Prefekt i Tirones Riza Drini
Prefekt i Tirones Riza Drini

U lind më 30 dhjetor 1898 në Strugë. Ndoqi shkollën fillore Ruzhdije në Strugë, gjimnazin osman, dhe Normalen e Elbasanit më 1914, të Cilën nuk e plotësoi për shkak të kryengritjes së rebelëve.

Më 1916 ndoqi shkollën për oficerë rezervë në Stamboll, duke fituar gradën e togerit. Më 1 gusht 1919, me vendim të Komitetit Shqiptar të Stambollit është emëruar mësues i shkollës shqipe në Ferikoj të Stambollit. Po me të njëjtin vendim më 1920 u emërua inspektor i shkollave shqip në Stamboll. Ka shërbyer si sekretar e kryetar i shoqërisë kulturore ”Djelmënia” në Stam- boll dhe si redaktor i organit të saj ”E vërteta”, më 1920 – 1921.

Shërbeu edhe në Komitetin Ekzekutiv të kolonisë shqiptare të Stambollit më 1920 – 1921. Karriera e tij vazhdon si kryesekretar në Prefekturën e Kosovës më 3 shkurt 1922. Në janar 1923 emërohet kryesekretar i Prefekturës së Durrësit. Nënprefekt i Lumës në gjysmën e dytë të vitit 1924. Më 1924 – 1930 emigrant politik. Më 11 maj 1932 kryetar i komunës së Voskopojës. (AQSH, F.803, D.77/1, fleta 177 – 186).

Më pas, Riza Drini emërohet nënprefekt i Kolonjës për t’u shkarkuar më 22 shtator 1939 (”Fletorja Zyrtare”, 16 tetor 1939). Më 1940 – 1941 ishte prefekt i klasit të dytë në Shkodër. Në dhjetor 1941 – 1943 prefekt në Prizren.

Më 11 shkurt – 3 mars 1943, Riza Drini ishte prefekti i Tiranës dhe më 1944 prefekt në dispozicion. Në shkurt 1942 u dekretua prefekt i klasit 1 (po aty, 14 shkurt 1942).

Menjëherë pas ardhjes së regjimit komunist në pushtet, u arrestua, u dënua dhe vuajti 5 Vjet burg në Shkodër. Mbasi doli nga burgu jetoi në lagjen “Zdrale”të Shkodrës. Punoi përkthyes në zyrën e hipotekës në Shkodër, mbasi ka qenë njohës i mirë i turqishtes dhe i shumë gjuhëve të huaja.

Vdiq në Shkodër më 23 maj 1966.

Shkëputur nga libri: “Prefektët dhe nënprefektët e Tiranës 1912-2017” me autor Gazmend A. Bakiu dhe Kastriot Dervishi. Faqe 88.

Përgatiti për faqen Tirona: Olsi Ferazini