Shadan Toptani
Shadan Toptani

“Nuk mundem të veçoj asnjë nga momentet që kam kaluar me Shadanin. Të gjitha janë të mrekullueshme, por unë nuk do të harroj kurrë ato që kam mësuar prej tij”, – thotë një nga skenografët e parë të Teatrit të Operës dhe Baletit, Hysen Devolli, arkitektit, piktorit dhe filatelistit Shadan Toptani.

A. Mile

Sipas Devollit, Toptani, ka qenë një figurë tepër poliedrike dhe ishte ndër specialistët e paktë të kohës në fushën e arkitekturës dhe skenografisë, i cili ka arritur të realizojë skenografitë e baleteve të para shqiptare, ndonëse gjithçka filloi nga zeroja. Drejtori i Operës dhe Baletit, Zhani Ciko, e renditi Toptanin në grupin e atyre artistëve që kanë bërë historinë e këtij institutcioni. “Për të është folur shumë pak, edhe pse i përket brezit të parë të artistëve që ishin të gatshëm të qëndronin dhe të punonin në Shqipëri, pas Luftës II-të Botërore”, – tha Ciko, duke i dhuruar në shenjë mirënjohjeje vajzës së skenografit Toptani, Najadës, një diplomë në 50- vjetorin e krijimit të Teatrit Kombëtar të Operas, me motivacionin “Një prej themeluesve të Teatrit që ka kontribuar që nga krijimi i këtij institucioni”.

Shadan Toptani, nipi i poetit të madh Naim Frashëri, lindi në 25 Shtator të vitit 1903 në Kostandinopojë në familjen e patriotit Murat Toptani, i internuar në Anadoll nga Turqia për veprimtari në shërbim të Shqipërisë. U kthye në atdhe në Shpalljen e Pavarësisë më 1912. Në vitin 1925 ai fitoi të drejtën të ndjekë studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera të Milanos për arkitekturë dhe më pas kreu 2 vjet specializim pranë kësaj Akademie për skenografi, e cila ishte dhe pasioni i tij i madh. Bashkëpunimi i tij me regjisorët e operave filloi pas çlirimit, ku numërohen realizimet e tij skenografike si; “Kujdesi i kotë” i Hertelit në 1957 apo dekoret e operave “Kavaleria Rustikana”, “Berberi i Seviljes”, “Don Paskuale”, “Pranvera”, “Palaçot”, “Peshkatarët e perlave”, “Borëbardha”, si dhe dekoret e baleteve “Romeo dhe Zhuljeta”, “Zhurale”, “Fadeta” dhe “Laurencia”.

Në krijimtarinë e tij dallohet dhe puna në arkitekturë ku ai punoi për realizimin e disa projekteve në ndërtimin e shtëpive të kulturës në qytete të ndryshme të vendit si në Përmet, Pogradec, Shkodër, Peshkopi, Tiranë, Bajram Curri. Toptani provoi dhe diskriminimin e regjimit komunist. Ishte viti 1947 kur ai u arrestua nga ky regjim dhe u dënua për pesë vjet si një intelektual me origjinë bejlerësh, dënim prej të cilit ai vuajti vetëm 18 muaj.

Pas lirimit nga burgu ai filloi punë si projektues pullash dhe realizoi 15 edicione pullash postare me 31 vizatime me të cilat, mori pjesë në ekspozita filatelie jashtë shtetit. Para se të fillonte punë në Teatrin e Operës dhe Baletit, Toptani bëri zbukurimin e faqeve të sallave, bazorelieveve dhe dekoracioneve të ndryshme të Kinostudios “Shqipëria e Re”, dekoret e filmit “Skënderbeu”.

Burimi: http://www.albasoul.com

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.