Spiro Hobdari
Spiro Hobdari

Spiro Jakov HOBDARI lindi në 10 janar të vitit 1911, në atë familje të njohur intelektuale tiranase të Jakov Hobdarit, tre nga katër djemtë e të cilit u shkolluan për fushën e mjekësisë. Pas arsimimit fillor të kryer në Tiranë, Spiro gjithçka e mbylli jashtë vendit: shkollën fillore, në Prevezë të Greqisë, ndërsa atë të mesme, në Liceun Francez ”Leondion” të Athinës (1930). Me mbështetjen financiare të prindërve të tij, Jakov dhe Ana, menjëherë, nisi studimet e larta
në Francë, ku, me rezultate shumë të mira, në vitin 1934, diplomohet “stomatolog”. Pas stazhit njëvjeçar të kryer po atje, në Spitalin ”Salpetrire”, ai kthehet në Atdhe në vitin 1935.

Klinikën dentare private, që hapi në Tiranë në vitin 1936, në rrugën 8 nëntori, diku pranë Kullës së Sahatit, e pajisi me aparaturat më të mira të kohës. Shumë shpejt, ajo klinikë do të bëhej e njohur për profesionalizmin dhe korrektësinë e punimeve dentare. Ai mjek i kualifikuar, që punoi me mjaft sukses dhe gjithnjë i vlerësuar, vazhdoi deri më 1949 kur me shtetëzimin e aktiviteteve private, kjo kohë shënon njëherësh angazhimin e Spiros
vetëm në institucionet përkatëse shtetërore.

E nisi këtë karrierë të re në Gjirokastër, sigurisht po me detyrën e mjekut stomatolog, prej nga kthehet në Tiranë në vitin 1951, ku, me të njëjtën profesion, punoi për një kohë të gjatë në Spitalin Ushtarak. Më 1967, kaloi në Klinikën Qendrore Stomatologjike, ku qëndroi deri sa doli në pension në vitin 1975. Në të gjithë karrierën e tij dhe në të gjitha pozicionet që mbajti, Spiro u çmua dhe u nderua për thjeshtësinë, edukatën dhe kulturën e lartë, si dhe për aftësitë e tij profesionale. Puna e tij është vlerësuar edhe me urdhra dhe medalje të punës.

Falë formimit të tij dhe pikëpamjeve që kishte, ai edukoi edhe fëmijët e vet. Gjergji, i biri i Spiros, jo vetëm se vazhdoi shkollimin dhe kulturën mjekësore të familjes Hobdari, por, me diplomën e. fituar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, trashëgoi edhe profesionin e gjyshit të vet. Vajza, Irma, ka kryer Fakultetin e Ekonomisë të po këtij Universiteti.

Spiro Hobdari vdiq i nderuar, më 3 shtator të vitit 1975.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.