Sali Nallbani sportisti që ngriti i pari flamurin shqiptar në aktivitet ndërkombëtar më 1935 dhe fitoi 26 kupa në takimet jashtë shtetit dhe disa tituj kombëtarë.

Nga fundi i viteve ’30-të, një i ri 26 vjeçar, tiranas, Sali Nallbani, në fund të një rrugice jo larg Lanës, në një lagje tipike tiranase, të kufizuar me familjet Alla dhe Hoxholli, ndërton dy fusha tenisi. Këto fusha i ndërtoi me kursimet e tij duke dhënë mësime tenisi në Itali e duke pasur ndihmën e pakursyer të familjes së tij, e cila i vuri në dispozicion kopshtin e bukur frutor. Sot mbas 70 e më shumë vitesh, të duket çudi që një djalë i ri të sakrifikojë mjetet financiare të tij dhe të familjes për një të ardhme, sporti i tenisit, që nuk ishte e sigurt. Në vend që të rregullojë shtëpinë apo të bëjë tregti siç ishte e kohës, ai bën fusha sportive private.

Kjo tregon kulturën e madhe të tij dhe të familjes se tij, shpirtin dhe dashurinë e tiranasve për të bukurën, sepse tenisi përveç se sport, është elegancë, është art, është ndërthurje e artit me sportin siç thoshte baletmaestri Kanaçi ushtrues i tenisit, është refleksi im siç thoshte portieri i madh Qemal Vogli gjithashtu ushtrues për të perfeksionuar mjeshtërinë e tij. Qëllimi i ndërtimit të fushave ishte përhapja e sportit të tenisit, krijimi i një qendre sportive ku të vinin të rinjtë tiranas. Këtij qëllimi tenis “Nallbani” ia arriti plotësisht duke u bërë për më shumë se 25 vjet, një vatër ë vërtetë sporti dhe kulture.

Tenis ‘Nallbani’ qendër sporti dhe kulture

Në të vërtetë fusha e parë e tenisit, siç thotë vëllai i Saliut, Abdullai, ka qenë pranë bibliotekës ‘Karnevon’ ku është sot kino Ali Demi. Atje në fillim të viteve ’30, Saliu mori mësimet e para të tenisit nga një profesor francez i gjimnazit. Në vitin 1933 një suedez, konsull nderi i Shqipërisë në Stokholm, Franklin Gardlund, merr me shpenzimet e tij, një grup studentësh të gjimnazit ndërmjet të cilëve, përveç Saliut, ishin: Vedat Kokona, që me vonë shkroi librin nga Tirana në Stokolm, Sadik Kaceli, Xhemal Kallçiu etj. Këtu Saliu zhvilloi ndeshjet e para dhe në sy të specialistëve të huaj ra talenti i tij, duke e thirrur në turne zyrtare. Kështu më 1934 në Stokholm del në finalen e kampionatit të studentëve duke zënë vendin e parë dhe duke fituar kupën që është kupa e parë e një sportisti shqiptar në arenë ndërkombëtare. Merr pjesë me sukses në turne të tjera në Berlin dhe Kopenhagen kudo me rezultate të shkëlqyera.

Në korrik 1935 në turneun ndërkombëtar të Stokholmit Nallbani korr një fitore të bujshme duke mundur në finale kampionin e Suedisë Kramer me rezultatin 7:5/8:6 duke fituar kështu kupën e madhe të argjendtë. Kampionin, tashmë ndërkombëtar, e përgëzoi për fitoren, edhe vetë Mbreti i Suedisë Gustavi i V-të (A. Basha: Sali Nallbani-shqiptari i parë që fitoi kupë ndërkombëtare. – Sporti Popullor 4,03,1991). Këtu në këtë takim të rëndësishëm ndërkombëtar, i ngjashëm sot me takimet e mëdha ndërkombëtare, ushtoi hymni ynë kombëtar.

Ndeshje ne fushen Tenis Nallbani
Ndeshje ne fushen Tenis Nallbani

Këto ditë në gazetën ‘TemA’ gazetari i mirënjohur Dizdari shkruante për 65 vjetorin e shfaqjes së futbollit shqiptar në Evropë me futbollistët e klasit botëror Lushta, Kryeziu dhe Boriçi. Por ja tenisi qenka më i vjetër, 70 vjeç, dhe me një protagonist mjeshtrin e madh Sali Nallbani. Gjatë veprimtarise të tij sportiv Nallbani fitoi 26 kupa në turnetë jashtë shtetit dhe disa tituj kombëtarë. Saliu nga ana fizike ishte me gjatësi mesatare, por me konstrukt të lidhur.

