Rruga e “Farkëtarëve” - Nga Spiro Mëhilli
Rruga e “Farkëtarëve” - Nga Spiro Mëhilli

Te rruga e “Farkëtarëve” ishin kovaçët, ku shquhej Fadil Xhemal Kuka, që lëviznin calikun e gjyrykut për të ndezur qymyrin e të skuqeshin copat e hekurit që ata më pas i godisnin me çekiç; rremtarët e teneqepunuesit, ku shquhej Hysen Zorba; në radhë vinin Bonecët, Konat, Hanxhari, Haxhi Dingu, Kaini e të tjerë.

E ç’ shikonim atje? Mangallë, kusia e tava prej bakri, nagaçe, kaci, masha, kandila, bishtukë për të bërë dritë, dhe si për inat Mustafa Tafaruçin, Tafën, të birin e Sulejman Tafaruçit, ardhur nga Kruja në vitin 1924, që e fillonte shitjen e pishës nga Pazari i Vjetër e më pas rrugicave të Tiranë me kanistër në dorë duke bërtitur me zërin e tij karakteristik: “pishë, hajde pishë”, për të shitur dru pishe të prerë hollë e të veshur me rrëshirë, që nënat tona i përdornin për të ndezur zjarrin.

Në atë rrugë ndodheshin sapuneria “Afërdita” me pronar Sadik Tabakun dhe sapuneria “Pogu” e vllazërve Pogo, degë e fabrikës moderne të sapunit në Shkodër, që prodhonte sapunin me famë e mjaft të preferuar “Venus”. Aty kishin zyrën avokatore, Ali Begeja dhe Dhimitër Gode. Kënaqësia ishte e madhe në rrugën e Drithit, kur ndodheshim para dyqaneve të kadaifit. Tava e madhe vendosur mbi shpuzë e Sadik Katroshit, me hedhësen e brumit në dorë (setile), derdhte brumin e lëngët në fije të holla, duke filluar nga periferia në qendër. Ai priste sa ato të thaheshin dhe si i mblidhte tufë,

i varte në banak që t’i shikonin blerësit ose kalimtarët kureshtarë. Pak më tej ishin Muharrem Tela e vëllezërit Ismail e Gëzim Hajdari, tregtarët e miellit. Në atë rrugë, në ndërtesë me dy kate, ndodhej Agjencia e Fabrikave të “Vllazën Hobdari”, për shitje akulli, sapuni, pijesh freskuese dhe parfumesh.

Nuk mund të lë pa përmendur mjekun popullor Lok Kurdarin që kuronte te dëmtuarit në rrugën e Drithit, e fuste në jaki këmbë e duar të thyera e që zanatin ia la trashëgim dhëndrit, Hysen Kazazit, që në popull është njohur si doktor Ceni, apo familjen Qosja që jepte pare me fajde.

Shkëputur nga libri: “Tirana 1920-1944” me autor Spiro Mëhilli