Rrapi i Tabakeve
Në fillim të rrugës Mbretnore (sot “rruga e Elbasanit”) gjendej ura e Terzijve. Quhej kështu, pasi rreth 250 vjet më parë, Terzijt (rrobaqepësit dhe qëndistarët) me taksat dhe kontributet e tyre personale e kishin ndërtuar këtë urë.

Kjo urë bashkonte Tiranën me periferitë jugore të saj, por më e rëndësishmja ishte lidhja e saj me qytetin e Elbasanit, prandaj për këtë arsye ajo u quajt rruga e Elbasanit. Sheshi që shtrihej në të djathtë të saj quhej “Sheshi i Terzijve“ (sot parku 7 Xhuxhat), pasi ishte vendi ku këta artizanë zhvillonin aktivitetin e tyre.

Foto M. Bali. Ura e Terzijve dhe sheshi rreth vitit 1912
Foto M. Bali. Ura e Terzijve dhe sheshi rreth vitit 1912

Përballë këtij sheshi gjendej rruga Ceno Sharra (sot Mihal Grameno) dhe rreth 200 metra në brendësi të saj, fillonte lagjja e Tabakëve. Në atë kohë kjo ishte e vetmja mënyrë për të shkuar në këtë lagje të vjetër, në mungesë të një ure direkte nga qendra e Tiranës. Emri më antikë i kësaj lagje ishte “Mujë“ dhe kjo asokohe ishte një zonë shumë e rëndësishme e Tiranës. Me kalimin e kohës kjo lagje u quajt ”Lagjja e Tabakëve,” sepse shekuj më pas banorët e saj filluan të merreshin kryesisht me regjjen dhe tregtinë e lëkurës, pasi “Tabak“ quhej fleta e pa përpunuar e lëkurës së bagëtive.

Siç tregojnë më të hershmit, në këtë shesh ishin ndërtuar shumë vaska të vogla, afërsisht me dimensione 1.5 metër katror, ku lageshin vendoseshin lëkurët e thata që sillnin fshatarët e zonave përreth, të cilat në më pas regjeshin me Taninë dhe lyheshin me bojra natyrale, për t’u kthyer në produkt të gatshëm për shitje. Ushtrimi i këtij zanati kërkonte shumë ujë dhe për këtë banorët e kësaj lagje ishin të favorizuar edhe nga natyra, pasi këto toka lageshin ngatë dy krahët nga lumi i Lanës dhe përroi i Palpoces.

Specialistët e parë të këtij zanati, së bashku me familjet e tyre kishin ardhur prej kohësh nga Egjipti, pasi atje kjo ishte traditë. Prandaj edhe ato mund të konsiderohen, ndër banorët autoktonë të kësaj lagje. Banesat e tyre ishin shumë modeste dhe ishin ndërtuar njëra pas tjetrës, në të dy krahët e bregut të Palpoces,duke formuar kështu një komunitet jo të vogël egjiptianesh, të cilën ata e quajtën Tabakhone.

Paria e kësaj lagje ishte familja Tabaku dhe origjina e largët e tyre ishte nga Harasani i Persisë dhe së bashku me familjen Kubati, Harasani e të tjerë, ata ishin edhe ndër banorët e parë të Tiranës. Pas pushtimit të Shqipërisë nga otomanët, ata kishin ardhur në Shehër, (Dibër) i cili në këtë periudhë ishte një Sanxhaki rëndësishëm i Turqisë. Ai përfshinte të gjitha krahinat, që nga Shehri e deri në Tiranë dhe kufizohej nga perëndimi me Kosovën dhe lindja me Manastirin.

I pari i familjes Tabaku ishte Sheh Bairami, i cili kishte studiuar rreth 500 vjet më parë në Turqi për Teologji Myslimane dhe kishte ardhur asokohe në Tiranë për të themeluar Teqenë e parë të sektit “Helvet“. Teqeja e Tabakëve në atë kohë kishte minaren më të lartë në Tiranë dhe pikërisht nga kjo kuptohej rëndësia e madhe e saj. Flitet për periudhën mbas vdekjes Skënderbeut, kur Turqia mori vrullin më të madh të saj mbi Shqipërinë dhe gjithë Ballkanin.