Nga ushtrimi i tenisit krahu i djathtë ishte dukshëm më i zhvilluar se i majti. Nga ana teknike zotëronte në mënyrë të barabartë të dy krahët si reverin ashtu edhe drajfin, kurse taktikisht ishte i përkryer, preciz në topat në të dy anët e fushës për të lodhur kundërshtarin. Ishte i aftë ta dërgonte topin në gjysëm m2 për 50-60 herë radhazi. Stili i lojës tij si edhe fiziku i tij më kujtojnë tenistin e madh suedez Lendel të disa viteve më vonë, numri 1 i botës për mjaft kohë.

Mbas vitit 1944 për takime ndërkombëtare as që mund të bëhej fjalë. Kështu mbas studimeve në Itali, Saliu që mund të ushtronte talentin e tij kudo në Evropë dhe kjo gjë iu afrua, kthehet në Shqipëri si shumë të rinj të tjerë, me idenë e fiksuar për zhvillimin e tenisit të tij të dashur duke sakrifikuar karrierën e tij sportive të shkëlqyer. Dy fushat e para u ndërtuan me përmasa ndërkombëtare me sistem drenazhimi në formë kurriz peshku dhe shtresa çakëlli e granili deri tek mbulesa me pluhur tulle të ngjeshur. Fushat rrethoheshin me tel të lartë dhe në mes tyre ishte një shatërvan e gjelbërim i përhershëm.

Frekuentuesit e parë të tenis “Nallbanit”, kështu i mbeti emri në kohë, ishin intelektualët e njohur të kohës: Isuf Vrioni, Abdulla Sheri, Hasan Meniku, Petro Konomi etj.. Tenis ‘Nallbani’ ishte një klub i vërtetë jo vetëm sportiv po edhe kulturor. Aty organizoheshin takime gazetarësh biseda kulturore e mbrëmje vallzimi. Nuk është e rastit që disa nga personat e përmendur më sipër ishin personalitete të kohës dhe për veprimtarinë e tyre përfunduan në burgjet komuniste.

Shpirti i tenisit ishte i palodhuri Sali. Ai së pari, ishte praktik dhe si në çdo biznes sot, organizoi familjen e tij. I jati xha Ymeri siç i thonim ne, merrej me mirëmbajtjen e fushave, të tjerët me punë më të vogla, por të gjithëve u futi në shpirt lojën e bukur të tenisit. Vëllezërit Abdulla, Qazim e Shpëtim, motrat Ballkize e Fatime, e djali Franko, të gjithë u bënë tenistë të zotë dhe pjesëmarrës në kampionate lokale dhe kombëtare në disa prej të cilëve edhe fitues.

Çifti më interesant i fundit të viteve ’30-të dhe fillimit të viteve ’40-të, ka qenë padyshim dueli midis Sali Nallbanit dhe Isuf Vrionit. I pari vinte mbas një përvoje jo të vogël ndërkombëtare, kurse Isufi kishte luajtur jashtë, por jo ne takime agonistike të mëdha. Më të shumtat e herëve triumfonte përvoja e Nallbanit karshi forcës së Vrionit. Vrioni shpejt përfundoi në burg për 17 vjet me radhë. Në vitin 1962 iu afrua përsëri fushave të tenisit, por këtë herë për shumë arsye, jo në aktivitet agonistik.

Më 1945 si çdo veprimtari vetjake edhe fushat e tenisit u shtetëzuan, por Saliut iu la mirëmbajtja e tyre duke qenë se ato ishin pranë shtëpisë. Brezi i tenistëve të asaj kohe, siç kujton Abdullai ishin Vanci Luarasi, Stavri Bellovoda, Agim Dizdari, Suzan Pojani, Hysen Filja dhe pak më vonë Hajdar Pepa. U aktivizuan edhe femra si: Ballkize Nallbani, Vjollca Greblleshi, Safete Beshiri, Lumnije Vokshi etj..

