Selman Stermasi
Selman Stermasi

Dollia e parë në shenjë respekti dhe mirënjohje, i takon këtij burri. Jo vetëm pse ka qenë presidenti i parë i këtij klubi futbolli, apo pse ato kupa në të dy anët e tij, janë trofetë e para të bardhebluve, por, sepse ky është një nga ata që ka punuar dhe e ka dashur “Tironën”, me shpirt. Duke u kujtuar që t’i pinë dollinë e parë Selman Stërmasit, mbase do të preken në sedër edhe ata që sot kanë në dorë të ardhmen e këtij klubi historik, për t’i rikthyer lavdinë dhe personalitetin e merituar. Veçse me atë sedër dhe dashuri që ndjente Selman Stërmasi!

I dhëmbi shpirti për “Tironën”, kur filloi ta menaxhonte një specialist italian. Jo se nuk përkrahte të përparuarën, por sepse nuk duronte dot djallëzitë që bëheshin në dëm të ekipit. Dhe ia plasi në fytyrë, pa iu dridhur qerpiku:

-Përderisa ekipi ynë do të drejtohet nga ju, asnjëherë nuk kemi për të ecur para…

Pak vite më vonë, ndodhi pushtimi fashist dhe ai manaxher italian, u rikthye duke mbajtur mbi supe spaleta. Ndër të parët që u internua për në Bolonja si antifashist, ishte edhe Selman Stërmasi. Shpëtoi nga fashizmi, por jo nga komunizmi. Përsëri për dashurinë e vetme “Tironën”. Ka qenë viti 1946. Në një konferencë të lajmëruar me shumë bujë, Partia vendos që ta kthejë emrin e klubit bardheblu nga “Sport Klub Tirona” në “17 Nëntori”. E kujt më shumë se Selman Stërmasi, do të ndjente dhimbje nga ky pagëzim komunist?! Kundërshton dhe largohet në mënyrë demonstrative nga salla.

Nga ky çast, mbi të përjetësisht, bien rrufetë e zëmëratës së pushtetarëve komunistë… Por nuk ndjeu pendesë për çka tha dhe veproi. Nuk iku të kërkonte falje edhe pse e dinte të ardhmen e tij. Sepse më shumë se vetja, i dhimbsej “Tirona”! Ja pse, duhet pirë e para dolli për Selman Stërmasin! “Tirona” mund të bëhet siç ka qenë, vetëm nëse ndjehet dhe punohet, me dashurinë dhe dhembshurinë e Selman Stërmasit!

Ky njeri që i dha Tironës jo vetëm fitore me ekipin e vet, por edhe dinjitet. Atë të shtunë kishte mbërritur në kryeqytet, ekipi shkodran … Ndërsa ishin duke ikur për në shtëpitë e tyre, bashkë me Rexhep Spahiun, përballen me disa lojtarë të ekipit mik. Ishte vonë dhe ju duk çudi se si nuk ishin nëpër dhoma. Mëson prej tyre se atë natë po e kalonin jashtë, pasi nuk kishte vende të lira. Nuk mendohet dy herë dhe i drejtohet shokut të vet:

– Rexhep, gjashtë do i marr unë, gjashtë ti. Nuk mund t’i lëmë jashtë. Këta kanë ndeshje nesër dhe duhet të çlodhen e qetësohen. Dhe ashtu u bë. Kujtojmë se shkodranët nuk do të luanin me “Dinamon” apo “Partizanin”, por me ekipin “Sport Klub Tironën”…

Na vjen mirë, që në të gjitha fotografitë, Selman Stërmasi jepet në madhështinë dhe bukurinë e tij fizike, në lumturinë dhe kënaqësinë e përhershme shpirtërore. Sepse, faktikisht pas vitit 1946, jeta e tij ka qenë shumë e vështirë. Për vite me radhë ai vuajti edhe për bukën e gojës. Rrënqethet dhe përlotet bashkëshortja e tij, Nezihati, kur kujton atë kohë. I vjen keq që shiti të gjitha orenditë dhe sendet e shtëpisë. Ato bizhuteri të çmuara që familja ia bëri për pajë. Por edhe në këtë varfëri, nuk e shitën dot dashurinë që u kishte falur “Tirona”. E vetmja relike e dasmës së tyre, është një pasqyrë e bukur metalike që klubi u bëri dhuratë. I mbyllur në vetvete dhe në të shumtën e ditëve edhe në shtëpi, Selman Stërmasi përjetonte vdekjen për së gjalli.