Gjithë aktiviteti i kësaj lagje bëhej në ”Sheshin e Tabakëve“, prej së cilës gjithçka që ndërtohej më pas, trashëgonte të njëjtin emër. Sheshi i Tabakëve ishte i rrethuar nga disa ndërtesa të vogla njëkatëshe prej qerpiçi, midis tyre, Teqeja e Tabakëve me selvinë e madhe në krahë të saj. Shtëpia e tyre dhe përreth, një dyqan farkëtar, një tjetër teneqexhi dhe dyqani i ëmbëltores së Gegëve.

Në oborrin e Teqesë, gjendej Tyrbja me varet e tyre dhe përballe saj gjendej një rreth i madh me gurë të gdhendur, e cila quhej “ Veni i çezmës “ ose siç njihej “Çesmja e Tabakve”. Kjo ishte një çezme shumë e hershme, ujin e të cilit familja Tabaku e kishte sjellë nga një burim i fshatit Shkozë, i cili buronte tek ura e Dedejve, atje ku puqej Lana me përroin e Qesarakës. Tubat e saj janë gjendur edhe sot, gjatë ndërtimit të pallatit të Tabakëve dhe ato ishin prej dheje të pjekur, me një diametër rreth 30 cm.

Siç më tregon skulptori i njohur tiranas, Besim Tabaku, një nga stërnipat e kësaj familje:

“Karakteristika e sektit “Helveti“ ishte se “agjërimin” këta besimtarë e bënin për 40 ditë dhe në errësirë të plotë, prandaj në këtë periudhë ata mbylleshin në një Qur (Magaze . Një veçanti tjetër pake çuditshme e këtij sekti, ishte se në mbrëmje gjatë Agjërimit, sipër avllisë me hark të Teqesë së Tabakëve, ata vinin një kokërr portokalli të lidhur me spango, i cili ishte fruti më karakteristikë i Tiranës.

Të nesërmen në mëngjes portokalli kthehej në mollë, si fruti më karakteristik i Shehrit. Sipas gojëdhënave, thuhej se këtë ndërrim e bënin disa skifterë të stërvitur në Shehër, të cilët dërgonin dhe merrnin mesazhe midis xhamive në krahinat e ndryshme të këtij sanxhaku.

Banorët e saj ishin shumë të lidhur midis tyre dhe i gjendeshin njëri-tjetrit në çdo vështirësi. Mjafton të përmendin ardhjen e muhaxhirëve nga Shehri për në Tiranë, me rastin e një tërmeti të madh që ndodhi në ato zona. Në këtë rast, banorët e Tiranës i ofruan atyre mikpritjen dhe shumë nga tokat e tyre në rrëzë të malit të Dajtit, ku dhe formuan lagjen e tyre që edhe sot quhet (Lagjja e Dibranëve)“.

Teqeja e Tabakëve kishte vartësi absolute nga xhamia e Shehrit dhe kjo ishte një praktikë që respektohej me rigorizitet të madh, duke filluar që nga Stambolli, e deri në Sanxhaqet saj. Siç mund të thuhet në kohën e sotme, ishte një farë përfaqësimi për të deleguar xhamit e tjera në të gjithë perandorin otomane. Këtë do ta përshkruaj menjë histori të një shehu tjetër, mik i afërt i familjes Tabaku.

I pari i familjes Kubati ishte Sheh Rexhepi. Edhe ai kishte studiuar për teologji në Turqi, por kishte një diferencë moshe prej një çerek shekulli me Sheh Tabakun. Mbasi kishte mbaruar edhe ai studimet, e kishin rekomanduar të vij në Tiranë dhe të takohet me Sheh Bajramin, i cili ishte ndër shehelerët më të vjetër të Shqipërisë. Në ndryshim me të, sheh Kubati kishte studiuar për sektin mysliman “Kadëri“, i cili natyrisht ishte një sekt më i ri.

