Rrëfime të tjera për “Vorrin e Ashikut”
E ndjera Fatime Shabanagaj , ose hallë Timja, siç e thërrisnin, e cila ishte martuar në fisin e njohur të Çelmetajve të Pezës së Madhe, ka vdekur më se 25 vjet më parë, në moshën 93 vjeçare.

Nga kujtesa e saj vërtetë fenomenale, historia e “Varrit të Ashikut” vinte me një përshkrim të tillë. “Kam pas qenë e vogël, kur baba na tregonte historinë e “Vorrit të Ashikut”. Kur shkonim për te dajat në fshatin Çizmeli, do të kalonim afër me këtë vend. Shpesh bënim një pushim nën hijet e rrapit.

Aty baba na kallxonte historinë e dhimshme. Në Lagjen e Pazarit të Nroqit ishte një gocë si yll, që quhesh Bukurie. Ishte e bija e Selman agës. Ajo kishte ra në sevda me nji djalë fort të hijshëm, por i vorfën, Faqebardhin. Thonë se ka qenë nga Bozanxhijasi (fshat i Durrësit që kufizohet me Ndroqin. Të dy të rinjtë u dojshin me zemër dhe i kishin dhanë besën njani-tjetrit se mund t’i ndante vetëm vdekja.

Dhe kshu ngjau vërtetë. Kur agai mori vesh lidhjen e gocës së vet më Faqebardhin, e fejoi të shkretën larg, në nji derë të pasun në nahinë e Shijakut. Pas ksaj, me ngut preu ditën e martesës dhe bani dasmën. Taman në kte ditë, mu aty ku ashtë vorri, Bardhi zuni pusi. Thonë që aty ka pas shumë pemë dhe nji krua me ujë të ftoftë akull.

Krushqit do të kalojshin se s’ban aty, sepse ishte vendi ku u merrte kthesa për të kalu në vaun ma të gjanë e ma të cekët të Erzenit, Vau i Çizmelive. Krushqit dhe nusja me duvak banë nji pushim të shkurtën për me u fresku ca me ujin e kroit. Por gzimi u kthy shpejt në mort. Faqebardhi, që priste i fshehun mes pemëve, doli dhe shtjeu mu në zemrën e gocës së vorfën, e cila u kput si nji mollë e bukur dhe ra përdhe. Të gjithë sa qenë aty ngrinë në vend.

Pastaj djali iu avit Bukuries, që po jepte shpirtë dhe, pasi i mylli sytë, shtjeu mu në zemrën e tij. I pari krushqve shpejt kishte marrë nji vendim: Të dy ashikët t’i varrosnin bashkë në nji vorr, aty ku kishin dhanë shpirtë. Me lot e dhimje të dy të rinjtë i mbulun në një vorr. Ma vonë, vorri u rregullu me gurë të mdhenj dhe dikush, aty afër mbolli nji çinor (rrap) të butë. Çinori u rrit dhe me degët e tij bani nji hije që tërhiqte udhëtarët që kalojshin aty pran…”.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.