Rrugët e Tiranës…? Oh, po bëhet kohë që nuk i kam shëtitur.
Sa?
Njëzet e gjashtë vjet. 
Në ç’kuptim “shëtitur”?

Çdo ditë. Si dikur. Kafenetë e rinisë sime nuk ekzistojnë më ose janë shndëruar. Kur kthehem për pushime nuk më ndodh të dëgjoj: “Me pak sheqer, si përherë?”
Në atdhe jetohet. Nuk shkohet për pushime. Atdheu, vendi që shkelim, është ai rrugëtim që bëjmë zakonisht. Që e përsërisim gati çdo ditë. Ndërsa (At)dheu, ai që kam lënë, ka filluar të tretet. Janë rralluar kthimet. Zvogëluar kohëqëndrimi.

Edhe pak… dhe vitet e kaluara në emigrim do t’i kalojnë ato që kam jetuar në vendlindje. Atdheu i kujtimeve po vdes me doza të vogla çdo ditë e më shumë (kam filluar të harroj emrat e shokëve dhe shoqeve të fillores, tetëvjeçares dhe atyre të shkollës së mesme). Ndërsa atdheu i simboleve zgjohet në ndeshjet e futbollit, në festat zyrtare, në ngjarjet politike. I shmangem flakës së tyre. Por ruaj thëngjinjtë.

Në kafe Flora, (Kafe Flora burra plot, uaa, ua! Këngë e ndaluar. Lindita Theodhori. Festivali i 11), pra, në kafe Flora shkoja shpesh. Jo larg shtëpisë sime, ai vend më ishte bërë i afërt. Aty nga dreka, kur nuk kishte shumë njerëz, ulesha në fund të sallës, në krah të majtë. Isha mësuar me atë. Viteve ’80, qenë të pakta kafenetë ku mund të pije një kafe të vërtetë.

Njëqind gramshi i tollonave, që gjyshja e përziente me grurë të pjekur apo çikore të bluar, kishte kohë që ishte mbaruar (në të ikur bleja edhe një dozë për tim atë, që kamarierja ma jepte të mbështjellë me letër). Në atë orë të ditës mund të qëndroja i qetë pa më pyetur njeri: “Përse atë pamje të menduar. apo të trishtuar?!”
Kolltukët e Kafe Florës ishin më të këndshmit për t’u prehur. E kisha njohur në shkëlqimin e saj, i vogël, kur të dielave shkoja me prindërit për të ngrënë zuppa (s’kam provuar më të mirë deri më sot).

Ishin vitet ’70, dhe rënia nuk kishte filluar akoma. Vetratat e sallës majtas shihnin nga rruga e Durrësit, që në atë kohë ishte nga rrugët më të gjalla të Tiranës. Aty kalonin vajzat e bukura. Për të rënë në sy, veç bulevardit, që e fillonte punën të shtunave dhe të dielave në darkë (orët kur të burgosurit ajroseshin), vend tjetër nuk kishte. Ndërsa salla djathtas binte nga rruga “Mine Peza”.

Fshatarë që prisnin ndonjë kamion për t’u kthyer në katund, ose mund të shihje të vetmin autobus “turistik”, të ndaluar përpara agjencisë së vetme turistike në të gjithë Shqipërinë: Albturizmi! Asnjë nuk hynte aty veç punonjësve të ambasadave. Kush tjetër mund të dilte nga Shqipëria e atyre viteve? Askush!! E kishim fjetur mendjen. Kishim lindur e do të vdisnim në atë burg. Dhe agjencisë as që ia hidhnim ndonjëherë sytë.

Bota, ajo përtej telave me gjemba, hynte me pikatore: një poezi e Prevert-it kopjuar me rezervë blu në faqen e një fletoreje 8-lekshe katrore apo me vija; një libër i Dostojevskit apo Sartre-it, botime të Prishtinës, dhe… i mbyllur në dhomën time lexoja “Krim e ndëshkim” (një nga romanet që më ka tronditur, ndoshta i vetmi!), dhe frymë merrja në kolltukun e kafe Florës.

Ashtu, i vetëm në mes turmës, mund të shijoja lirinë e të jetuarit të asaj që kisha lexuar dhe, që nga ai çast, e mbaja romanin në veten time, pa patur nevojë për librin, “objekt kompromentues” (të cilin me ta mbaruar, vrapoja menjëherë në Bibliotekën Kombëtare për t’ia dorëzuar Mirës, aty në sallën e vogël kur s’kishte njeri tjetër e që çdo herë duke mbështjellë librin e radhës me gazetën “Mësuesi” apo “Zëri i Popullit”, do të më thoshte me zë të ulët: “Të keqen! Askujt! Se më more në qafë!!”)

Ura e Tabakeve
Ura e Tabakeve

Disa vende na bëhen të dashur kur ndajmë me to çaste të tilla vetmie. Kur monologojmë apo kur shkruajmë. Më ka ndodhur që të përsëris me mendje ndonjë nga poezitë që krijoja atëherë (një nga gabimet e moshës), por nuk kam guxuar që të shkruaj. Dhimitër Shuteriqin e kam parë shpesh duke shkruar kafeneve. Zhgarraviste pa pushim (nuk e di se çfarë do të ketë mbetur sot prej tyre?!). Llulla dhe filxhani i kafesë në një cep të tavolinës së mbushur me fletë plotësonin “imazhin e intelektualit” sipas asaj që duhej të kishte parë në Francë gjatë studimeve.