Pas disa vitesh, kur kishin dalë të tjerë armiq më të rrezikshëm për pushtetin popullor, një miku i vet, ish-futbollist Nasi Marjani, me post të rëndësishëm në Kombinatin e Drurit “Misto Mame”, i ofron një vend pune. Në një nga fabrikat e mobilerive, lyente me bojë vaji, dollapët. Nuk iu gëzua vetëm punës, por edhe të drejtës që fitoi, për të patur familja e tij triskën e bukës. Kaluan pak muaj dhe dikush nga Partia, thërret në zyrë Nasin, duke i tërhequr vërejtje pse i kishte dhënë atë punë të lehtë, Selman Stërmasit. Vetëm punë e lehtë dhe e pastër nuk mund të quhej ajo. Duke i kërkuar mirëkuptim, Nasi thërret Selmanin për ta kaluar në një punë tjetër. Tashmë, ai njeri i nderuar nga një Tironë e tërë, ndjehet i turpëruar edhe nga vetja kur ngarkon dhe shkarkon vagonët me dërrasa.

Dhe përsëri ai burrë, mbeti zotni në jetën e përditshme pa u ankuar në shoqëri dhe në familje. Nuk grindej ai, por filloi të humbte qetësinë, Nezihati.

– Qyqja mor Selman! Je bërë si rrob lufte… Por lahu mor burrë pastaj shtrihu!

I lodhur, i drobitur fizikisht dhe shpirtërisht, sa kthehej në shtëpi, platitej mbi krevat pa ndjenja. Në një nga ditët në vazhdim, Selmani harron në shtëpi qesen e bukës. Nga dreka, bashkëshortja i hipën autobuzit dhe zbret në Kombinatin e Drurit. Asnjë pengesë nuk i krijon roja për t’i çuar ushqimin atij njeriu të dashur, që e kishte ndjekur në çdo ndeshje që luante Selmani. Mirëpo çfarë të shikonte, e shkreta grua?! Iu këput shpirti, tek shikonte bashkëshortin e saj, duke shtyrë vagonin… Nga ajo ditë, Nezihati jo vetëm kafshonte gjuhën, por i hidhte edhe një mbulesë të shoqit, të drobitur nga lodhja e tmerrshme.

I dërmuar fizikisht dhe i shkatërruar shpirtërisht! Edhe në stadium filluan të mos e linin. Ndërsa po dilte nga një ndeshje futbolli një njeri civil i kollarisur dhe i krekosur e tërheq mënjanë dhe e paralajmëron:

-Nëse nuk do të keqe më të madhe, mos ec më në stadium. Kjo të jetë e fundit herë!

E privuan dhe nga kjo kënaqësi, e vetmja mundësi për të pudrosur plagët e shpirtit. Nuk deshte të rrezikonte më shumë as për veten dhe as për familjen. Pa atë ndjesi, ankthi i jetës iu shtua edhe më tepër. Veçanërisht, të shtunave dhe të dielave të futbollit. Edhe më torturuese, ditët kur ekipi ynë përfaqësues, luante në Tironë takime ndërkombëtare. Nuk mungojnë kujtimet e bashkëshortes për këto raste.

Kishte ardhur për eleminatoret e kampionatit europian, ekipi turk. Paçka se miku i tij, fisniku Fatmir Frashëri, i kishte prurë si gjithmonë, biletën e tij, ai mallkim i poshtër, ia privonte këtë kënaqësi. Futet në dhomë, shtrihet mbi krevat dhe i mbytur në pikëllim shpërthen në lot dhe ngashërim:

– Po çfarë dreqin i kam bërë Zotit, që më bën të vuaj kaq shumë?

