Shërbimi shëndetësor në Tironë
Shërbimi shëndetësor në Tironë

Tirona në vitin 1870 ka pasur vetëm një mjek. Ai ishte italjani Damarino, një i arratisur politik. Më pas, sikundër thoshte profesor Fejzi Hoxha, gjejmë mjekun tiranas me emrin Shaqir Mara.

Rreth vitit 1900, doktor Panteqi, edhe ky nga Tirana, e ushtroi profesionin e mjekut këtu gjithë jetën. Emra të tjerë mjekësh tiranas janë: Hysen Mara, që punoi në Vitet 1910-1923; Osman Beshiri, në Vitet 1911-1913; Idriz Dautaj, në Vitet 1913-1916; Më pas erdhën mjekët Jak Hobdari, Osman Jonuzi dhe Hazbi Kuçi.

Në vitin 1907, Qeveria Austro-Hungareze ngriti në Tironë një spital nën drejtimin e motrave të “Dashurisë së Zagrebit”, ndërsa në Vitet 1916-1917, hapi disa spitale në Tironë: një te ”Varri i Bamit”, një tek ish “Biblioteka Kombëtare” dhe një tek Hani i Esat Pashës. Në këto spitale shërbenin mjekë ushtarakë. Ata, përveç trupave të tyre, vizitonin dhe banorë të Tironës ose të rretheve, si dhe shpërndanin barna falas.

Më 14 mars 1919, Kryqi Kuq Ndërkombëtar ngriti spitalin e parë në Tironë. Ai kishte 20 shtretër dhe drejtohej nga kirurgia Bruk, që kishte me vete disa infermjere austriake. Asistent i saj, ishte kirurgu Osman Jonuzi. Më 1920, spitali u mor në dorëzim nga shteti shqiptar dhe u transferua në një godinë pak më të madhe, përbri sahatit, në mjediset e Hotel ”ELBASANI”, duke e rritur kapacitetin në 50 shtretër.

Drejtor i spitalit u caktua Osman Jonuzi dhe internist Syrja Pojani. Më vitin 1922 internist u caktua Omer Nishani, më 1924 Bajram Emiri, më 1926 Sabri Tefiku dhe më 1928 Janko Theodhosi. Më 1929 spitalit iu shtua shërbimi radiologjik me doktor Ismail Tartarin. Më 1931 u shtua shërbimi i okulistikës me doktor Kristo Kristidhin. Ndërkohë u sollën nga Italia 4 motra Ançele (Ancele di Carita), për t’i shërbyer të sëmurëve.

Më 20 gusht 1920, u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë, me në krye profesor Refat Frashërin. Pranë asaj drejtorie, u krijua Këshilli Shëndetësor, me kryetar Drejtorin e Përgjithshëm të Shëndetësisë dhe anëtarë, inspektorin e Drejtorisë së Përgjithshme  të Shëndetësisë dhe drejtor të Laboratorit Baktereologjik të Shtetit, më pas me një nga mjekët më të njohur të qytetit, që kishte detyrë shtetërore, mjekun që kishte gradën më të lartë në ushtri, dhe dy mjekë privat të kryeqytetit, nga më të aftët. Nga kjo drejtori u nxorën disa dispozita ligjore mbi ushtrimin e profesionit nga mjekët, dentistët dhe farmacistët. Një kurs për infermjer u hap në vitin 1922 dhe vazhdoi vetëm dy vjet. Më 30 gusht 1923, u themelua në Tironë “Shoqata e Mjekëve Shqiptarë”.

Në vitin 1924 në Tironë u ngrit ”Laboratori Bakteriologjik i Shtetit”, me vlerë monetare 99845.69 franga ari, që u drejtua nga bakterologu francez Bernard Dody. Në vitin 1925, laboratori u transferua në Durrës, për t’u rikthyer përsëri në Tironë në vitin 1928. Po atë vit, në laborator erdhi mjeku Bajram Emiri, i specializuar bakterolog në Institutin “PASTER” të Parisit.

Më 1930 me largimin e dr. Bernard Dody, drejtor u caktua Bajram Emiri. Më 10 shtator 1934 u inaugurua godina e re e laboratorit bakterologjik, në ndërtesën ku tani ndodhet Fakulteti i Mjekësisë. Për ngritjen e saj u shpenzuan 9984569 franga ari. Më 1928 u hap përsëri një shkollë për infermjere, por vazhdoi me ndërprerje. Më 1928 u hap “Instituti Rontgen i Shtetit”, që kryente ekzaminime radioskopike dhe radiografike. Më 15 tetor 1929 u hap Streha Foshnjore ”Nëna Mretneshë”.

Më 26 shtator 1929 u ngrit “Spitali Përgjithshëm Ushtarak”, aty ku tani ndodhen Klinika e Parë e Kirurgjisë dhe Klinika e Urollogjisë “Ferdinant Paparisto”, me drejtor Jani Bashon (mjek i familjes mbretërore), e më pas Hiqmet Gegën. Në atë spital punuan nënkolonel Hasan Çoçoli (më parë, major dhe mjek në gardën e mbretit ”ZOG I”); Eugen Levi (me origjinë bullgare); Luigj Benusi, Thoma Papavrami, Koço Floko, Sinan Imami (më pare mjek në oborrin e Mbretit ”ZOG I”); Avdyl Skenduli, Selaudin Mborja, Baki Kopliku, Shyqyri Basha, Shan Gjoka, Nazmi Shehu, okulisti italian Llampis, Kristo Kristidhi dhe Besim Zyma. Kostua shkoi 548894.88 franga ari.

