Kanë qenë objekte që u përkisnin personave të ndryshëm, emra të njohur publikisht, apo kafene dhe hotele të famshme, orientimet që identifikonin dikur Tiranën e para ’90-s.

“Parku i Xha Tomit”, “furri i Mol Priskës”, “Vollga”, “përroi i Pal Poçes”, Broadway, pastiçeri “Krimea”… Nëse lije një takim, apo doje të tregoje vendndodhjen e një objekti, përdorje pikërisht këto emra me të cilët orientoheshin lehtësisht të gjithë. Zgjerimi i kryeqytetit dhe zhvillimi në periudha të ndryshme zhduku këto pika reference, të cilat gjejnë përdorim vetëm të tironasit e hershëm. Shumica e tyre janë zëvendësuar me objekte të tjera më shpejt të dallueshme e të njohura për shumicën e banorëve të ardhur në kryeqytet. Të vetmet shenja dalluese të pandryshueshme kanë mbetur pak, përfshi xhaminë, Skënderbeun, universitetin, Stacionin e Trenit e Selvinë.

Nëse pyet në rrugë se ku është “parku i Xha Tomit”, rrallë mund të përgjigjen saktësisht, por nëse i pyet se ku ndodhet Kisha Ortodokse, shumica ta tregon. Ne do të kthehemi në kohë, në disa faza që ka kaluar kryeqyteti, në zona që dikur kishin një emër, ndërsa tani janë “pagëzuar” ndryshe, apo edhe më keq, janë zhdukur tërësisht, duke mbetur vetëm si emërtime në kujtesë.

Humbja
Në vitet 1950 e duke vijuar deri në vitet 1970, disa pika takimesh, apo shenja orientuese janë zhdukur plotësisht. “Pazari i Vjetër” është plaga e të gjithë tironasve të hershëm, por edhe të shumë arkitektëve, të cilët e kanë quajtur krim urbanistik shembjen e një prej pazareve të famshme dhe karakteristike. Ai ka qenë një nga pikat e orientimit në Tiranën e atyre viteve. Më 1960, ish-pazari u zëvendësua me një shenjë tjetër identifikimi me Pallatin e Kulturës dhe në sipërfaqen e madhe një tjetër objekt, “Mapo e Madhe” dhe një park lojërash.

Deri në vitet 1990 takimet liheshin jo më te “Pazari i Vjetër”, por te këto objekte të reja, prej të cilave tashmë ekziston vetëm Pallati i Kulturës. Në vend të “Mapos së Madhe” dhe këndit të lojërave është “gropa e Hajdin Sejdisë”. Dashuria për Bashkimin Sovjetik ndikoi edhe në emërtimet e lokaleve, që si gjithmonë janë vende takimi.

Pastiçeri “Moska” ndodhej mes Pallatit të Kacelëve dhe Varrit të Kapllan Pashës, apo pranë stacionit të Porcelanit, te xhamia. Përballë saj në lulishten para Bibliotekës Kombëtare ndodhej Pastiçeri “Krimea”. Tiranasit e vjetër tregojnë se ky lokal ishte pranë shtëpisë së Hobdarëve, apo Librit Universitar, që në ato vite ishte aty. “Te lulet”. Kjo ka qenë një tjetër pikë orientuese në kryeqytet, një dyqan simpatik ku në vend të së cilit u ndërtua më pas 15-katëshi.

Kafe “Kursali” është një tjetër pikë referuese e Tiranës së atyre viteve, e cila u prish kur në vend të bashkisë së vjetër do të ndërtohej Muzeu Kombëtar. Kafe “Kursal” ndodhej në këndin ku bashkohej rruga e “Kavajës” me rrugën e “Durrësit”. Pas shembjes së kafes së famshme, aty ekspozoheshin reklamat e kinemave dhe vendi nisi të quhej “Te reklamat”. Në post vitet ’90, shumica e njerëzve e përcaktojnë si gropa e malajzianit, ose aty ku nisen autobusët e Kamzës në qendër dhe, më shumë si vendi pas bustit të Enver Hoxhës.

Para e pas viteve ‘90
Në regjistrimin më të fundit të bërë para viteve të pluralizmit mbetet ai i 1989-ës, ku popullsia e Tiranës shënonte rreth 250 mijë banorë. Pas vitit 1991, nisi lëvizja e pakontrolluar e qytetarëve nga rrethe të ndryshme të vendit e paralel me ta, “zhvillimi” i pakontrolluar i qytetit. Shumë objekte të reja e emra të rinj zëvendësuan orientimet e dikurshme. Transformimi po kapte të gjitha hallkat, edhe pse në mënyrë jo shumë të dukshme. Furri i Mol Priskës është ende ndër të rrallat vende ku piqen tava të ndryshme. Ai ndodhet në këndin e rrugës së “Tafajve” me rrugën e “Dibrës”. Për shumë vite aty punoi usta Bimi dhe tironasit e vjetër e përdorin ende si pikë referimi.

Por për shumicën më gjerësisht përdoret “Selvia”, e cila ka qenë edhe më parë pikë referimi dhe për një pakicë vendi në mes të rrugës që të çon te spitalet. Shihemi te “Vollga”… Këtë e dëgjojmë shumë rrallë, madje disa e lexojnë për herë të parë, sepse për shumicën “Vollga” është kthyer te “Drini” apo te Partia Demokratike. Broadway. Bulevardi i rinisë deri në fillim të viteve ’80 fillonte te 15-katëshi e përfundonte pak më poshtë se mapo e madhe. Në fillim të viteve ’80, por edhe më vonë,Broadway u zëvendësua me një tjetër shenjë identifikuese, me Pallatin e Shkrimtarëve apo Pallatin e Kadaresë.

