Në Galerinë Kombëtare të Arteve Figurative në Tiranë më dt. 15 tetor 2014, me 91 vepra artistike, u hap ekspozita “Retrospektivë” e “Piktorit të Popullit” Sadik Kaceli. Ajo shfaqet para publikut artdashës shqiptar si një ngarkesë emocionale dhe humane nëpërmjet tematikës së portretit të njeriut e peizazhit natyror shqiptar, teknikës së vizatimit, vajit, akuarelit, pastelit, temperas dhe grafikës.

PORTRETI

Portreti për Sadik Kacelin është një nga gjinitë më të preferuara të tij. Ai, me mjeshtëri, në secilin portret ka realizuar artistikisht të individualizojë emocionalisht portretin e personazhit. Ato zotërojnë cilësi vlerash me përmbajtje të thellë shoqërore, kohore, historike dhe kulturore të ekzistencës së tij si njeri dhe artist.

Figurat në portretet e Sadik Kacelit janë bartës të një psikologjie të zymtë, të rëndë e plot dramacitet. Në veprën “Plaku me qeleshe” shikojmë një botë plot hidhërime, sfilitje shpirtërore dhe vuajtje njerëzore. Me një gamë tonale të përmbajtur në monokronin e kafesë, i ka dhënë ngjyrën e mjerimit të njeriut të kohës, të ditës dhe të realitetit të përjetuar prej tij.

Gjithçka, pasoja të një jete të rëndë, i gjejmë të pikturuar me mjeshtëri nga Kaceli: në çdo detaj të pamjes së jashtme të fshatarit, te rrobat e vjetra e të grisura, fytyrë të rrudhur me brazda, mjekër të parruar si gjemba, të cilat, të gjitha së bashku , këto elementë mishërojnë mjerimin e gjallë të kohës së jetuar njerëzore dhe krijuese të vetë artistit.

Në portretet “Fshatari”, vaj 1933, “Mësuesi”, vaj 1933, “Mixha”, 1934, “Dervishi”, vaj 1932, “Dizi”, 1942, “Portret plaku”, vaj 1980, për piktorin Sadik Kaceli, në periudhën e hershme të krijimtarisë, shqetësimet e tij, kanë qenë formimi i individualitetit artistik nëpërmjet kërkimeve të botës, psikologjisë, dramës së njeriut e deri në trajtimin koloristik të tyre.

Kacelin e ka tërhequr te njeriu model krijues artistik edhe fuqia fizike e shpirtërore. Këtyre cilësive preferenciale të tij  u jep një bukuri dhe vlerë të veçantë nëpërmjet shpirtit dhe penelit të tij. Ai ka qenë në portretin e njeriut i mprehtë dhe serioz, fenomen, të cilin e shikojmë në serinë e portreteve të ekspozuar  në këtë ekspozitë “Retrospektivë”. Portretet, në vetvete, po t’i shikojmë  me këndvështrimin artistik, kanë një ngjashmëri kompozicionale tipike kaceliane, të realizuar në formate simpatike dhe në sfonde neutrale të përmbajtur koloristik dhe me një strukturë ngjyrore e piktorike të ngjeshur. Ngjyra dhe vizatimi artistik në portret janë ngjizur si karakter i formës dhe i dhënies së vëllimeve. Forma në portretet e Sadik Kacelit ka karakter monumental. Me gama të përmbajtura e të ngrohta, Kaceli sintetizon thjesht dhe bukur tingëllime ngjyrash të harmonizuara me shije të këndshme si për veprën e tij edhe të artdashësve preferencialë shqiptarë. Nga njëri portret në tjetrin shikojmë përsosjen e mjeshtërisë koloristike të tyre (portreteve). Këtë ai në procesin e krijimtarisë portretiste e ka pasur një preokupim të vazhdueshëm.

