Mendohet se të parët e familjes Kaceli të Tiranës kanë jetuar në fshatin Dajt. Ky mbiemër, sot gjendet edhe në Bel të Matit, në Dibër të madhe, madje deri në Greqi (Kacelis), çka do të thotë se ato duhet të kenë lidhje të hershme (ndoshta deri gjashtë breza).

Ajo që është e sigurtë fillon nga gjyshi i Sadikut, Ismaili, që i mbetur jetim largohet i vogël nga Tirana, në moshën 14-15 vjeç. Jetoi gjatë në Bagdad dhe shkollohet në Egjipt. Duke bërë karrierë ushtarake dhe duke ushtruar aktivitet tregtar, pat fatkeqësi me familjen e krijuar atje, i vdes e shoqja (vajzë vendase) dhe dy djemtë, çka bëri që ai të kthehet menjëherë në Atdhe.

Nga martesa e dytë pat katër fëmijë, prej të cilëve, Osmani kishte vetëm djem, ku më i vogli ishte Sadiku. Për Ismailin, që ishte vrarë në luftën e Shkodrës kundër malazezëve, në veprën e tij “Lahuta e Malësisë”, Gjergj Fishta shkruan:

“Merr Kacel nji herë lahutën

e na thuej nji kangë Shqipnije…”,

Dëshira për kulturë dhe shpirti arsimdashës i tiranasit u shpreh jo vetëm te i ati, por edhe te vëllezërit e tij, që, duke e mbështetur gjithnjë dhe dukshëm atë, patën kontribut të rëndësishëm në formimin e Sadikut. Që në vegjëlinë e Sadikut, ata kishin parë te ai aftësinë dhe talentin për pikturën.
Veç kësaj prirje, kur në moshën dhjetëvjeçare, krahas vizatimeve dhe akuareleve të vogla, Sadiku kishte bërë edhe portretin e babait të tij, për të, u bë pasion edhe fotografia e muzika (e sidomos violina dhe mandolina). Kjo erdhi edhe falë dyqanit të vetë kacelëve, ku shiteshin objekte zyre, aparate fotografikë dhe vegla muzikore.

Sadiku lindi në vitin 1914. Krahas mësimeve në Shkollën Teknike të Harry Fultzit, prej vitit 1931, ai ndoqi edhe një shkollë vizatimi të hapur nga shteti e ku jepte mësim piktori italian Mario Ridola, piktorët shqiptarë A. Kushi e A. Buza, si dhe skulptori O. Paskali.

Me një seri veprash si portrete e peizazhe në vaj, laps, pastel e akuarel, është fillimi i vërtetë i rrugës së artistit të ardhshëm. Për këtë periudhë të rëndësishme katërvjeçare në këtë shkollë, në shënimet e lëna prej Sadikut, përmenden edhe emra të tjerë, që po ashtu, më vonë, u bënë të njohur, si Ll. Nikolla, F. Pëllumbi, H. Reçi 0 deri te i madhi I. Kodra.

Në moshën 19 vjeçare, ai arriti nivele mjaft të larta. Njohja e gjuhës angleze dhe italiane që në moshë të re qenë po ashtu tregues dhe faktor të rëndësishëm të aftësive të tij. Falë nivelit të arritur, i lindi dëshira për të vazhduar më tej, diku jashtë Shqipërisë.

Me rekomandimin e gazetarit të kohës Fiqri Llagamit, në shtator të vitit 1936, ai shkoi në Paris, ku u njoh edhe me të rij të tjerë shqiptarë që studionin atje, sigurisht për drejtime të ndryshme, dhe që duhet të ishin së paku deri në 50 vetë. Në konkursin e organizuar me 450 kandidatë në Shkollën Kombëtare të Arteve (Ecole Nationale Superieur des Beax Arts), ishte ndër 65 më të mirët për“ pikturë e skulpturë. Rezultatet filluan të dukeshin shpejt, madje që në konkurset e para, ku falë cilësive të tij, ai u vlerësua edhe me çmime të ndryshme. Brenda vitit, arriti nivele të larta edhe në gjuhën frenge.

Disiplina e rreptë e shkollës ndikoi në formimin e tij si piktor realist; ndërsa atmosfera kulturore parisiene si piktor modern. Detyrës së studentit, ai ju përkushtua totalisht, qoftë me angazhimin në shkollë, ashtu edhe me vizitat e pandërprera në muze dhe ekspozita. Po gjatë viteve të studimit, ai mori pjesë edhe në dy ekspozita.

Në punimet e tij (vaj, afresk, gravura etj.), veç temave të atjeshme, ai, asnjëherë, nuk harronte të trajtonte edhe motive nga Atdheu i tij. Duke mbetur përherë i lidhur me Shqipërinë, interesohej edhe për mbarëvajtjen e shkollës ku kishte mësuar, që e deshi dhe e vlerësonte aq shumë. Piktori, gjithnjë, duhet të jepte atë që ndjente.

Megjithëse miqtë e shumtë që kishte krijuar në Paris, falë vlerave të arritura, e ndihmonin duke shitur disa nga punimet e tij, ngjarjet e kohës ndikuan edhe te Sadiku. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste, vitet e luftës botërore, gjendja e vështirë ekonomike, shëndeti i nënës së tij etj., bënë që ai të kthehej në Tiranë në vitin 1941. Ai refuzoi propozimet për të punuar si piktor me autoritetet italiane, por u angazhua vetëm si mësues i thjeshtë në Gjimnazin e Tiranës.