Kur të përmendësh tenisin nuk është e mundur mos të kujtosh Sejfulla Malëshovën dashamirës dhe lojtar shëmbullor. Sejfullai vinte, me biçikletën e tij, si kur ishte ministër, ashtu dhe kur doli “oportunist”. I rregullt, me raketë rezervë dhe me grintë loje. Mbas internimit në lejet e ralla që kishte, vizitën e parë e bënte te miku i tij i vjetër i mërgimit Reshat Këlliçi dhe pastaj ashtu vjedhurazi kalonte te tenisi, që ishte fare pranë ashtu për t’u çmallur, në shoqërinë e vazhdueshme të “hafijeve”.

Cast nga nje ndeshje ne fushen Tenis Nallbani
Cast nga nje ndeshje ne fushen Tenis Nallbani

Në vitin 1951 Saliu hapi rrethin e tenisit për fëmijë ku pjesëmarrës ishin së pari sigurisht djemtë e lagjes Luan dhe Adnan Këlliçi, Alliu, Alla, Hoxholli, Gjoca etj., që më vonë në vitet ’50-’60 u bënë protagonistë të garave duke u ndeshur edhe me mësuesin e tyre. I biri i Saliut, Franko, u bë kampion kombëtar në vitin 1963. Duelet e përvitshme të asaj kohe ishin midis Familjeve Nallbani dhe Këlliçi. Si pjesëmarës i atij rrethi, nuk mund të harroj tregimet e profesorit, mbas mësimit teorik, për vendet nordike, për kulturën dhe edukatën e tyre mbasi për mjaft kohë ai kishte jetuar atje. Këto ne fëmijëve na bënin shumë përshtypje mbasi nuk i dëgjonim as në shkollë as kurrkund tjetër.

Në vitin 1964 tenis ‘Nallbani’ u prish, sepse aty kaloi rruga “Mylym Shyri” dhe u ndërtuan godinat brinjë saj që janë edhe sot. Sigurisht Saliut i erdhi keq, por nuk e humbi kurajon. Energjik siç ishte gjeti një vend pranë fushave të tij ku kalonte Lana e vjetër. Mua më ngarkuan të bëj projektin. Por nuk ishte i lehtë miratimi i tij, sepse tenisi quhej “sport borgjez” i disave dhe jo i masave dhe kështu s’kishte pse të luhej më. Me përpjekjet e tij dhe disa dashamirësve të tenisit me influencë, më në fund u ndërtuan më 1965, katër fusha tenisi prej dheu që me përpjekjet e Luan Këlliçit u asfaltuan dhe u rrethuan më së miri shumë vjet më vonë më 1990.

Mbas vitit 1965 sigurisht që u zhvilluan gara të tjera dhe pati protagonistë të tjerë nga të cilët nuk mund të lë pa përmendur vetëm një: Perlat Voshtinën që përveçse lojtar i talentuar ishte edhe President i Federatës së Tenisit.

Qëllimi i shkrimit nuk është të radhis se si janë zhvilluar dhe kush i ka fituar kampionatet. Është detyrë e atij që do të hartojë historikun e tenisit të radhisë data e ngjarje, duke mos harruar të parin: Profesor Nallbanin, sepse megjithë vështirësitë e panumërta si gjetja e raketave e topave që për atë kohë, që ishte problem buka me triska, ai arrinte t’i organizonte ato. Një gazetar anglez, i ardhur para disa vjetësh në Tiranë, njoftoi se fotografia e Sali Nallbanit ndodhet në tabelat e nderit të sportistëve të shquar të kontinentit në salla speciale sportive në Londër. {A.B. 4-03-1991}. Sa e çuditshme aq e pabesueshme! Kampionin tonë e nderojnë të tjerët dhe këtu jo. A nuk është koha që këndi i tenisit që përmenda të mbajë emrin: “Tenis Nallbani”?!

Sot “zanatin” e familjes pra atë që është më i rëndësishmi, të trajnerit, e vazhdon me pasion dhe cilesi nipi i Saliut, Fatos Nallbani. Dhjetëra tenistë kanë dalë nga shkolla e tij. Ai stërvit fëmijë që nga mosha 6 deri 16 vjeç. Edhe pjesëmarësit e garës që po zhvillohet këto ditë për këto mosha, janë nxënës të tij, ashtu siç ishin të xhaxhait të tij, kohë më parë. Kushdo që ta fitojë finalen Lauka apo Ngjeqari, që të dy tenistë të talentuar, do të jenë të pregatitur nga shkolla ‘Nallbani’.

Orhan Sakiqi, GazetaTema, 16-04-2004

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.