“Comme d’habitude, un expresso sans sucre?” – më pyet le garçon de café, pasi jemi përshëndetur. Dhe duke vendosur filxhanët dhe pjatat e vogla në tabaka, i hedh sytë nga qoshja ku rri zakonisht për të parë nëse është e zënë apo jo. Ai tashmë është bërë “vendi im”. Atë ditë kur nxora bllokun dhe shkrova. Sepse u ndjeva mirë. Si në shtëpinë time, thuhet në të tilla raste (po që nuk është e thënë në shtëpinë tënde të ndjehesh gjithmonë mirë). Aty më ndodh që të humb duke lexuar ashtu si dhe në metro, kur libri më merr me vete e harroj që të zbres në stacionin e duhur (jo më larg se dje…).

Ditë me diell. “Rënka djellë”, do të kishte thënë Poradeci. Në pjesën e sipërme të mureve prej guri dhe trarëve të drunjtë të tavanit të kafenesë. Muzikë Jazz. Në sfond. Si gjithmonë. Nga dritarja vështroj lulishten. Gjethet kanë filluar të skuqen. Vjeshtë. Nxjerr bllokun dhe i hedh një sy frazave që kam shënuar gjatë leximeve të ndryshme. Përse mbajmë shënime? E përse shënojmë këtë apo atë frazë?

E gjithë puna në të shkruar bëhet përherë në raport me një gjë që nuk është më, që mund të fiksohet një çast me anë të shkrimit, si një gjurmë, por që është zhdukur. (Perec, Je suis né, faqe 91.)

Për të sjellë ndër mend të kaluarën në formë imazhesh duhet që të shkëputesh nga veprimi i tanishëm, duhet të dish të kapesh pas kotësisë, duhet të kesh dëshirë të ëndërrosh. (Henri Bergson, Matière et mémoire.)

Frymëzimi është fati i të vetmuarve. (Mahmoud Darwich)

Që në çastin kur filloj të reflektoj, gjithshka humbet. (Paul Cézanne)

Ekzaktësia nuk është e vërteta. (Delacroix)

Eskili është lindja e teatrit. Ai ka ngritur kapakun dhe ç’ka njeriu brenda ka dalë: të brendshmet, shpirti, gjuha, kokërdhokët e syve, zorrët e barkut, të gjitha! (Ariane Mouchkine)

Aktor në greqisht do të thotë “hipokrit”, domethënë ai që luan një personazh.

Ne nuk arrijmë t’i ndryshojmë gjërat sipas dëshirës sonë, por pak nga pak dëshira jonë ndryshon. (Proust)

Kur ti shikon babanë në veten tënde, në vështrim apo në shprehje, do të thotë që ti ke filluar të plakesh. I afrohesh imazhit tënd me kureshtje dhe kërkon diçka që tashmë është zhdukur. Kjo nuk zgjat asnjëherë. Është vetëm një shkëndijë. Ajo ndez zjarrin brenda teje. E kam zbuluar këtë kur isha dyzet vjeç. (Dan Franck, Roman négre, faqe 45)

Si mund të kuptohemi, zotëri, kur në fjalët që them unë ve një kuptim dhe vlerën e gjërave ashtu siç ato janë në veten time; kurse ai që i dëgjon i merr në mënyrën dhe vlerën e botës së tij të brendshme? Kujtojmë se kuptohemi, por nuk kuptohemi asnjëherë! (Pirandello, Gjashtë personazhe në kërkim të autorit)

Ëndërroj një botë ku shkrimtarët do të jenë të detyruar nga ligji që të ruajnë të fshehtë indentitetin e tyre e të përdorin pseudonime. Tre avantazhe: kufizim radikal i grafomanisë; zvogëlim i agresivitetit në jetën letrare; zhdukje e interpretimeve biografike të një vepre. (Kundera, Arti i romanit)

Hija e pemës është më e bukur se pema. (Proverb japonez)

Stili është veshja e mendimit. (Seneka)

Esenca e qenies njerëzore është dëshira. (Lacan)

Zakonisht zgjedhim tokën ku duam të udhëtojmë. Zgjedhja është prova nga e cila duam të ndikohemi nga pak. Më në fund, e zgjedhim pikërisht atë vend sepse e dimë që do të ndikohemi prej tij, sepse shpresojmë, e urojmë këtë ndikim. (Andre Gide, De l’influence en littérature)

Nuk ka asgjë më të rrezikshme se puristët; bëhemi terroristë nga idealizmi i dështuar: Idealisti është gjithmonë më i keqi i revolucionarëve. (Renan)

Në teatër nuk na frikëson luani apo maska e tij, por luani që kemi brenda vetes. (Le théâtre, Que-sais-je?)

Një aktore qan në skenë? Imiton vallë një grua që qan? Jo, ajo qan. Vetëm në teatër qajmë pa ndonjë arsye tjetër përveç asaj të të qarit në teatër, dhe “më mirë”, se “në realitet”. Qarjet e aktores, po t’i biem shkurt, janë qarjet e një spektri në veten e saj (në veten tonë) dhe jo ato të një gruaje që do të imitonte një tjetër. (Le théâtre, Que-sais-je?)

Ylli Demneri
Ylli Demneri

Burimi: RADIANDRADI.COM

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.