Robert Ndrenika
Robert Ndrenika

Interviste e vitit 2012

Nga lartësia e 70 viteve që mban mbi supe, aktori i njohur Robert Ndrenika ka çfarë të tregojë për kinematografinë dhe rolet e shkëlqyera që ka interpretuar në katër dekadat e fundit. Ndrenika rrëfen jetën e tij artistike, sëbashku me një merak të vjetër:

“T’u kërkojë falje gruas dhe djalit të Qazim Mulletit. “Jo vetë atij, por atyre që la pas kur iku në Itali”

Si e konsideroni gjendjen e kinematografisë shqiptare sot? Përse sot është kaq e vështirë të bëhen filma?

Nëse do të më duhej të përmblidhja atë që po ndodh sot me kinemanë shqiptare, do t’ju ftoja t’i hidhnit një sy pjesës tjetër të shoqërisë. Me fjalë të tjera, kinemaja jonë pasqyron gjendjen që kalon vendi. Jo pa zhgënjim vërej se gjithçka, sa i takon industrisë së sotme të filmit, është përmbledhur në një faktor: mungesën e fondeve dhe financimeve. Aktualisht në qarkullim është një ushtri e vërtetë regjizorësh, skenaristësh e aktorësh, të cilët mundohen, përpiqen të ushtrojnë profesionin e tyre, por në kushte të vështira.

Nga ana e tij shteti tentoi ta nxisë kinemanë, por situata mbetet kjo që shohim. Kam qenë deputet kur është bërë ligji i kinemasë. Ai ligj kishte dy pjesë kryesore. Së pari, parashikonte të ngrihej një qendër për nxitjen e kinematografisë dhe që fondet përkatëse të ndaheshin në formë projektesh. Gjithashtu parashikoheshin edhe bashkëpunime me qendra të tjera të fuqishme kinematografie. Kjo pjesë e ligjit, pak a shumë u zbatua. Kurse pjesa e dytë e ligjit, e cila synonte që Kinostudio të shndërrohej në një qendër të fuqishme ekonomike e prodhimit të filmit, e cila do t’i ofronte trupave të aktorëve e regjizorëve bazën teknike të domosdoshme, nuk u realizua asnjëherë. Siç e dimë sot ambjentet e Kinostudios janë të okupuara nga mediat, duke mos shërbyer më në funksionin e tyre primar.

Sa e vështirë është të bësh një film sot?

Parimisht këtë përgjigje do ta jepte më të saktë një financier, për sa kohë që sfida e filmit është para së gjithash një sfidë financiare. Si aktor mund të them se njerëzit janë, por paratë mungojnë. Shkollat kanë prodhuar një brez të tërë aktorësh, gjithashtu edhe teatrot kanë fond aktorësh, por mungojnë mundësitë konkrete. Meqë jemi tek teatrot, një fatkeqësi është edhe rënia e sistemit të teatrove të qyteteve të tjera.

A është e saktë të thuhet se mbështetja e shtetit për këtë gjini të kulturës e artit, është thuajse inegzistente?

Unë mendoj që kjo është e saktë. Shteti nuk e mbështet kinemanë dhe teatrin shqiptar. Kam përshtypjen madje se me teatrin po ecet me logjikën “t’i mbajmë me bukë, se mos na bëjnë ndonjë grevë që merr më pas edhe sfond politik”. Aktualisht të dyja këto gjini të rëndësishme artistike, po vegjetojnë në kushte mbijetese.

Nuk kam ndonjë dëshirë të lavdëroj kohën e shkuar, por mirë a keq, dikur bëheshin dhjetë filma në vit. E kjo ndodhte në atë kohë kur jeta, siç e dimë, ishte e varfër. I tillë qe ai sistem. Kurse sot mungojnë fondet. Janë dy-tre filma në proces, por nuk kanë mundësi financiare të vijojnë punën. Nga pamundësia që kanë kineastët, ashtu si në atë kohë s’mund të bëhej më një film si “Skënderbeu” (për të cilin ndihmuan sovjetikët), ashtu edhe sot është e saktë të thuhet se s’mund të bëhet më një film si “Nëntori i Dytë”. Kjo është për të ardhur keq.

Meqë jemi tek “Nëntori i Dytë” dhe në një moment përvjetori Pavarësie, sa impenjues ka qenë ai film për ju?