Portretet e Sadik Kacelit kanë në themel të vlerave artistike natyrën e gjallë njerëzore. Secili prej tyre ruan me përpikmëri ngjashmërinë e jashtme të modelit, e cila, për të si artist me eksperiencë të gjatë krijuese e mjeshtërore portretiste, nuk është parë si qëllim në vetvete, por si kërkesë e metodës realiste të kohës, rrymës artistike, sistemit politik, ekonomik e shoqëror në Shqipëri, Europë e në botë. Portretet e piktorit Sadik Kaceli, të cilat i shikojmë të ekspozuara në këtë shfaqje piktorike “Retrospektivë”, përbëjnë një etapë të rëndësishme vlerash në zhvillimin e artit shqiptar, kombëtar, historik, patriotik etj. realist të para dhe mbas çlirimit të atdheut. Për formimin e Sadik Kacelit me pikëpamje realiste dhe demokratike kanë ndikuar marrëdhëniet e mjedisit shoqëror të kohës dhe për t’u afirmuar në rrugën e krijimtarisë së lirë tematike, romantike, njerëzore dhe artistike të vërteta. Portretet e realizuara me mjeshtëri nga Kaceli mbartin në vetvete biografinë e pasur të mendimeve e ndjenjave njerëzore në realitetin shoqëror shqiptar të kohës, të jetës dhe ekzistencës  së tyre dhe të vetë artistit protagonist.

Interesante janë edhe autoportretet e Sadik Kacelit, si “Autoportreti me shami”, vaj, 1957, “Autoportreti me qeleshe”, vaj, 1959, “Autoportret”, vaj, 1943, nëpërmjet të të cilëve shikojmë evoluimin që pëson bota e brendshme e tij. Autoportreti i Kacelit na bind të gjithëve, se ai, si krijues vlerash artistike, jo vetëm në portret, por edhe në gjinitë dhe zhanret e tjetra të artit prezanton intelektualin e ri që tashmë ka hyrë i sigurt në rrugën e krijimtarisë së vërtetë artistike dhe që kërkon të konsolidojë personalitetin e vet të pavarur ndaj realitetit. Vështrimi i tij në autoportret tashmë ka humbur në ëndrrën e dikurshme për t’u bërë artist piktor i vërtetë. Ai është bërë kompetent, i aftë dhe serioz në artin e tij. Me pasqyrimin e vetvetes, Sadik Kaceli u thotë artdashësve të kulturuar e dashamirës të tij, nëpërmjet veprës portretiste artistike, ndryshimet në tiparet fizike, botës, psikologjisë dhe karakterit të  formuar  artistikisht, emocional dhe human. Ai, nëpërmjet autoportretit, ndihet më artist, më i besueshëm ndaj vetvetes dhe, për talentin e vet, është më entuziast dhe më ambicioz krijues për të ecur përpara në rrugën e bukur, por edhe të vështirë të artit, të botës artistike të përzgjedhur me subkoshiencë njerëzore prej atij vetë.

Poezia e peizazhit shqiptar të Kacelit

Piktori Sadik Kaceli ka qenë ndaj natyrës dhe peizazhit shqiptar i vëmendshëm, i lirë, romantik, poetik në tematikë preferenciale krijuese, i frymëzuar në ngarkesën lirike ose dramatike të saj dhe në pasionet e tij romantike si artist.

Në peizazhet “Tarracat e Lukovës”, vaj, 1973, “Himara e vjetër”, vaj, 1961, “Lumi Erzen”, vaj, 1959, “Driloni”, vaj, 1995, “Bregdeti”, vaj, 1964, “Tirana me borë”, vaj, 1980, “Liqeni i Shkodrës”, vaj, 1976, “Tirana e Re”, vaj, 1952, “Lukova”, vaj, 1966, “Te kroi i fshatit””, vaj, 1940, “Pranverë”, vaj, 1966 etj. piktori Sadik Kacveli natyrën shqiptare e ka pikturuar ashtu siç e ka parë dhe ndier në të vërtetë. Ai, si mjeshtër i gjetjes natyrore, përfaqëson qëndrimin e  thjeshtë, të ngrohtë poetik të natyrës dhe, si prirje në artin e tij, vizionin e një peizazhi plotësisht të ri, që do të thotë bën një hop të madh në artin e kohës dhe në afrimin e artistit në tërësi dhe të tijin në veçanti si model me frymën e qëndrimin realist. Si mjeshtër i pikturës shqiptare, i është dhënë lirizmit të thjeshtë të peizazhit që kanë pasur interes për të dhe i kanë dhënë hapësirë pikturimi më të natyrshëm. Me pasion e dashuri është përpjekur të pikturojë nën shtytjen e mbresave nga kontakti i drejtpërdrejtë me natyrën shqiptare. Pikturimin drejtpërdrejt në natyrë artisti Kaceli e njëson me paraqitjen e dukurive të saj në kuptimin e tyre më të pastër, pa artificialitete dhe sajesa të kota.