Ndryshimi midis sektit Helveti dhe Kadëri, konsistonte në hapjen e mendimit për agjërimin, pasi ky i fundit duhet të bëhej në natyrë të hapur dhe jo më në ambiente të mbyllura. Me gjithë rinovimin Sufist, besimtarët e sektit “Kadëri“ kishin trashëguar edhe këngët e magjistarëve të fiseve të Harasanit. Prandaj gjatë faljeve, dervishët e saj bënin ritin e tyre fetar në formë kënge, që quhej Ziqër.

Sa mbërritën në Tiranë, aty ku sot është Biblioteka e vjetër Kombëtare, Shehu i ri Kubati, takon një banor të lagjes së Tabakëve, të cilin e pyet për Sheh Bajramin. Përgjigjja e tij ishte se e njihte mirë atë, pasi e kishte mhalleli dhe si me shaka ai i thotë: “Sheh Bajrami osht bo si viçi i “Mures“ teme (lopës) që kur lind, ri për 40 ditë në Qur”.

Më pas Sheh Rexhepi mbërrin tek teqeja e Sheh Bajramit, i cili sapo kishte mbaruar Agjërimin dhe mbasi e përshëndet, e pyet për shëndetin, por përgjigjja e tij ishte: “Si viçi i Murës atij zotnis që ke takuar para meje në Tironë”.

Kjo përgjigje e habiti sheh Kubatin, i cili kishte shumë pak kohë që ishte ndarë me të dhe nga kjo ai mori vesh, se i gjithë ky komunitet sillej rreth Sheh Bajramit dhe Teqesë së tij. Më pas Sheh Rexhepi i thotë Sheh Tabakut se e kishin dërguar tek ai, pasi ishte me i vjetri i kësaj feje, por ai i përgjigjet se më i vjetër se unë është shehu i Shehrit.

Atë natë Sheh Bajrami e mban për darkë Sheh Rexhepin në teqen e tij dhe të nesërmen e dërgon të paraqitet në Shehër dhe më pas mund të kthehej përsëri në Tiranë. Kur u kthye nga Shehri, sheh Tabaku e kishte ndihmuar shumë Sheh Kubatin, duke i dhuruar një tokë të tij, e cila ndodhej tek tre Selvit (sot pas Bankës Kombëtare).

Këtë dhurim nuk e kishte pranuar i pari i Bargjinëve, që komandonte asokohe në Tiranë, por edhe këtë problem ja kishte zgjidhur po sheh Tabaku. Në këtë rast ai i kishte thonë Bargjinit se: “O Bargjin , ti ke ngelë gjithmonë i smutë (sëmurë) se ke gojën e keqe dhe prandaj nuk njallesh dot. Lej Sheh Rexhepin që të ndërtoj teqenë tek toka teme dhe do të shofsh se si dot njallesh“.

Bargjini i kishte besuar shehut dhe si për çudi ishte shëruar nga sëmundja që vuante prej kohësh. Në këtë mënyrë Sheh Rexhepi ndërtoj Teqenë e tij tek tre Selvitë dhe që nga ajo kohë, ata u bënë shumë miq.

Teqeja e sheh Tabakut e humbi rëndësinë e saj mbas vitit 1915, pikërisht mbas vrasjes së Haxhi Qamilit të Sharrës, i cili ishte patriot dhe për këtë arsye kishte kundërshtuar edhe Esat Pashën. Gjatë Luftës së I-rë Botërore dhe çlirimit të Shqipërisë nga ushtria Austro- hungareze, për një kohë të shkurtër ajo u kthye në kazermë. Në largim të tyre ajo gati u rrënua, por u riparua nga komunitetit mysliman i Tiranës, duke ja ndërruar emrin në Xhamia Sherif, siç quhet edhe sot. Djali i madh i Sheh Kasemit, Selimi, ngriti një hon (Bujtine për kalimtar dhe kafshësh). Siç vazhdon të më tregoj Besim Tabaku, shehu i fundit i familjes Tabaku, ishte Kasemi.

