Rustem MANSAKU
Rustem MANSAKU

Rustem MANSAKU lindi në Ndroq të Tiranës më 15-1-1919, ku kaloi edhe fëmijërinë dhe kreu arsimin fillor. Më tutje, për tetë vjet rresht, gjatë periudhës kur bëri arsimin e mesëm, ai jetoi në Tiranë, në familjen e nderuar të Hamdi Mëzezit; akt që tregon dukshëm shpirti bujar e arsimdashës i tiranasit. Duke përqafuar idetë komuniste, Rustemi mori pjesë edhe në demonstratat e zhvilluara që prej pushtimit fashist.

Me shpenzimet e të jatit, në vitin 1940, ai regjistrohet në Fakultetin e Inxhinierisë të Politeknikut të Torinos; ku, nuk qëndroi gjatë. Si të rinj të tjerë idealistë shqiptarë, edhe ai kthehet në Shqipëri në shkurt të vitit 1942 për të marrë pjesë në lëvizjen nacionalçlirimtare. Falë edhe reputacionit të të jatit, si beu i Ndroqit e që gëzonte respekt në popull, prej, Rustemi u shqua si propagandist i devotshëm dhe për lidhjet që mbante me çetat partizane.

Në nëntor të po atij viti, atë e arrestojnë, por e lirojnë për mungesë provash. Megjithatë, disa muaj më vonë, ai ishte i detyruar të dilte partizan, duke u
inkuadruar me çetat e Pezës. Gjatë luftës, veç aksioneve të ndryshme, angazhua edhe me ngritjen e komandove partizane dhe të këshillave nacionalçlirimtare. Më në fund, me detyrën e komandantit të togës, u rreshtua në rradhët e brigadës 26 sulmuese.

Pas çlirimit të vendit, vetëm për pak kohë, Rustemi punoi në Ministrinë e Asistencës Sociale dhe në atë të Mbrojtjes Kombëtare. Në vitin 1946, atij ju dha mundësia për të mbyllur studimet e larta; por edhe këtë herë, ai duhet t’i ndërpriste ato. Zhvillimet politike me Jugosllavinë e detyrojnë Rustemin për t’u larguar nga Zagrebi dhe për të shkuar në Politeknikun e Varshavës.

Prej vitit 1952, pasi ishte diplomuar ”inxhinier elektrik” në Poloni, ai ka punuar në Drejtorinë e përgjithshme të centraleve elektrike, në Ndërmarrjen elektrike të Vlorës dhe në Fabrikën e çimentos të po atij qyteti e për t’u kthyer edhe një herë po në Drejtorinë e përgjithshme të centraleve elektrike në vitin 1961. Për katër vjet rresht (1962-1966) ishte në drejtorinë e kuadrit të Ministrisë së Industrisë dhe më pas, deri në vitin 1981, kur doli në pension, drejtor i Shkollës së ulët profesionale të atij dikasteri.

Dy fëmijët e tij kanë mbaruar arsimin e lartë: djali, Iliri, inxhinier i ndërtimit; ndërsa vajza, Irena, veterinere.

Vdiq i nderuar dhe i respektuar në vitin 2007. Për kontributet e tij në luftë dhe në punë, mbante mjaft Urdhëra, medalje dhe fletë lavdërimi.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.