trajner profesionist i atletikës në KS “17 Nëntori”, ku, duke u angazhuar edhe në ekipin kombëtar, kontribuoi me përkushtim në përgatitjen dhe stërvitjen e atletëve, një pjesë e të cilëve u bënë edhe kampionë e rekordmenë.

Falë edhe punës së lavdërueshme të Suatit, ekipi i atletikës i KS “17 Nëntori” ka ruajtur traditën dhe ka qenë gjithnjë i pranishëm në vendet e nderit. Më tutje, deri në daljen në pension, Suati ishte inspektor për lëvizjen masive “Sporti për të gjithë” në Ministrinë e Arsimit (1991-1997) dhe inspektor në Federatën Shqiptare të Atletikës (1997-1999).

Pasionin dhe përkushtimin e tij për atletikën, ai e vazhdon në kuadër të lëvizjes “Promocioni i shëndetit publik”. Suati është shembull i bashkëmoshatarëve specialistë që merret rregullisht me ushtrime fizike dhe vrapime.

Prej disa vitesh është pjesëmarrës në garat ndërkombëtare të veteranëve. Pasi, në prill të vitit 2006, realizoi 50 km në vrapimin e maratonës prej 142 km, më vonë arriti deri në 100 km. Duke qenë gjithmonë i suksesshëm, është shpallur kampion i Ballkanit dhe ka marrë disa kupa të këtyre aktiviteteve.

Në vitin 2004, Suati ishte nismëtar i krijimit të shoqatës “Ecja dhe vrapimi në dobi të shëndetit publik”. Si drejtor ekzekutiv i saj, bashkë me stafin e tij, ka hartuar programe të larmishme sportive dhe njëherësh mjaft ambicioze në dobi të shëndetit të popullsisë së komunitetit të Tironës.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.