Foto M. Bali. Sheh Kasem Tabaku
Foto M. Bali. Sheh Kasem Tabaku

Ai ishte një burrë shumë i mençur dhe njohur për këtë veti në Tiranë, por ishte njëkohësisht edhe një Sheh tolerant dhe shumë liberal. Nuk e kishte aspak problem të takohej dhe të shoqërohej shpesh me priftërinj dhe dhjakë, pasi predikonte se Zoti ishte një për të gjithë fetë. Ishte koha kur në Shqipëri dhe Tiranë, të gjithë besimet fetare bashkëjetonin në harmoni të plotë. Siç predikonte Sheh Kasemi: “Në syret e Kuranit, Krishti ishte Hazreti Isa dhe Marija, Hazreti Mereme. Ishte i bindur se Kurani ishte vazhdim i Biblës. “Teurati“ ishte dhjata e vjetër, ndërsa ”Inxhili“ i Kuranit “Ungjilli“ i katolikeve. Diferenca midis tyre ishte, se Bibla ishte shkruar në formë proze, ndërsa Kurani në formë poezie, prandaj profeti i fundit, Muhametin, myslimanët e kanë quajtur edhe poet. Me këtë ai i shpjegonte kundërshtarëve të tij, se midis feve të ndryshme në Shqipëri nuk kishte asnjë konflikt“.

Gjatë kësaj periudhe, Sheh Kasemi kishte marrëdhënie me patriotë shumë të njohur, midis të cilëve edhe Myslym Pezën. Rreth vitit 1928, Baba Myslymi kishte vendosur me vra Osmon Balin, një major të njohur të mbretit Zog, me të cilin ai kishte krijuar hasmëri. Gjatë atentatit, Babës nuk i ishte shkrepur Naganta dhe për këtë e kishte ndihmuar një fshatari i tij nga Peza, i quajtur Lom Leka, i cili e kishte qëlluar për vdekje Osmonin. Në këtë rast Sheh Tabaku e kishte ndihmuar Myslym Pezen për të fshehur nagantën e tij, të cilën e kishte sjellë për ta fshehur në Teqe, një çingie e bukur e Tabakhones. Po atë ditë Sheh Tabaku e kishte larguar Babë Myslymin nga Tirana, duke e strehuar tek disa miqë të tij në Shehër. Mbas pak kohësh Babë Myslymi ishte kthyer në Tiranë dhe vinte vazhdimisht tek teqeja e sheh Tabakut për ta takuar. Miqësinë e tyre e kishin kuptuar xhandarët e Zogut dhe për këtë arsye ata kishin organizuar një kurth për ta kapur atë të gjallë. Për këtë plan kishin shtrënguar sheh Tabakun, por ai nuk kishte pranuar, megjithatë ata e ruanin se mos vinte në Teqe. Një natë xhandarët kishin marrë vesh se Babë Myslymi kishte qene në Tiranë dhe sipas tyre me siguri do të kalonte tek sheh Tabaku. Kishin rrethuar Teqen dhe nuk e linin që të dilte nga shtëpia e tij, nga frika se mos e lajmëronte. Por sheh Tabaku atë natë doli në verandën e shtëpisë vjetër dhe ndezi llampën me vajguri që kishte aty, duke qëndruar  atje deri vonë. Ndërkohë xhandarët prisnin jashtë të fshehur dhe pasi nuk e panë të vinte Babë Myslymi, të nesërmen ata u tërbuan nga zemërimi dhe pasi e keqtrajtuan shehun, e arrestuan me sebepin që ai kishte lajmëruar atë për të mos ardhur. Për këtë rast, ata e dënuan me katër vjet burg sheh Tabakun, të cilat i bëri gjatë viteve 1928 – 1932 në burgun e kalasë së Gjirokastrës. Këtë rast e ka treguar vetë Babë Myslymi në 21 nëntor 1944, në ditën e varrimit të Sheh Kasem Tabakut. Atë vit ishte ndaluar me ligj që varrimet të bëheshin në Tyrben e Teqes së tij, megjithatë ai kishte dhënë urdhër që Sheh Kasem Tabaku të varrosej në Tyrbe.

