Skender Sallaku
Skender Sallaku

Duke iu afruar fundit të librit ‘Si qeshnim në diktaturë’ , mendova të lëshoj një bisht shlodhës dhe argëtues me anekdotat më të bukura të treguara nga Skënderi, apo që i janë veshur atij, por që nuk m’ u deshën t’i përdor për ilustrim të kapitujve të librit. Këto ishin tepër të njohura në atë kohë dhe është mëkatë që të mos bashkëjetojnë në një libër me atë që i mblodhi, i tregoi apo i mbajti mbi kurriz.

E përbashkëta e tyre ishte pyetja që u hapte rrugën tregimit. Ishte gati nën zë: e dini këtë të fundit të Sallakut?…

Dalë në fotografi me gomarin

Edhe një emigrant tjetër lexonte shumë fletushkat e propagandës që botonin komunistët  në Shqipëri e i shpërndanin në gjithë botën. Në një ditë të bukur, ai vendosi të kthehej përfundimisht në atdhe. Shokët u munduan ta bindnin që po mashtrohej por nuk arritën dot e kështu emigranti la Amerikën u kthye në fshatin e tij, ku e futën menjëherë në kooperativën bujqësore të atjeshme.

Vite më vonë u dërgoi miqve të tij të ngushtë që kish lënë në Amerikë, letrën e tij të parë dhe të fundit. Bile ajo nuk ish as letër, por një zarf që përmbante një fotografi ku ai, kish dalë duke u ngjitur në mal për të prerë dru, në krah të një gomari.

Fotografia kish një shënim të vogël: “dalë tok me gomarin e dajos, duke u ngjitur në mal. Unë jam ky nga e djathta”

Xheviti thyen rregullat e qarkullimit

Oficeri i Policisë së Qarkullimit Rrugor, i dha urdhër Xhevitit ta mbante makinën.

–   Ti ishe me një shpejtësi më të madhe nga sa e lejojmë! – i tha dhe nxorri bllokun e gjobave.

–   Të lutem shoku oficer, ma fal këtë herë!- iu lut shoferi.

–   Leri fjalët! Si e ke emrin?

–   Të lutem, se kam fëmijë e gjoba më rëndon. Nuk e bëj më, – premtoi shoferi.

–   Falje nuk ka. Ke dëgjuar ndonjëherë të kem falur unë ndonjë shofer?

U lut shoferi një orë të tërë. Oficeri nuk tundej. Shoferi u dorëzua.

–   Si e ke emrin? – i tha më së fundi oficeri që nuk e ndante majën e lapsit nga blloku i gjobave.

–   Xhevit – tha shoferi.

Oficeri ra në mendime të thella.

–   Ik Xhevit, – i tha pas pak, – e mos e përsërit më. Je i pari që fal.

Shoferi gati i puthi dorën nga mirënjohja, i hipi makinës dhe u nis ngadalë.

Me oficerin ishte dhe një polic i ri, i cili kish ndjekur tërë ngjarjen.

–  Pse e fale?- pyeti  polici i ri. – U tregove zemërgjërë!

–  Nuk e bëra nga zemërgjërësia. Të më vrisje nuk dija si shkruhej gërma Xh, se atë ditë që na e mësuan, unë nuk kam qënë në kurs!

Policit i ka ardhur e fejuara nga fshati

Policit Selfo i vjen në Tiranë e fejuara e tij, që rron në fshat. Me që Selfoja është më i dalluari në Format e Edukimit dhe nuk i a gjen shokun në Kursin e Historisë së PPSh, eprorët i japin lejë treditore të shëtisë të fejuarën, me kusht që t’i tregojë asaj hapat vigane që vendi ka bërë nën udhëheqjen e partisë.

E mori Selfoja të fejuarën dhe varda nëpër kryeqytet. E fejuara u mahnit.

–  Sa e bukur Tirana! – thosh me admirim nusja.

–  Është vepër e pushtetit popullor! – i a kthente Selfoja me krenari.

Polici e shpuri të fejuarën drejt e në Kombinat të Tekstileve.

–  Sa i bukur! – tha vajza.

–  Vepër e pushtetit popullor! – avazin Selfoja. – O të dish ti se ç‘shkruan Historia e PPSh-së. Do të ta jap librin me vete, ta marrësh në fshat. Ja  dhe Kinostudjo!

–  Edhe kjo e pushtetit popullor?

–  Po ç‘pandeh ti! Të tëra dora e Partisë i ka bërë! Ja Pallati Gjigand i Kulturës! Mermer i tëri: Vepër e Partisë! Ja Hidroçentrali; Vepër e pushtetit popullor. Vepër e partisë!

Vendosi ta marrë shoqen me tren e ta shpjerë në Durrës. Ajo shihte për herë të parë hekurudhë u mrekullua dhe nuk arriti të hapte gojën.

–  Hiç mos pyet, – i tha Selfoja. – Vepër e partisë!

Kur po i afroheshin Durrësit, u shfaq deti i kaltër i Adriatikut.

– Uaaa! – u mahnit më shumë se çdo herë nusja nga fshati, që nuk kish parë kurrë det me sy. – Çfarë është ky?

– E me, se s’është ndonjë gjë e madhe. Det, i thonë. – iu përgjigj Selfoja.

– Vepër e partisë?

Selfoja u ngrys i tëri.

–  Jo, – ia ktheu hundë e buzë. – Këtë e kanë bërë ata qëna italanët, që më 1939, kur deshën të pushtonin Shqipërinë. E bënë për të zbarkuar!…Të tëra i ke në Histori të Partisë. Do të ta jap librin me vete!

Sa të kanë dënuar?

Në qeli vjen një i burgosur i ri. Shokët e pyesin:

–   Ta bënë gjyqin?

–    Ma bënë.

–    Sa të dhanë? Sa vjet do të rrish në burg?

–     Njëzet e pesë.

–     Po pse, more i zi, ç’paske bërë?

–     Asgjë.

–     Je i sigurtë? Një gjë do ta kesh bërë.

–     Ju betohem: asgjë!

Të burgosurit e vjetër shohin njëri tjetrin dhe nuk dijnë si ta shpjegojnë.

–    E po një gjë do ta kesh bërë zotrote, se kur nuk ke bërë asgjë fare, dhjetë vjet është dënimi!

Burimi: GazetaDita.al

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.