Thuhet se mund të ketë qenë ndër të vetmit persona në Tiranë apo edhe në Shqipëri, që ka vdekur nga uria.
Varfëria ka qenë bashkudhëtare e tij ndër vite, ndërsa pastronte banjat publike. E teksa vuante në heshtje injorimin, punën e rëndomtë dhe ngacmimet, Sefer Daja, bejtexhiu i bujshëm në kryeqytet, nuk rrinte pa i kthyer përgjigje në formë tallëse kujtdo që e prekte.

Pikërisht për këtë, shpejt njerëzit do të bëheshin kuriozë për batutat e vargjet që formonte Sefer Daja, njeriu që shumë vite radhazi kishte banjat publike te Partizani i Panjohur, si strehën e tij. Ka qenë një burrë relativisht i shkurtër, që mbante brekushe e qeleshe të bardhë. Me një fytyrë ku rrudhat shtoheshin sa herë që në mendje i vërtiteshin halle. Me veshët pak të mëdhenj e një hundë që nga dobësia i varej mbi buzë.

Ky është portreti i Sefer Dajës, njeriut që të gjithë qytetarët e kahershëm të Tiranës kanë dëgjuar ndërsa mbajnë mend vargje të dala nga goja e tij. “Hone pri deti na paske ardhë, midis Tironës ke zonë ven, kaptinën ma paske si koqe dardhë, do me na dhonë ene men”.

Varfëria

Sefer Daja ka lindur në Tiranë më 1897 dhe ka vdekur më 1977 po në Tiranë. Ai rridhte nga një familje e varfër, por që para vitit 1945 konsiderohej të kishte një copë tokë e një shtëpi. Pas kësaj periudhe atij iu konfiskua gjithçka kishte, ndërsa jeta i mori teposhtë. Varfëria u bë bashkudhëtare e tij për shumë vjet, deri sa vdiq.

Duke mos pasur shkollë ai fillimisht punoi si ndezës i sobave të tutkallit në Ndërmarrjen e Punim Drurit “Misto Mame”. Pas kësaj ai punoi deri sa vdiq pastrues i banjave publike të Tiranës, por më shumë u caktua përballë kinema “Partizani”-t dhe te rruga e “Elbasanit”. Banorët e kahershëm kryeqytetas e njohin të gjithë. Shpesh batutat e tij i bënin të mbanin barkun me dorë nga të qeshurat, batuta që ironizonin çdo gjë.

Sefer Daja rrinte vetëm e gjithë jetën e tij kohën e kaloi duke vuajtur varfërinë e tejskajshme. Ka qenë familja autoktone tiranase e Myslym Sulës, që banon në rrugën e “Xhafëve”, shtëpia që ka pritur e përcjellur bejtexhiun e varfër. Ato nuk kishin kurrfarë lidhje gjaku më Seferin, por thjesht e ndihmonin duke i dhënë pak ngrohtësi familjarë. Kur Sefer Daja vdiq më 1977 ishte djali i madh i kësaj familjeje Aliu, i cili mori përsipër të gjitha shpenzimet për drekën mortore.

Ndryshe

“Edhe sot kur mendoj, çuditem sesi ai regjim, që krijoi ligjin famëkeq të agjitacion-propagandës, nuk arriti t’ia mbyllë gojën plakut artist, që e thumbonte orë e çast pa e çarë kokën fare”, thotë autori i librit Haxhi M. Deliu, i cili sapo ka nxjerrë në treg botimin më të ri “Sefer Daja nëpër bejte”. Skicat e librit i ka bërë Bujar Kapexhiu, ndërsa autori shton se bejtet janë origjinale e po kështu edhe historitë përbri tyre. Dhe në fakt të gjitha bejtet e Sefer Dajës edhe pse në një farë mënyrë paksa banale, kujtojnë probleme të theksuara të shoqërisë.

Ai mund të shante shtetin, të bënte ironi me tollonat, apo me ushqimet që s’kishte nëpër dyqane, me natën e mirë që duhej të bënte hallvë por që s’kishte sheqer për të blerë… me policët e sigurimit, me rininë që dilte me duar në xhepa sepse s’punonte, me pushtimin e Tiranës nga të ardhurit… Kur lexojmë bejtet e Sefer Dajës, edhe pse tashmë e dimë, përputhim faktet. Ai vë në vargjet e tij të ardhurit më të shumtë që janë kryesisht nga jugu e ato pak të tjerë që janë nga veriu. Tipike e Sefer Dajës ka qenë përdorimi i fjalorit të rrugës, por që në rastin e tij i shkon në krahasimet e bëra. Ka shprehje të Seferit që kanë marrë forma të ndryshme ndër vite, në aspektin e dialektalizmit, por ato mbeten të njëjta. “Rinis i ka hik itibari, una jom njeri pa shkollë. Po mustaqe ka ne K… me e marrë hollë-hollë”.

Shprehja e Sefer Dajës ka shpërthyer në ato pak vite liberalizimi dhe lidhet me ata njerëz që duke lënë mjekra e mustaqe të gjata, duke imituar politikanët sovjetikë, mendonin se ngjanin më mirë. Pikërisht kjo është përgjigjja që tre djem të rinj me mjekra morën nga bejtexhiu pastrues, pasi e pyetën se kush është më i bukri. Bejtet e Sefer Dajës tashmë janë bërë pjesë e historisë kryeqytetase, madje dhe të banorëve më të rinj, të cilët përballen me vargjet gjithë kunja e nëse janë kuriozë për burimin, ky ka qenë Sefer Daja.