Shtepia e Kaceleve 1943, Punim ne leter, Koleksioni Kaceli
Shtepia e Kaceleve 1943, Punim ne leter, Koleksioni Kaceli

Pas një qëndrimi të shkurtër në Kosovë, ai shkon për disa muaj në një atelie afresku në Akademinë e Arteve të Bukura të Firences, ku u njoh dhe lidhi miqësi edhe me personalitetin e ardhshëm të muzikës shqiptare, Ramadan Sokolin dhe për të cilën Sadiku thotë se “ishte një miqësi nga ato që zgjasin tanë jetën”, çka u provua edhe në vitet e vështira të diktaturës komuniste. Në Firence, ai punoi pak në pikturë, por ndoqi me zell kursin në Akademinë e atjeshme.

Pas çlirimit të vendit, Sadiku është mësues në shkollën e parë artistike të Shqipërisë, Liceun Artistik, të hapur në dhjetor 1946, ku, duke dhënë disa lëndë, punoi deri sa doli në pension në vitin 1970. Më pas, ai u thirr përsëri, por si mësimdhënës i jashtëm. Në vitet e para të pasluftës, kur artistët shqiptarë, me shumë entuziazëm, dhanë kontribute të rëndësishme;

Sadikut ju besua Stema e Republikës me elemente përbërës shqiponjën, grurin, yllin dhe datën, mision të cilin e realizoi me mjaft sukses dhe që u aprovua unanimisht nga Kuvendi Popullor. Ky piktor zgjidhi edhe probleme të tjera të vështira dhe sidomos në gjininë e pllakatit, që sipas shumë gjasave duhet të jenë të parat; sikurse ishte po ai që përshtati elementin yll dhe përmasat e tij në flamurin shtetëror.

Në vitet 50-60 shënohen prej tij arritjet më të mira në gjininë e kompozicionit, të nisur me guxim që kur ishte student në Paris.

I biri i Sadikut, Buroni, po ashtu piktor, kujton se kishte dëgjuar prej tij që, “akti i krijimit është hyjnor dhe për këtë falënderonte gjithnjë Zotin”. Mendimet mbi artin e pikturës dhe sidomos mbi vlerësimin e ekspozitave apo të aktiviteteve të ndryshme artistike ishin një angazhim tjetër i Sadikut, ku me plot kopetencë ai ishte gjithnjë i pranishëm edhe në shtypin e kohës.

Jeta familjare, e krijuar më 1943 me tiparet më të mira tiranase, dhe nga e cila pat katër fëmijë, shkoi rrjedhshëm dhe e qetë deri më 1951. E gjithë familja Kaceli kishte përkrahur luftën nacionalçlirimtare, por sidomos vëllai i Sadikut, Jonuzi që ishte mik i Qemal Stafës. Megjithate, ai u ekzekutua pa gjyq, si ”pjesëmarrës” në hedhjen e bombës në Ambasadën Sovjetike. Me këtë ngjarje, kur familja e ]onuzit u internua, por që vëllezërit e tij i mbajtën gjithnjë lidhjet me të; për Sadikun filloi mënjanimi, që madje ishte mjaft i ndjeshëm me vështirësitë e krijuara. Atë e largojnë nga prona e vet, godina ”Vllazën Kaceli”, fare pranë Kullës së Sahatit, për t’a zhvendosur më tej edhe shumë herë të tjera.

Megjithatë, si besimtar i devotshëm, element që e qetësonte dhe i jepte durim e optimizëm, si dhe i dashuruar pas artit, i cili nuk e tradhtoi asnjëherë e ku gjeti ngushëllimin dhe mundësinë për shprehjen e dufit, ai nuk iu nda kurrë panelit të tij. Njëherësh, gjithnjë vazhdonte të kishte hobi muzikën, kur luante me violinë e mandolinë, dhe fotografinë, me atë koleksion që kishte akumuluar.

Nga kjo gjendje, ai u çlirua vetëm me ngjarjet e viteve 1990-1991, që i mirëpriti me ndërgjegje dhe për të cilat shprehet se ”Ndjeva erërat e reja dhe e kuptova se ndryshimet ishin vetëm për mirë. Më vinte keq se nuk isha më i ri e i fuqishëm, megjithatë nisa të punoj disa peizazhe në periferi të Tiranës”.

Këtij artisti të shquar dhe tiranasi të nderuar, që shumë vonë, vetëm në vitin 1986, kishte marrë titullin ”Piktor i merituar”, nga Presidenti i Republikës, më 1994, ju dha titulli ”Piktor i Popullit”. Në vitin 1998, Bashkia e Tiranës e shpalli atë “Qytetar Nderi”.

Sadik Kaceli, ai artist cilësor dhe prodhimtar, i vlerësuar gjithnjë nga miqtë, kolegët, ish nxënësit dhe kritikët etj., me forma të botuara ose të pabotuara, vdiq në moshën 86 vjeçare, në fund të dhjetorit të vitit 2000.

Nderimit të merituar që i bënë atij tiranasit dhe qytetarët e tjerë, i mungoi ai i organeve shtetërore dhe lokale të kohës. Në faqen 48 të monografisë Kaceli 1914-2000″ thuhet “….i falemi Zotit që Kaceli nuk e pa një gjë të tillë, do t’i dukej se një persekutim i ri sapo kishte filluar”.

Por, ai mbetet ende. Pikturat e tij, veprat e tij janë kudo, jo vetëm nëpër muret e vetë familjes, por edhe të muzeve të ndryshme.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.