Duke u mbështetur në mprehtësinë e vëzhgimit të drejtpërdrejtë të gjithçkaje spontane e intime të natyrës, ai, artistikisht në vepër, ka materializuar magjinë e pafundme të hapësirës, dritën, atmosferën, qiellin, njeriun dhe tokën shqiptare. Shpirtërisht i lidhur ngushtë me natyrën shqiptare dhe njohës i mirë i saj, piktori Sadik Kaceli e ka pikturuar me besnikëri dhe me nota të thella ngrohtësie e intimiteti. Herë i kthjellët dhe herë i trazuar, herë i pastër e herë me re, së bashku me lojën e dritës natyrore qielli i pikturuar prej tij është shndërruar në një element dominant kompozicional qendror.

Në peisazhet e tij në këtë ekspozitë “Retrospektivë”, me titull “Drilon”, vaj, 1995, “Buna”, vaj, 1986, “Fusha e Koplikut”, vaj, 1968 etj. toka dhe qielli janë shkrirë në një me një ndjeshmëri të dukshme poetike. Vërtetësia e atmosferës peizazhike shqiptare dhe e gjendjes natyrore te Kaceli është shoqëruar në krijimtarinë artistike të tij, me spontanitetin kompozicional ndryshe nga paraardhësit dhe prej shumë peizazhistëve bashkëkohës.

Forca e madhe e artit të Sadik Kacelit qëndron edhe në teknikën e gjerë dhe të ligjshme të tij si në vaj, pastel, akuarel, tempera, vizatim dhe grafikë.

Në fillim të krijimtarisë dhe, më pas, gjatë udhëtimeve të shumta nëpër Shqipëri, ai ka përdorur në masë akuarelin, si “Peizazh”, akuarel në letër, 1942, “Kruja”, akuarel, 1960, “Mulliri i Xhep Baçit”, akuarel, 1964, “Kruja në ditë pazari”, akuarel 1956, “Sheherezade”, akuarel, i955 etj.

Ka vepra të realizuara me laps si “Bariu me fyell”, në monotip “Natyrë e qetë” me lule”, 1940, në tempera “Balet”, 1937, “Në natyrë”, 1938, në linoleum “Kalaja e Petrelës”, 1956, “Kruja”, 1939, por, më kryesorja për Kacelin ka qenë dhe mbetet teknika e vajit, si më e arrira dhe profesionale artistike.

Njohja me veprat e artit në Paris dhe arsimimi kanë ndikuar në realizimin e veprave “Notre Dam”, vaj, 1938, “Çatitë e Parisit”, vaj, 1938, “Sena:, vaj, 1940 dhe në gjithë krijimtarinë e tij artistike “Retrospektivë”.

Vlen të theksohet edhe vizatimi i Sadik Kacelit si mjet shprehës i tij në “Vizatim” karbon, 1932, “Nëna”, 1950, “Peizazh industrial”, 1966, “Vizatim altareliev”, karbon në letër, 1932.

Tradita

Në ekspozitën “Retrospektivë” të piktorit Sadik Kaceli të bien në sy edhe disa vepra me frymë kombëtare e tradicionale shqiptare, kryesisht tiranase. Të bëjnë përshtypje veprat “Përgatitja për dasëm”, vaj, 1940, “Dasëm tiranase”, vaj, 1945, “Valle”, vaj, 1951, “Te kroi i fshatit”, vaj, 1940, i cili me realizëm i ka përshkruar me një frymë humane, bukuri dhe elegancë tradicionale tiranase.

Piktori Sadik Kaceli u ka dhënë veprave artistike, të realizuara me mjeshtëri, një ngrohtësi ngjyrore dhe përmbajtje të thellë njerëzore. Artin e tij në këtë tematikë, thellësisht tradicionale, e ka vënë me këmbë në tokë dhe, vepër pas vepre, ka vendosur nga një gur në muret e ndërtesës së kalasë së artit shqiptar.

Piktori Sadik Kaceli me shpirtin praktik dhe progresiv që e ka karakterizuar në jetën e tij  si njeri dhe krijues, bëri një art më pranë jetës, më dinamik dhe më realist si trashëgimi e vyer për brezat e ardhshëm njerëzish dhe artistësh. Kjo është sintetizuar në çdo vepër të tij me pasqyrimin e figurës së njeriut, të kohës, kostumeve e të mjedisit përreth tij.

*Piktor, studiues arti

Burimi: Tirana Observer

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.