Libri më i fundit i Haxhi M.Deliu

“Sefer Daja nëpër bejte”, është libri më i fundit i sjellë nga autori Haxhi M.Deliu, një libër që i ka kushtuar vite pune, për të mbledhur bejtet e papara të personazhit tiranas. Duke qenë një nga njerëzit që e njihte personalisht Sefer Dajën dhe batutat e tij, ai vendosi të na shuajë të gjithëve kuriozitetin se cili ka qenë bejtexhiu që s’mund të rrinte dot pa folur. Në librin e tij më të fundit, që vjen pas 5 botimeve të tjera, bashkëpunëtor ka qenë miku i tij Bujar Kapexhiu, i cili ka mundësuar bërjen e karikaturave për të ilustruar situatat e vërteta. Haxhi M.Deliu është një tiranas i hershëm autokton. Ai ka mbaruar Liceun Artistik e pikërisht në këtë periudhë ka njohur Sefer Dajën. Autori ka punuar si regjisor teatri e estrade e më pas si mësues në Shkollën e Kuqe për 35 vjet.

Bejtet

Për vajzat

Notën nuk bon me dalë

Se osht pun shumë e keqe

Të fusin rrotën ndër shalë

E ta varin me teneqe

Për prostitutat

Kjo dynjo saju me rrena

Koha ka fillu me u ngrof

Ju jeni përcëllu nga mrena

Përjashta dashki me u ftof

Adolishenteve

Je pa ndoj herë n’pasqyr mi Gocë?

Sa shpejt na bone për vehte

Me kët surrat si bretkocë

Ene me t’ecmen si puldete

Me fuksin

Për kto punë s’je mo i ri

Të paskan dhonë motor me bojë

E shof se trutë ti paskan dhi

Dashkan me ta fut ene në gojë

Ushtarit

Ty ushtar të paska humbë luga

E don prej meje me ta falë

Ndoi ditë paska me të humbë ene çuka

Shife a e ke ndër shalë?

Provincialit

Do me ditë vaktin shejtoni

Po shyqyr shejton s’kom ndodh

Dil te Kinema Partizoni

Ene shif sahatin e modh

Malsori Druvar

Hyni malokui shpejt si era

Sharrë e sopatë në Gozhdë me i varë

Pa mbërrit hala ke dera

Na i shkunë pordhët Litarë

Paske ardhë hone prej Lume

E rrin n’Tiron pa siklet

Hik e laje ate dreq sume

Masanej ec e bojmë muhabet

Vajza me biçikletë

Tu tek si dacit për zorrë

Nji kjo fjal osht e vërtetë

Yt atë s’ka pas as gamor

Ti na paske hyp m’biçikletë

Llogaritarit

Si s’tu thy moja e kalemit

Ti s’ke majt as nonë e as babë

Kur ti gjindet dermoni ktij temit

Ke për t’msu me bo hesap.

Xhepistit

Ti dukesh që je hajdut

Je njeri pa statut

Ndoji ditë mor hund lopatë

Paske për të vjedh dhe të t’atë.

Sportistin e Tironës

Je bo dy metra i gjatë

Po dymdhjet të rri sahati

S’e marr vesht si t’ma yt atë

Se ty s’të ze as krevati

Me bejtexhiun anonim

Për bejte të paska zon sevdaja

Je pa din e pa Imonë

Po të them una Sefer Daja

Ktë bejte shko knoja sat’om

Adoleshenten

Je tu nejt shumë me siklet

Osht tu ardhë vakti i bukës

Hik në shtëpi shpejt e me lezet

Se po të shtyp ndoj makinë rrugës

Me djalin gricës

Shif punët e tuja, shko drejt rrugës

Ene mos ja me u tall me mu

Shif sa e paske ullukun e hunës

Sa me t’fut i koqe ftu

Me studentë nga Labëria

Jom tuj mendu kahone

Po s’po dij fijen ku ta kap

Ju thoni që ini prej Tirone

Po demete qekeni lab

Me jabanxhinjtë

Qe Tirona veç tironsa,

U mbush plot me tiranas

Drek e Darkë, mjes e mromje

Ul e ngre, hanë vetëm pras

Plazhistët

Jon nis çunat me shku n’plazh

Me u shullu në atë rreze dilli

Veç bukë e djathë ne domate

Mrapa ju vje majasëlli

Të ardhurit

U shkul në Tironë, veriu dhe jugu

Thonë:-Kimi ardhë për t’ju mësu

U kënoqën çunat e Tironës

Se plot goca na keni pru

Rinia pa punë

Jon mbledh çunat tufë si sqep

S’kon zonë punë hala me dorë

Asnji lek s’e kon në xhep

Veç sillen rrugëve si gamorë

Me policin

Vallahi kemi qeveri

S’të le rehat as me u shtri

Se të lësho qenin e zi

E bërtet: Hajt, hik në shpi

Studentëve

Fort student i ri po m’duke

Stilografin mush me bojë

Sytë mi boke si zog squke

Biberonin dashke n’gojë

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.