Më poshtë po japim foton e mjekëve ushtarakë në Spitalin e Përgjithshëm në vitin 1945, fillë pas ”çririmit” të vendit. Më 15 maj 1932, u inaugurua Spitali i Tironës ”ZOG I”, me 5 pavione dhe kapacitet 200 vende. Për ngritjen e tij u shpenzuan 98884951 franga ari. Pjesa ballore shtrihej në 66 metra gjatësi. Spitali kishte për të gjitha specialitetet 9 mjekë. Drejtor dhe shef i repartit të kirurgjisë, doktor Osman Jonuzi; asistent kirurg, Vasil Laboviti; repartin e sëmundjeve të brendshme e drejtonin Janko Theodhosi dhe Sabri Tefiku; repartin e okulistikës e drejtonte Kristo Kristidhi; repartin e otorinolaringologjisë, Besim Zyma; repartin e pediatrisë, Jorgji Jorgoni; repartin e dermatologjisë, Stefan Pano, dhe radiologjinë, Ismail Tartari.

Më 16 tetor 1934, arqipeshkev i Durrësit, imzot Pjetër Gjura së bashku me dr. Osman Jonuzin, i cili në vitin 1932 ishte caktuar dhe Drejtor i Përgjithshëm i Shëndetësisë, ranë dakort e sollën nga Breshia e Italisë, 15 motra fetare Ançela për të shërbyer si infermjere  në Spitalin “ZOG I”. Sipas profesor Hoxhës, nga fundi i vitit 1932, drejtor i spitalit u emërua doktor Sabri Tefiku, për t’u pushuar nga puna në vitin 1933, bashkë me doktor Janko Theodhosin, i cili u rikthye përsëri në vitin 1937.

Drejtor u caktua Ibrahim Dhrami, kurse internistë, Hajdar Vlora dhe Ludovik Kalmari. Doktor Osman ]onuzi më 1934 u hoq nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Shëndetësisë dhe në vend të tij u emërua Qemal ]usufati. Po atë vit, u shkarkua nga posti i Drejtorit të Spitalit Ibrahim Dhrami për t’u zëvendësuar nga Beqir Puto, i cili e mbajti këtë funksion deri në vitin 1936, kur u zëvendësua nga Vasil Dhimitrai. Kur në fund të vitit 1936 doktor Vasil Dhimitrai u transferua në spitalin e Vlorës, vëndin e tij e zuri për të dytën herë Sabri Tefiku. Më 1934 u ndërtua një godinë e vogël me 20 shtretër, për të shtruar prostitutat. U prish në vitin 1936.

Më 1935 u mor nga spitali ushtarak një barakë, që ndodhej midis dy spitaleve, për të sëmurët me tuberkuloz. Ajo u modifikua për të mbajtur 50 të sëmurë. Kështu kapaciteti i spitalit u rrit në 270 shtretër. Më 1937 u hap një repart i vogël për fëmijë të sëmurë, me 14 shtretër, me shef shërbimi doktor ]orgji Iorgonin dhe asistentë Remzi Ficon dhe Xhanfize Frashërin.

Në fund të vitit 1937 Spitali i Tironës kishte repartin e kirurgjisë me 80 shtretër, të terapisë me 80 shtretër, të tuberkulozit me 50 shtretër, të dermatologjisë me 20 shtretër, të okulistikës me 10 shtretër, të otorinolaringologjisë me 10 shtretër, të pediatrisë me 14 shtretër dhe maternitetin me 10 shtretër. Kapaciteti i spitalit arriti 274 shtretër. Më 1940, për nevojat e ushtrisë italiane u ngritën 5 pavjone paralel me ato të parat. Më 1942 kapaciteti i spitalit arriti në 600 shtretër.

Në vitin 1935, Ahmet Zogu, pas vdekjes së nënës së tij, (flitet për gabim mjekësor nga mjekët e oborrit S.M.) solli në pallat dy profesorë vjenezë, internistin Shlesinger, dhe kirurgun Demer. Këta punonin njëkohësisht dhe në spitalin e Tironës. Po atë vit, pas tre muajsh u largua profesor Demer për t’u zëvendësuar nga profesor Otto Hoche, i cili punoi deri në vitin 1937 dhe si kryekirurg i spitalit të Tironës, duke pasur asistent, atë që më vonë do të quhej kirurgu me duar të arta, doktor Frederik Shirokën dhe doktor Spiro Treskën.

Pas largimit të profesor Hoche, në Tironë erdhi nga Vlora, profesor Valter Lehman, me origjinë hebre gjerman. Më 1937 erdhi nga Austria, radiologu Kuastler.

Pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste, mjekët austriakë dhe gjermanë u larguan. Shef i kirurgjisë u caktua prof. Venanzio Lozzi, kurse asistentë, mjekët Renato Martoni dhe De Markis Antonio. Frederik Shiroka u transferua në Shkodër, kurse Spiro Treska dhe Mihal Angjeli u pushuan nga puna. Shef i shërbimit të terapisë dhe drejtor teknik i spitalit, u emërua prof. Pjetro Stefanutti; shef i shërbimit të okulistikës, prof. Edoardo Tristanio; shef i shërbimit të otorinolaringologjisë, prof. Xhovani Fornari. Pas largimit të doktor Kalmarit, shef i shërbimit të ftiziatrisë u caktua Petraq Leka. Përgjegjës i farmacisë së spitalit, Toffolo Agostino.

Në vitin 1940, Dom Shtjefen Kurti themeloi Befotrofin. Ai filloi me 2 fëmijë për të arritur shumë shpejt në 42. Në vitin 1942 u ngrit spitali “Nëna dhe Fëmia”, me drejtor profesor A. Garasi dhe asistent Maliq Bekteshi.

Shkëputur nga Libri “Tirana 1920-1944” me autor Spiro MEHILLI

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.