Shehu i fundit i familjes Kubati ishte Mustafai. Edhe ai ishte patriot dhe tolerant si Sheh Kasemi. Ishte ndër të paktët që dinte mirë shkrim dhe këndim të gjuhës Shqipe, pasi e kishte mësuarqë në rini. Kishte filluar t’ja mësonte më pas atë edhe shumë besimtarëve të tij por kjo ishte e ndaluar rreptësisht nga Turqit. Për këtë në atë kohë mund të dënoheshe shumë rëndë, deri me vdekje. Aktivitetin e Sheh Mustafa Kubatit ata e morën shumë shpejt vesh vesh dhe erdhën për ta arrestuar në Teqen e tij, por miqtë e shumtë e lajmëruan atë. E bukura ishte, se ai u fsheh në kupolën prej koni të xhamisë së tij. Aty qëndroi i ngujuar për rreth dy muaj dhe ushqimin ja binte Myhezini i xhamisë së tij, në momentin kur ngjitej për të kënduar. Atë ditë turqit nuk lanë vend pa e kërkuar, por vetëm aty nuk i kishte shkuar kurrë mëndja që ta kërkonin.

Edhe gjatë luftës nacional- çlirimtare, xhamia dhe shtëpia e Sheh Mustafa Kubatit u bë bazë e luftës Nacional – çlirimtare, madje sheh Kubati tregonte se e kishte lidhur ai Gogo Nushin që në fillim me lëvizjen, duke i porositur të njohurit e tij, që ky çun ka dëshirë të luftojnë për vatanin. Kishte lidhje më shumë me njësitin guerril të Tiranës, ku bënte pjesë edhe nipi i tij, Ali Kubati. Siç tregon vajza e sheh Kubatit, Metije Tabaku:

“Gjatë luftës kishin ardhur një natë në shtëpinë tonë Lym Keta, Ali Kubati dhe Qamil Poda që ishin në njësitet guerrile të Tiranës. U bona marak se mos vinin fashistët dhe gjithë natën qëndrova duke bërë roje. Të nesërmen herët të tre çunat çohen dhe më shohin qe po bëja roje dhe duke qeshur më thanë se bone shumë gabim që nejte qutë, se ne e kishim bo planin tonë. Se po të vinin fashistët, ne do të dilshim nga muri i Gjylsihones (Banjë e vogël për larje)”.

Për aktivitetin e tij sheh Kubati u bë objekt i agjenturës fashiste, të cilët kishin vendosur që ta arrestonin. Gjate kontrollit që fashistët bënë në shtëpinë e tij, nën një grumbull qymyri ata gjetën një makinë shkrimi e cila përdorej nga njësiti guerril për shtypjen e trakteve. Në këtë moment një xhandar nga Picalli që po ruante portën, ja bëni me sy sheh Kubatit që të largohet dhe ai menjëherë doli nga shtëpia. Më pas, mur më mur dhe oborr më oborr, ai vajti në Picall dhe mbas disa ditësh ai arriti në Pezë, ku kishte shumë miq që ta mbronin. Tashmë ishte i moshuar dhe shëndeti i tij nuk i premtonte më këto lëvizje.

