Reshat Arbana, kjo figurë e shquar e skenës dhe e kinematografisë shqiptare dhe ky njeri i çiltër e i sinqertë, lindi më 15 shtator 1940 në Tironë në një familje zanatçiu (qeleshepunues), ku mbaroi edhe arsimin fillor e shtatëvjeçar të atëhershëm.

Megjithëse kreu të mesmen profesionale dhe se për tre vjet punoi si mekanik në Peshkopi e në Tironë, talenti i lindur bashkë me të i dha udhë formimit të tij për aktor. Shkollën e lartë “Aleksandër Moisiu” e mbaroi më 1965. Deri në vitin 1972, ishte regjisor në Radio ”Tirona” pranë Redaksisë së rinisë e të kulturës.

Por, edhe pse i përqendruar, i përkushtuar dhe i dashuruar pas artit; diktatura kur kishte nevojën të detyronte të merreshe edhe me politikë dhe nuk kishe nga t’ja mbaje. Siç thotë vetë Reshati “nëse nuk dëshiroje të hyje në Parti, të thoshin se nuk e doje Partinë, mos edhe më tepër”.
Pas stazhit të partisë, ai rikthehet për një kohë të shkurtër në Radio ”Tirona”, prej nga në vitin 1974, kaloi përfundimisht atje ku e kishte dëshirën, në Teatrin Kombëtar, në gjirin e aktorëve të mrekullueshëm të atij institucioni të shquar, ku, me mjaft sukses, qendroi gjatë gjithë karrierës së tij, madje deri kur doli në pension.

Kështu, në ato rrethana, ai mbajti edhe ngarkesën e politikës, por që, falë qytetarisë dhe personalitetit të padiskutueshëm të tij e për balloi me nder.  Bilancin më të lartë të këtyre angazhimeve arriti kur tre herë rresht (1978, 1982 dhe 1987) u zgjodh deputet në Kuvendin Popullor.

Në listën e 2247 ligjvënësve të legjislaturave të Shqipërisë (përfshirë edhe atë të XVI-të); Reshati, ky burrë i ndershëm dhe i ekuilibruar, është pjesë e një numri krejt të vogël autoktonësh, përfaqësues të qytetit tonë të Tironës.
Në planin artistik e profesional, që në fillim të karrierës dhe megjithëse ende pa përvojë, atij ju besuan role kryesore. Duke punuar me ndërgjegje dhe përgjegjësi të lartë mes korifejve të atij oborri teatror dhe bazuar në vullnetin e palodhur të tij për krijimin e figurave artistike; deri në vitin 1993, Reshati interpretoi 30 role në teatër e 40-45 kinematografi.

Kjo karrierë e shkëlqyer 20 vjeçare u vlerësua me çmime të ndryshme. Ndër më të spikaturat në teatër janë ato të Selim Brugës  “Familja e peshkatarit”; të Presidentit te ”Intrigë e dashuri”; të Delo Sinanit te “Përballë vetes”; të Dajë Demit, te ”Komunistët”; ndërsa në filma mund të përmenden ai i Samiut, “Fijet që priten”, 1976; i Prefektit, “Gjeneral granvzafoni”, 1978; i Bimbashit, “Liri a vdekje”, 1979; i lsa Boletinit, “Nëntori i dytë, 1982; i Ahmetit, “Dora e ngrohtë”, 1983; i Adnanit, “Hije që mbeten pas”, 1985; i Aliut, “Binarët”, 1987; i Emilit, “Rikonstruksioni”, 1988; i Kuke Meminit, “Balada e Kurbinit”, 1990 e sa e sa të tjerë. Për rolet e Dajlan Beut në filmin “Kush vdes në kembë” (1984) dhe të kryetarit të këshillit në atë “Kur hapen dyert e jetës” (1986), Reshati ka fituar më 1985 e 1987 Medalionin e Festivalit të Filmit”.

Me kërkesën e tij, ai doli në pension të parakohshëm në vitin 1992 dhe tamam kur, në mungesë të xhirimit të filmave, kishte filluar të merrej me artin e bukur të poezisë. E filloi me recitimin e vargjeve patriotiko-historike, çka solli një element të ri në jetën e tij artistike. Brenda vendit, apo edhe jashtë tij, në Kosovë e Maqedoni e deri në diasporë, në Europë dhe në Amerikë, ai pat dhe ka shumë ftesa për tubime dhe koncerte të ndryshme. Urimet, falenderimet, vlerësimet dhe fjalët e mira e të bukura e inkurajuan atë edhe për më tej.

E kanë përcaktuar dhe vazhdojnë ta përcaktojnë me format nga më ndryshmet: Varfëria më tulat, ëndrrat na hedhin në shtegtime, historia na qorton, ju i jepni dritë jetës time” i shkruan një qytetar atij; “O Promete shqiptar, na bën të qajmë sa herë të dëgjojmë”, i thotë një tjetër, ose “Të faleminderit Reshat Arbana, ti më dhurove kuptimin e vërtetë të mesazhit më të lartë”. Dhe më tutje një tjetër ”Zani yt buçet sikur bijen dhjetë këmbana”.

Prej majit të vitit 2004, kur ai u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar me rolin e protagonistit në dramën “Streha e të harruarve” ; në këto 20 vjet të demokracisë, në film apo në dramë, ai ka realizuar edhe disa role të tjera, por tepër pak, pesë ose gjashtë. Dhe këtë ai e vuan sepse e ndjen veten ende të aftë. Në Kosovë ka marrë pjesë në filmat Vite të rëndësishme”, ”Azem Bejtja (Galica)” e të tjerë.

Siç thotë vetë, ”ai nuk merret me politikë, por si të gjithë, në mënyrë indirekte jeton me të”. Gjithsesi, sot në demokraci, ai e ndjen veten të lirë, të qetë, të nderuar dhe të respektuar. Ai e don Shqipërinë ashtu si edhe të tjerët. Me qetësi, shpreh bindjet e tij, ashtu siç dëgjon me gjakftohtësi edhe ato të një tjetri.
Respekti duhet të jetë gjithnjë reciprok mendon Reshati. Në fund të fundit, këtu është thelbi i vërtetë dhe i vetëm i demokracisë. Ai mendon se, pikëpamjet dhe mendimet nuk duhet të mbahen brenda vetes; ndaj i lutet Zotit, t’i japë forcën e guximin për t’i nxjerrë e për t’i shpalosë ato pa ndërprerë. Dhe për të gjitha këto, ai mbetet mjaft i nderuar edhe në komunitetin e tij tironas.

Përgatiti për faqen Tirona: Olsi S. Ferazini

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.