Rruga e Argjendarëve - Nga Spiro Mëhilli
Rruga e Argjendarëve - Nga Spiro Mëhilli

Po ishte dhe rrugica e dyqaneve të kujxhive, ose rruga e Argjendarëve, ku shiteshin unaza sermi e floriri, varëse, vathë, kuti duhani, byzylykë, e çfarë nuk gjeje te usta Spiro Findiku apo Abedin Toskën, mikun e babait tim, i cili në vitet e diktaturës më bëri unazat e martesës. Po në atë rrugicë, nga e djathta ishin berberhanet.

Aty qethte Hasan Xibri me Agim Brajën. “Ecni çuna”, – thoshte Hasani me gërshërën në dorë. Pa pritë e pa kujtuar gjendeshin dibranët, që me gjyma të mëdha e gota në duar, çanin mes për mes pazarin duke thirrur në gjuhën e tyre karakteristike “bozë, hajde bozë”, ose “kush do bozë”. Përballë rrugës së Pishës, ndodhej Zingoni, ja dhe andej futeshe në Pazar te Vjetër. Aty pranë, Xhorxh Rota kishte ngritur studion e tij fotografike “Skënderbeu”. Dikur aty ishte hamami.

Kujtoj dyqanin e tim ati, në zemër të pazarit, që tani është e vështirë të thuash se ku ndodhej saktësisht. Në pjesën lindore të pazarit ndodhej rruga Laradani, ku binin në sy restorant-kafe “KAVAJA”, e Rakip Rapit nga Kavaja, vend që pihej kafeja alla-turka, ku kamerier Llazi e sillte bashkë me një gotë ujë të ftohtë dhe më tej restorant “KOLOMBO” me pronar z. Shehu me shokë. Përbri ndodhej rruga e Kripës, ku kishin zyrat e tyre avokatët Spiro Stringa dhe Stefan Shundi, dhe dyqane tregtarë të ndryshëm.

Në atë hapësirë prej 3 hektarësh ndodhej dhe rruga e Hasrave, me sheshin e vogël ku shiteshin hasra. Në hyrje të Pazarit, ndodhej Karakolli dhe gjatë natës shërbente një xhandar që nuk e di pse thirrej Pavzan. Ai dhe kur shikonte ndonjë dyqan të pa mbyllur mirë, bënte çmos që mos të vidhej. Ja, në atë Pazar, ndodhej dhe Kolegji i Avokatëve. Në pjesën perëndimore të pazarit, ndodhej Restorant “TRIESTE” me pronar H. Taganin dhe shërbente Kadri Toska, për t’u prishur në vitin 1934 dhe u ngrit Kinema Verore “Skënderbej”, dhe në cep, nga ana e xhamisë, “HOTEL SPLENDID”; ndërsa në Rrugën “Mbretërore” që në vitin 1929 ishte e hapur Shtëpia Italiane e Bukurisë.

Ajo ishte pothuaj ngjitur me pastiçeri “Bella Venecia” dhe një hoteli që nuk ia kam gjetur emrin, e që të tria i përkisnin pjesës lindore të Pazarit të Vjetër. Në brendësi të pazarit ndodhej Hotel “ELBASANI” me pronarë vëllezërit Zemblaku, dhe më vonë Ali Habibi nga Gjirokastra. Në mjediset e tij ndodhej restoranti me pronar Lluka Papadhopullin dhe kafeja që administrohej nga Muharrem Neviri. Pas vitit 1944 hoteli u kthye në Shkollën e Kuzhinierëve. Nuk duhet ngatërruar me Hotel Elbasanin që ndodhej përbri sahatit e që në vitet njëzetë u kthye në spitalin e qytetit, vendi ku v diq Avni Rustemi.

Po kështu kemi dhe “HOTEL DIBRA”, me kujdestar Teufik Çapari. Ja, ai, Pazar i Vjetër, ishte një qendër e vogël, një qytezë në zemër të Tiranës, mjaft interesante dhe që në kohët e tanishme do kishte vlera të mëdha jo vetëm historike por dhe turistike, për vizitorët vendas e të huaj. Në vitin 1947, ra kazma e parë mbi Pazarin e Vjetër.

Për hapjen e rrugës së re, në atë vend u shpronësuan 99 pronarë, që i përkisnin: Bllokut Nr. I (26 veta): Ali Halebi-berber; Adem Agalliu-këpucar; Mahmut Kruja, Shaban Bega Ademi-jorganxhi; Gaspër Kurti, Mahmut Mjolli-jorganxhi; Stefan Prifti, Hysen Bardhoshi, Ali Demrreshi, Bajram Tresa, Ali Kazazi-bulmetore; Shefqet Kulheku, Haxhi Muharremi, Shaqir Alimehmeti-këpucar; Iljaz Dyrnjaja, Ramazan Balluku, Halil Shijaku, Ali Demneri-xhamaprerës; Ismail Caslli, Muhamet Havani, Mustafa Turdiu-opingar; Kasem Kadiu, Rexhep Përmeti, Hysen Xhaferri, Xhemal Zenuni, Monc Ilia.

Bllokut Nr. II (22 veta): Hysen Harifi-opingar; Mehmet Nazifiopingar; Zaj Dalip Kruja, Dhimitër Janku, Kasem Jonuzi-opingar; Muharrem Cara, Sali Çizmja-ushqimore; Iljaz Çizmja-ushqimore; Islam Spahiu, Muharrem Ahmet Aga-pemëshitës; Ibrahim Ahmet Aga, Qemal Katroshi, Beqir Katroshi, Qazim Keçi-ushqimore; Mehmet Tugu-mobilie; Sulejman Ademi-kuinxhi; Sadik Sokoli, Prokop Nushi, Qazim Bardhi, Petro Martini-shtamaxhi; Muharrem Shala, Ibrahim Taladhi.

Shkëputur nga libri  “Tirana 1920-1944”  me autor Spiro Mëhilli