Ai film ka në bazë të tij një gjetje të bukur. Në thelb ngjarjet zhvilloheshin gjatë rrugës që Ismail Qemali bëri nga Durrësi në Vlorë, para të shpallej Pavarësia. Në gjithë atë trajektore, në atë udhëtim me kuaj e karroca, shpërfaqet historia e asaj kohe, zbërthehet momenti historik që kalonte Shqipëria në vitin 1912. Kjo është fabul mjaft e goditur nga ana regjizoriale, mendoj.

Ndodhemi në 100 vjetorin e pavaresise. A eshte ky nje moment per medituar per rolet që keni lënë pas ne arkivin e kinemase shqiptare? Na thoni tre rolet qe mendoni se jane me te spikatura ne repertorin tuaj?

Sa herë kthej kokën pas, më forcohet bindja se shumë gjëra mund t’i kisha bërë më mirë. Ndoshta do të doja të kisha lënë pas një krijimtari më të gjerë, të kisha gjetur më shumë hapësirë dhe më pak privacione, në rrugën time si aktor i skenës. Nuk dua të bëj të persekutuarin, por në mjaft role më kanë hequr mënjanë.

Ndodhem në një fazë të jetës, në moshën 70 vjeçare, kur më duhet ta zgjedh dhe ta mendoj mirë atë që bëj. Duhen përzgjedhur rolet që i shkojnë jo vetëm moshës, por edhe karakterit dhe imazhit tim aktual, si dhe të kenë atë që quhet “brumë artistik”.

Sa për rolet që ndjej më të afërta, do të thoja se të gjitha intepretimet kanë brenda dhimbjen, djersën, mundin, gëzimet dhe historinë e tyre. Ndoshta nga rolet më të mira në kinema për mua mbeten ai i “Koncert në vitin ‘36”, “Prefekti” dhe “Mësonjtorja”. Sa për “Mësonjtoren”, siç e ka thënë edhe regjizori Muharrem Fejzo, roli im nisi si diçka e vogël, por që me dëshirën e përbashkët, e zhvilluam dhe i dhamë një karakter të spikatur personazhit që interpretoja.

Për “Koncertin…”, ku interpretoj nënprefektin, më shtyu  dhe më frymëzoi një lloj vaniteti dhe kotësie që kanë shpeshherë nëpunësit e provincave, të cilët duan ta kenë gjithnjë mirë me “qendrën”. Është një rol universal mendoj dhe vetë filmi, i cili është nga më të mirët e kinematografisë shqiptare, ka gjithashtu një mesazh universal brenda tij.

Roli i Qazim Mulletit tek “Prefekti” është edhe më delikati. Duhet të them se përveç emrit, ai rol ka pak të përbashkëta me personazhin historik. Nuk dua ta përligj Qazim Mulletin e vërtetë, por pak a shumë edhe prefekti, në konceptin tim, ka qenë një pushtetar, i cili ka brenda vetes një karakter popullor që rron edhe sot e kësaj dite. Kujtoj shprehje të tij, si për shembull “pas kaq muajsh, jeni bërë të gjithë komunista”, më pas thuhej “po ndenje kaq muaj në burg me hajdutët, je bërë edhe ti hajdut” etj. Injorancë ka pasur edhe më vonë, në kohën e komunizmit. Madje ka qenë ajo injorancë e disa zyrtarëve, që më frymëzoi edhe për rolin, pasi unë Qazim Mulletin nuk e njihja fare. Ky ka qenë në fakt një tipar i intepretimit tim.

Pra që nisesha në rolet e mia, nga psiko-fizika e personazheve të epokës time, me qëllim që ta bëja sa më real dhe të afërt personazhin, për publikun e kohës. I qëndroj mendimit se shoqëria njerëzore është e ndërtuar në  mënyrë të tillë, që epokat, regjimet dhe sistemet i ngjajnë njëri-tjetrit. Ka një cikël ulje-ngritjesh që përsëriten pafund. Fenomene si ato që dalin tek “Prefekti”, janë në fakt universale, përtej sistemeve. Arti dhe kultura vetëm i evidenton dhe mundohet të japë mesazhin që duhen korrigjuar. Pra, edhe kur kam luajtur Prefektin, kisha parasysh aktualitetin. Qazim Mulletit, siç thashë i njihja vetëm etapat kryesore të jetës, që ishte fanolist, antizogist, më pas kolaboracionist etj. Roli i tij në komedi, ishte ai i një zytari kuisling, i cili do me çdo kusht të mbajë një pushtet që e ndjen se po i lëviz.