Foto. M. Bali. Sheh Mustafa Kubati
Foto. M. Bali. Sheh Mustafa Kubati

Mbas çlirimit sheh Tabaku u dekorua nga kuvendi popullore me medaljen e Trimërisë. Megjithëse të dy sheheleret tashmë ishin të moshuar, autoritetet e larta të komunitetit mysliman në Tiranë, i shpallën ata padrejtësisht sheh komuniste, pasi fëmijët dhe gjithë farefisi i tyre ishte lidhur me lëvizjen Naciona –çlirimtare. Megjithatë ata vazhdonin të patundur në idetë e tyre dhe miqësinë midis tyre e kthyen edhe në krushqi. Kështu sheh Kubati dha vajzën e tij për djalin e Sheh Kasem Tabakut.

Sheshit të Tabakëve edhe natyra i kishte falur një rrap shekullor, i cili edhe pse i dëmtuar nga mosha, banorët e lagjes e mirëmbanin atë me shumë krenari, pasi e konsideronin edhe monument kulture. Ato vite Ahmet Zogu ishte Ministër i Brendshëm dhe tek ky rrap jo pa qëllim kishte vendosur trekëmbëshin e ekzekutimit me varje, për ta bërë atë simbol  të  dënimit të keqbërësve të këtij qyteti. Vitet e fundit, duke kontrolluar disa filma të vjetra të fotografit Ymer Balit (një stërgjysh nga nëna ime) gjeta foton e mësipërme të sheshit të Tabakëve rreth viteve 1920. Përveç asaj gjeta edhe një foto të veçantë të Rrapit të Tabakëve.

Prej shumë vitesh kisha dëgjuar për Rrapin e Tabakëve dhe për një shprehje që përdornin shpesh tironcit e vjetër “N’ Rrapt Tabakve“, por asnjëherë nuk e kisha kuptuar domethënien e saj. Foto e mësipërme me jepte versionin, i cili kishte të bënte me trekëmbëshin e varjes, por forma se si e përdornin tironcit këtë shprehje nuk më tingëllonte mirë. Për të këtë, foton e mësipërme e futa në Facebook, por asnjë nuk mundi të më japë një version realë mbi këtë shprehje. Përgjigjen e vetme e mora nga Besim Tabaku, i cili më shpjegoi origjinën e hershme të kësaj shprehje popullore tiranase. Siç më konfirmon Besimi:

“Nga mosha e tij shumë e hershme, poshtë në trungun e Rrapit gati të tharë, ishte hapur një gorgë (zgavër) siç dallohet fare mirë në foton e mësipërme, ku një banor egjiptian i kësaj lagje ndizte një zjarr me prush. Aty ai piqte mish, por më i njohur ai u bë për pjekjen e kafes. Me kalimin e kohës, ky Rrap u bë shumë i njohur edhe si bar natyral dhe kafja që bëhej atje, kishte marrë nam në gjithë Tiranën. Mbasi mbaronin punët e ditës, banorët e kësaj lagje uleshin aty këmbë përmbi këmbë, për të pirë kafen e tyre për shtatë palë qejfe. Në këtë klub bëheshin shumë qyfyre dhe kishte edhe nga ata banorë që gënjenin ose ja futshin kot muhabetit. Kjo ishte dhe origjina e vërtetë e kësaj shprehje popullore, të cilën tironcit e vjetër e përdornin, për ti treguar dikujt që po gënjente ose ja fuste kot muhabetit, si ”N’Rrapt Tabakve”. Më shumë këtë shprehje e përdornin kafexhitë e tjerë të Tiranës, xheloz që ky bar i çuditshëm, kishte filluar ti konkurronte dhe ti merrte një pjesë të klientëve të tyre.