Nuk duron, Nezihati dhe nga cepi tjetër shpërthen dufin e saj:

– Ishallah o Zot, humbasin!

Menjëherë, drejtohet ai lis i rrëzuar dhe i drejtohet të shoqes:

– T’u thaftë goja! Mos e thuaj këtë fjalë se është Shqipëria!

Mësojmë se Nezihati e ka ndjekur Selmanin në çdo ndeshje që ai luante. Është një dashamirëse për të mos thënë edhe specialiste futbolli kur e dëgjon të flasë për një takim futbolli. Nga viti 1993, ajo nuk i ndjek takimet në stadium. Jo se i është zbehur dashuria për bardheblutë, por, sepse i është shtuar edhe më tepër malli dhe krenaria për Selmanin. Emocionohet dhe i duket sikur i ngjallet bashkëshorti kur dëgjon në radio dhe televizion, shqiptimin: stadiumi “Selman Stërmasi”. Peng e ka që nuk arriti ta gëzoi këtë vlerësim edhe ai…

Selman Stërmasi, presidenti i parë I “SPORT KLUB Tironës”

o 9 maj 1908. Lindi në Tironë

o 1925. Anëtar i kryesisë së shoqërisë “Agimi”

o 1926. Një nga themeluesit e shoqatës “Sport-Klub Tirona”, duke i ofruar edhe ndihmë financiare

o 1928. Kryen studimet në Akademinë e Edukimit Fizik të Romës

o 1930-1938. Në shtatë sezone futbollistike, gjashtë herë kampion kombëtar me ekipin “Sport Klub Tirona”, duke u spikatur në lojën e fortë, elegancë dhe teknikën e lartë.

o 1934. Rekordmen në kërcim së larti me rezultatin 1.71 m.

o 1933, 1934, 1935. Pjesëmarrës në Olimpiadat Ballkanike të organizuara përkatësisht në Athinë, Zagreb dhe Stamboll.

o 1937. Presidenti i parë i “Sport Klub Tironës”.

8 prill 1939. Organizator i demonstratës antifashiste që u zhvillua në Tironë.

o 1944-1946. Trajner i “Sport Klub Tironës”. Ekipi del nënkampion dhe zhvillon disa takime ndërkombëtare me skuadra të njohura jugosllave, si “Ylli i Kuq”, “Lubjana”, “Maqedonia”, “Metallac”, “Buduçnost”, etj.

o 1945. Rikrijohet Federata e Sporteve të Shqipërisë, duke qenë anëtar i Këshillit të saj.

o 1946. Largohet në mënyrë demonstrative nga konferenca e organizuar, duke kundërshtuar vendimin për ndërrimin e emrit të klubit nga “Sport Klub Tirona” në “17 Nëntori”

o 9 nëntor 1976. Ndahet nga jeta pas një sëmundje të rëndë, azotemi në veshka.

o 26 maj 1993. Këshilli Bashkiak i Tironës vendos që stadiumi “Dinamo” të emërrohet stadiumi “Selman Stërmasi”.

Vlerësime për Selman Stërmasin

XHAVIT DEMNERI, Mjeshtër i Merituar Sporti:

“Unë duke ditur se sa i ka dhënë Selmani futbollit, them se nuk e meritoj përpara tij, titullin Mjeshtër i Merituar Sporti”

ZINI GJINALI, Mjeshtër i Merituar Sporti:

“Ai s’ka pasur kurrë minuse, ishte i ndershëm dhe ia kushtoi të gjithë jetën futbollit”

Riza Lushta: “Qani, qani për Selmanin tonë të dashur”

Ështe pikëllimi i të madhit Riza Lushta, si të kishte humbur vëllanë e vet.

“Me hidhërim të madh muarëm sot lajmin e trishtueshëm, humbjen e Selmanit tonë të dashur. Nuk e merrni dot me mend se ç’brengë të thellë na la. Kujtim i tij do të mbetet i paharrueshëm për shokun dhe për vëllanë e tij, që nuk do ta harroj kurrë. E di që asnjë ngushëllim nuk vlen për ju në këto çaste aq të hidhura, qani, qani Selmanin tonë të dashur. Edhe unë, megjithëse larg, jam pranë jush dhe qaj mikun tim të shtrenjtë”.