Pas viteve ’90, e famshmja disko “Albania” u kthye në pikën e orientimit për këtë zonë. Edhe lokali i famshëm “Postiqja” në fillim të viteve ’90 u zëvendësua me “Pjacën”. Institucionet janë një tjetër pikë referimi për të gjithë. Dikur zona rreth Drejtorisë së Policisë identifikohej si “Mensa Kineze”, ndërsa tani ka marrë emërtimin e ri, duke u nisur nga institucioni i rendit. Nostalgji zgjojnë vendtakimet e harruara dhe emrat, që tashmë janë zëvendësuar nga të tjera pika referimi.

Të harruara
E kam shtëpinë te “Përroi i Pal Poçes”, ose afër “Përroit të Pal Poçes” e të tjera orientime si këto përdoreshin gjerësisht para viteve ’80 dhe më vonë, ndërsa tani në bisedat e përditshme ky emërtim thuajse ka dalë nga fjalori. “Përroi i Pal Poçes” është zëvendësuar me “Tregun Elektrik”. Po kështu “Uzinës Enver” i është mbivendosur “Gabi te parku”. Mapot me kolona një tjetër pikë referimi në kryeqytet janë zëvendësuar me “Kafe Evropën”, ku qytetarët e rinj orientohen më shpejt.

Ndërkohë për periudha të caktuara është harruar emërtimi i Tajvanit, ndërkohë që rinia orientohej me fjalën Parku dhe dhjetëra emra lokalesh të rinj që sfumuan lokalin luksoz të Tiranës së paraviteve ’90. Ndërsa sot Tajvani përdoret gjerësisht madje dhe si pikë orientimi për të treguar “Shallvaret”. Edhe ish-kafe “Rinia” pranë ish-kinema “Republikës” është harruar me kohë.

Ajo u zëvendësua nga “Gudeni”, ndërsa tani të gjithë identifikojnë klinikën “Ufo”, ose afër tregut çam. Edhe vetë kinema “Republika” humbi ndër vite. E zëvendësuar me kinema “Millenium 1”, tashmë ka mbetur thjesht një konvencion. Ish-Komiteti Qendror është zëvendësuar me Kullat Binjake, Pallati i Pionierëve me “Milenium 2”, kinema “Ali Demi”, apo “Ullini” nuk përdoren më, ose mjaft rrallë për t’u zëvendësuar me fjalinë; sapo ngjitesh për në “Ali Dem”, ose te shkolla “1 Maji”, spitali nr.5 me fushën e zezë të gabit… Burgu i vjetër me komisariatin nr.4, Estrada me “Chaplinin” e shumë si këto.

Zhdukja
E ndërsa në shumicën e rasteve që përmendëm kanë ndryshuar pikat e referencës, disa të tjera janë zhdukur tërësisht. Kinema “17 Nëntori” nuk ekziston më, edhe pse ky emër lidhet me shumë prej kujtimeve të njerëzve. Po kështu në vitet e socializmit një tjetër emër i përdorur shpesh ka qenë “Shpia e Cenit të Lakut”, ortopedit popullor që ka pasur mbi 5 mijë pacientë. Vendin e tij e kanë zënë djemtë, ndërsa në shtëpinë përdhese të ortopedit, që ka qenë pikë orientimi, janë ndërtuar pallate të larta. E po të njëjtin fat pati edhe kinema “Republika” apo “Milenium 1”, tek i cili po ndërtohet një tjetër pallat, ku thuhet se një kat do të bëhet sërish kinema.

Edhe punishtja e pastave që ka qenë në mesin e rrugës “Siri Kodra” është zhdukur bashkë me funksionin e saj para shumë vitesh. Po kështu, nëse dikujt i thua te “Librari Flora”, përveç qytetarëve të hershëm të Tiranës rrallë e dinë se ku bie. Mes kësaj parade emrash që kanë qenë shenja orientuese në kryeqytet, treguam se si zhvillimi apo zgjerimi i Tiranës ka zhdukur dhe eliminuar objektet që dikur kanë pasur një histori. E bashkë me objektet, ngatërresa të tilla kanë pasur edhe rrugët që kanë ndryshuar disa herë emërtime.

Si kane ndryshuar vendtakimet ne kryeqytet

  • “Parku i Xha Tomit” me Kishën Ortodokse
  • “Mapot me Kolona’ = Kafe “Evropa”
  • Kafe “Rinia” pranë ish-kinema “Republikës” u zëvendësua nga “Gudeni”, ndërsa tani të gjithë identifikojnë klinikën “Ufo”.

  • Kinema “Republika” u zëvendësua me kinema “Millenium 1”

  • Ish-Komiteti Qendror është zëvendësuar me Kullat Binjake
  • Pallati i Pionierëve me “Milenium 2”
  • Kinema “Ali Demi”, apo “Ullini” me shkollën “1 Maji”

  • Spitali nr.5 apo Oxhaku me fushën e zezë të gabit…

  • Burgu i vjetër me komisariatin nr.4
  • Estrada me “Chaplinin”

  • Mapo e Madhe me “Gropën e Sejdisë”

  • Vollga me Drinin, ose selinë e PD-së
  • Kursali me vendin ku ekspozoheshin reklamat e kinemave, ndërsa tani me gropën e malajzianit
  • Uzina “Enver” me “Gabin te Parku”

  • Broadway me Pallatin e Shkrimtarëve dhe më pas me disko “Albanian”

  • “Mensa Kineze” me Drejtorinë e Policisë
  • “Përroi i Pal Poçes” me “Tregun Elektrik”
  • “Furri i Mol Priskës” me “Selvinë”

  • “Pazari i vjetër” me Pallatin e Kulturës

  • “Te Lulet” tani te “15-katëshi”
  • Polikumi në Harry Fultz
  • “Zogu i Zi” me mbikalimin

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.