Mbas lufte, jeta e këtij monumenti natyral do të mbaronte së ekzistuari dhe bashkë me të edhe kafja me e çuditshme e Rrapit të Tabakëve. Prerja e rrapit u bë nga diktatura komuniste, për të drejtuar vetëm lumin e Lanës, pasi nuk i interesonte më trashëgimia e saj. Ishte një sistem pa vlera, ku trashëgimia historiko –kulturore nuk kishte asnjë vlerë, e kundërta do të ndodhte në botën e qytetëruar. Ku prania e këtij objekti historik mund të bëhej metë e vizitorëve të huaj. Me prerjen e Rrapit, regjimi komunist ja hoqi Rrapit përgjegjësin që kishte pasur para çlirimit, pasi tashmë ai nuk mund të bëhej më dëshmitari i masakrave të panumërta, që do të bënte ai në të ardhmen e tij të afërt.

Lagjja e Tabakëve ishte një komunitet shumë i lidhur dhe të gjithë merrnin pjesë njëlloj në jetën e saj, duke filluar që nga zotnit dhe shërbyesit e tyre. Egjiptianët nuk paragjykoheshin për ngjyrën e lëkurës së tyre, madje ata ishin shpirti i lagjes, pasi me këngët dhe vallet e tyre, ata sillnin shumë hare në këtë lagje. Edhe lagjja e Tabakëve, nën shembullin e Terzijve, mbas 50 vjetësh ndërtuan urën e tyre, që lidhte direkt lagjen e tyre,me pazarin e vjetër të Tiranës, që ekziston edhe sot si “Ura e Tabakëve“.

 

Për të shkuar në Lagjen e Tabakëve, duhej të merrje rrugën Mbretrore dhe të zbrisje dishezën majtas pallatit të “Princeshave“ (Godina e të përndjekurve politikë ). Kjo të çonte direkt tek Ura e Tabakve dhe pasi ta kaloje atë, hyje direkt në lagjen e Tabakëve. Me ndërtimin e kësaj Ure, lagjja e Tabakëve ishte shumë afër me qendrën e Tiranës dhe pazarin e vjetër të saj. Nën të kalonte Lumi i Lanës dhe siç tregonin tironcit e vjetër:

“Lana gjarpëronte nëpër Tironë si Bolla“. Udhëtimin e saj e niste mbas urës së Dedejve (Bektashinjve), ku së pari lagte tokat e tyre dhe Morasive (Para Gjimnazit Ismail Qemali). Rrotullohej rreth “Mullnit të vjetër“ (Ministria e Ambientit) dhe hynte nën Urën e Tabakëve. Më pas bashkohej me përroin e Palpoçes, i cili vinte nga kodrat e Farkës dhe pasi kalonte urën e Hastabakve (Tregu elektrik) puqej me Lanën pas urës Tabakëve dhe të dy së bashku më pas kalonin Urën e Terzijve (Ura rrugës Elbasanit). Më tej Lana lagte tokat e Toptanasve (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë) duke gjarpëruar Kishën Katolike dhe tokat e Llagamve (Rrug Kavajës). Dilte nga Tirana duke rrethuar “Kroin i Shënjines“ (Ish-parku i autobusëve) ku me tej lagte edhe tokat e stërgjyshit tone, Lym Ketës, (në të djathë të autostradës, Kashar ) duke përfunduar në Lumin e Tërkuzës, i cili derdhet në detin Adriatik”.

Në këtë lagje, në kohën e Zogut kishte ndërtuar shtëpinë edhe Prefekti i Tiranës, Rexhep Jella. Ishte një vilë shumë e bukur me tre kate, të cilën e mbaj mënd edhe unë. Mbas çlirimit ajo u shtetëzua, u kthye në kopsht për fëmije dhe rreth viteve tetëdhjete u prish, per ti lënë vendin disa pallateve të shëmtuara, të cilët u bënë shembujt e këtij regjimi.

E vetmja vepër kulturore dhe historike që është trashëguar deri më sot është “Ura e Tabakëve”. Ajo ka ngelur dëshmia e vetme e historisë së këtij komuniteti kaq të njohur dhe të hershëm të Tiranës. Mbas rënies së diktaturës komuniste, kjo urë është restauruar nga një ish-banor i kësaj lagje, piktori i njohur Sali Allmuça

 

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.