Më 28 nëntor 1917 u themelua në Tironë jetimorja e parë, me inisiativën e zotit Rauf Fico; me ndihmën materjale e morale të autoriteteve austriake e kryesisht të zotit Srenk, kolonel dhe ish komandant i ushtrisë austriake në Tironë; të të ndierit Xhelal Bejë Toptanit; Myrtezim Këlliçit, Zyber Hallullit, Luigj Shalës dhe Kryqit të Kuq Amerikan. Ajo u vendos në teqen e Sheh Dyrit, pasi u bënë meremetimet e nevojshme. Shkak për këtë vepër të bukur, u bë vdekja e një djali emigrant nga Dibra.

Më vonë, nën kujdesin e Ministrit të Jashtëm Rauf Fico, ajo u shndërua në Strehë Vorfnore. Pas një ndërprerje të përkohshme pune, Streha Vorfnore u riorganizua në vitin 1920 dhe mori 20 djem e vajza refugjatë nga Dibra.

Ajo tashmë kishte shkollën e saj fillore e plotësore. Më 1922, Ahmet Zogu, atëherë Ministër i Punëve të Brendshme, themeloi Institutin e Kryqit të Kuq Shqiptar dhe u zgjodh kryetar, ndërsa e motra, Sanija, nënkryetare dhe Streha Vorfnore iu dorëzua Kryqit të Kuq.

Drejtor i përgjithshëm u emërua mjeku Ahmet Sejdini. Ajo kishte 140 jetimë, 120 djem dhe 20 vajza, me moshë 7 deri 12 vjeç. Shkolla kishte një drejtor për djemtë dhe një drejtor për vajzat. Po atë vit, Kryqi i Kuq hapi në Tironë dispanserinë, që e drejtoi mjekja Davson dhe infermjere, zonjusha Elena Trajani. Kryqi i Kuq ishte organizata bamirëse më e fuqishme në Shqipëri, që financonte jo vetëm Strehën Vorfnore, por dhe shkollën profesionale të vajzave infermjere. Fondi vjetor kapte shifrën 100.000 franga ari në vit. Çdo nxënësi i takonin 55 franga ari.

Në vitin 1928, Kryetari i Kryqit Kuq Shqiptar u bë Princesha Sanie Zogu. Ajo bëri vizitë në Strehën Vorfnore dhe u njoh me drejtorët e saj, Veli Vasjari dhe Zonjën K. Cilka, si dhe me drejtoren e Shkollës së Infermjereve, zonjën Lavergne. Interes të veçantë tregoi për arsimin dhe edukatën femërore. Drejtori i përgjithshëm, Qemal Nazif, kërkoi që drejtoria e Kryqit të Kuq Shqiptar të siguronte vajza 17-25 vjeçare, për të vazhduar shkollën për mami, pasi në Kryeqytet kishte vetëm shkollë infermjeresh.

Në vitin 1930, qendra e Kryqit të Kuq Shqiptar u vendos në shtëpinë e Shan Tepelenës, ndërtue po atë vit, në Rrugën “Nana mbretneshë”. Më 1933, Streha Vorfnore u vendos në tri ndërtesa te Rruga e Kavajës, ku njëra shërbente si shkollë, që është dhe tani si ndërtesë, dhe dy të tjetrat, si konvikt. Në Strehën Vorfnore, në Rrugën e Kavajës, pronë e familjes Zela, jetonin 173 fëmijë jetimë nga të gjitha zonat e vendit. Në vitin 1937 Kryqi i Kuq hapi shkollën e infermjereve vizituese me 17 nxënëse. Në vitin 1939 streha mbante 350 fëmijë dhe shkolla e infermjereve 30 vajza.

Pas ardhjes së Italisë Fashiste, Kryetare e Kryqit të Kuq Shqiptar u bë Donna Maja ]akomoni, e shoqja e mëkëmbësit të mbretit, Francesco akomoni di San Savino. Ajo themeloi Strehën Vorfnore ”Costanzo Ciano” për 300 fëmijë, djem e vajza, një klinikë gjinekologjike dhe spitalin ”Maria Pia di Savoia”, me 60 shtretër, për ushtarët si dhe solli disa autoambulanca për qytetin e Tironës. Nënkryetar i përgjithshëm: Dr. Nush Bushati; Drejtor i përgjithshëm: Haxhi Shkoza; Këshilltar: Dr. Xhovani Freddi dhe Drejtor Kontabiliteti: Z. Qiriako Harito. Kruqi i Kuq kishte në varësi:

1-Strehën Vorfnore që edukonte më tepër se 300 fëmijë.

2-Shkollën e Infermjereve, në Tironë, prej të cilës diplomoheshin 15-17 infermjere.

3-Azilin e Pleqve në Shkodër me 50-55 pleq e plaka të vorfën.

4-Dispanserinë Antituberkulare në Tironë, ku ekzaminoheshin nga një mjek specialist falas dy herë në javë të gjithë të sëmurët me tuberkuloz.

5-Shpërndante çdo ditë bukë, ushqime e barna falas të sëmurëve dorëhollë ose të vorfër.

6-Mbante në Senatoriume të ndryshme të Italisë më tepër se 40-45 të sëmurë me tuberkuloz.

7-Hapi ”zyrën e robërve të luftës”.

Më 1942 përfundoi godina e re madhështore e Strehës Vorfnore në Tironë për 400 fëmijë (në Laprakë S.M.). Më 1945 në mjediset e saja u vendos Shkolla “Skënderbej”, për t’ia lënë vendin Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, që u largua në vitin 1958. Vetëm në katin e dytë, nga e majta e ndërtesës mbeti për disa kohe Drejtoria e Zbulimit me në krye Vehbi Hoxhën. Aty u sollë Spitali Përgjithshëm Ushtarak, pas një adaptimi që ju bë godinës ekzistuese. Petro Cani ish kirurg me gradë nënkolonel, kaloi shef i kirurgjisë në Spitalin Civil dhe nënkolonel ]ul Koliqi u bë shef i kirurgjisë në Spitalin Ushtarak.

Më 2 qershor 1942 Dona Maja Jakomoni vizitoi ekspozitën e prerjes, qepjes dhe qindiËs së shkollave fillore dhe ato jashtë shkollës, përgatitur pranë foshnjores ”Hysen Nikolica” Tironë.

Buxheti preventiv i KKSH. për ushtrimin financiar 1 korrik 1942 deri 30 qershor 1943 ishte 2200000 franga shqiptare me një shtesë nga e kaluemja prej fr. shq. 938700.

Më 3 korrik 1942 u përurua prej mëkëmbësit të mbretit Kolonia Eliotherapeutike për fëmijët ”Maria Gabriela e Savoias” me qendër në Petrelë.

Shkëputur nga libri Tirona 1920-1944 me autor Spiro Mëhilli

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.