E Lushtës që luajti me “Juventusin”, 80 ndeshje dhe shënoi 42 gola. Me siguri, jo pak prej tyre dedikuar mikut tij të shtrenjtë, Selman Stërmasi. E filluan bashkë si lojtarë te “Sport Klub Tirona”, duke u shpallur edhe kampionë. Më pas, Selmani bëhet president i klubit dhe Rizai vazhdonte të shkëlqente në fushën e blertë. Një president me kompetenca profesionale dhe administrative, duke ecur në të njëjtën hap me përvojën perëndimore. Mbi bazën e kontratës së rregullt, krijon mundësinë që Riza Lushta të kalonte me “Barin” dhe më pas me “Juventusin”. E njëjta praktikë u ndoq edhe për Naim Kryeziun, që kaloi te “Roma” ku atë vit, u shpall për herë të parë kampione e Italisë. Një jetë, i mbetën mirënjohës dy yjet kosovarë Selman Stërmasit. Edhe pse të dy palët jetonin në dy vende me sisteme politike ekstreme, ata për asnjë çast nuk e humbën korrespondencën mes tyre. Letra të përjavshme, por edhe shumë dhurata në adresë të Tironës. Në vitet 60′ atëherë kur edhe radiot ishin të pakta, Selmanit i vjen nga Italia televizori. Edhe më “e rëndë” pakoja në vitin 1968. Në kuadër të kupave të Europës, “Torinoja” e Italisë do të luante në Tironë me “Partizanin”. Më shumë se sa për këtë short, Lushta dhe Kryeziu gëzojnë për shansin e krijuar. Me një shokun e tyre, futbollist i “Torinos”, i përgatisin Selmanit zarfin ku kishin futur 5000 dollarë. Por syri vigjilent i Sigurimit të Shtetit kishte kohë që i bënte sytë katër. Kështu, para se mbërrinte zarfi në shtëpinë e Selmanit mbërritën sigurimsat, duke i lëshuar urdhërin e prerë:

– Ditët që italianët do të jenë në Tironë, ti nuk do të dalësh nga shtëpia. Po e kalove pragun do të përfundosh në pranga…

Për ta zbutur edhe më shumë këtë rrezik, bashkëshortja e Selmanit, Nezi, përhap lajmin në lagje dhe fis se, Selmani është i sëmurë. Dyndje miqsh dhe të afërm në portën e Stërmasve… Edhe lojtari italian, bëri të pamundurën për t’u takuar me Selmanin, por askush nuk e ndihmoi. Por edhe gjithçka që ishte përgatitur, e kuptoi. Ndaj, atij dikushi, që i dha “besën” se do ia çonte zarfin Selmanit, ai nuk i besoi.

Ka qenë koha, kur familja e Selmanit, vuante edhe për bukën e gojës… E dinin Rizai dhe Naimi, këtë situatë të keqe që kalonte Selmani si pasojë e kundërshtimit të vendimit të Partisë, për t’i ndryshuar emrin klubit të Tironës. Madje, ishin ndjerë krenar për atë xhest personaliteti që kishte treguar, miku i tyre edhe pse i dinin pasojat që duhej të përballonte. Edhe me këtë shumë parash deshën t’i thoshin, qëndro i fortë se ne jemi me ty.

Nuk ia harruan këtë ligësi që tregoi ndaj mikut të tyre, regjimi komunist i Tironës. Edhe kur bëhej fjalë për të përfaqësuar Shqipërinë. Ajo Shqipëri që mbetej në zemrat e tyre, por ishte e mallkuar për t’u shpërfytyruar, nga ai sistem diktatorial. Nuk deshën të përballeshin me ata që kishin poshtëruar një personalitet dhe njeri të ndershëm si Selman Stërmasi. Ndaj, ftesës së Federatës së Futbollit Shqiptar ia kthyen përgjigjen, shuplakë:

– Ne kthehemi në Atdhe vetëm kur të na thotë i madhi Stërmasi!

Nga Agron SEJAMINI

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.