Në këtë pikë, dua të shtoj një element që e ndjej të rëndësishëm. Në këtë histori që lidhet me rolin tim të Prefektit, mua më vjen keq dhe më duhet t’u kërkoj falje dy personave: gruas dhe djalit të Qazim Mulletit. Që të dy ata panë një kalvar të padrejtë vuajtjesh dhe padrejtësish nëpër internimet. Më vjen keq për ta, shumë më tepër se për Qazim Mulletin vetë, pasi ai iku në Itali dhe i la këtu.

Me se e kalon kohën Robert Ndrenika, cilat janë punët me të cilat po merret tani?

Sa i përket krijimtarisë, siç e thashë më lart, ndodhem në një moshë kur më duhet të zgjedh. Më vjen keq që koha po ikën shpejt, por nëse më duhet t’i kthehem kohë pas kohe skenës, preferoj të mos bëj shumë eksperimente. Meraku që kam në lidhje me rolet që përzgjedh, është që të jem sa më dinjitoz me kohën që më ka mbetur ende për të interpretuar.

Kam pasur disa oferta rolesh, por për momentin nuk kam përzgjedhur asnjërën, sepse sinqerisht nuk më kanë ngrohur, nuk më janë përshtatur. Një rol është si një kostum. Nuk vishet nëse nuk të rri mirë në trup.

Sa po munden ta zëvendësojnë brezin e artë të aktrimit, ku ju jeni ndër figurat qëndrore, aktorët e rinj të sotëm? Çfare shihni tek ata, që mungonte në brezin tuaj?

Shqipëria ka aktorë të rinj mjaft të talentuar. Megjithatë një prirje që nuk më pëlqen, është se ata po i konsumon deri diku televizioni dhe komercializmi. Më vjen keq që ata ta shohin veten të detyruar t’i futen biznesit të spektakleve televizive, ku shpesh janë të detyruar të bëjnë edhe aktorin, edhe regjizorin, ose të improvizojnë rolet që luajnë. Shumë prej aktorëve të rinj janë të talentuar dhe me të ardhme. Dua të them se televizioni për artin skenik është një “lubi” e vërtetë. Ai e konsumon artin e vërtetë dhe aktorin e vërtetë.

Prej dy dekadash ka rënë censura ndaj artit. Megjithatë ka një opinion të përhapur, që thotë se prodhimtaria më e mirë mbetet sërish ajo e para viteve ’90. A pajtoheni me këtë konstatim? Nese po, cilat jane arsyet sipas jush? Nje brez aktoresh te medhenj, financimi me i madh per te zhvilluar kinemane dhe teatrin apo dicka tjeter?

Nuk jam i mendimit që duhet ta hedhim poshtë edhe prodhimtarinë filmike të sotme. Ka filma të mirë, siç kanë provuar punët e Xhuvanit, Minarollit, Kumbaro etj. Por sot prodhohen më pak filma. E nëse kthejmë kokën pas, edhe atëhere kishte shumë prodhimtari, por pak filma të mirë. Edhe në atë kohë ka pasur cilësi shumë të dobët në disa raste. Nuk jam aspak dakord që ne t’i biem me top gjithë asaj krijimtarie. Nuk ka qenë aspak e lehtë “të bëje art” me fjalimet e Enver Hoxhës. Disa skenare të asaj kohe kërkonin mjeshtëri të madhe që të ktheheshin në vepra artistike.

Por që të bësh art është gjithmonë e vështirë. Pavarësisht se nuk ka më censurë, sfida mbetet e njëjta: duhet të kesh cilësitë dhe talentin për të bërë art të madh.

Si po e gjen Shqipërinë ky njëqind vjetor i Pavarësisë? Sa i kënaqur është me situatën në vendin e tij zoti Ndrenika?

Së pari e ndjej veten mirë që kjo Shqipëri, ky vendi ynë, arriti në 100 vjetorin e pavarësisë së tij si shtet. Por nëse duhet të them diçka për situatën ku vendodhet shteti shqiptar sot, do të kisha dashur që ky përvjetor shumë i rëndësishëm ta gjente Shqipërinë me një shtet me institucione demokratike e të pavarura. Jo njeriu, por institucionet. Kjo është ëndrra ime për këtë Shqipërinë e sotme.

Burimi: Peshkupauje

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.