Ramazan Bogdani ka lindur në Tironë më 1934 dhe ka përfunduar studimet e larta në degën Gjuhë shqipe-letërsi të fakultetit të historisë dhe të filologjisë të Universitetit të Tironës. Duke qenë më parë valltar dhe koreograf në Filarmoninë Shqiptare, në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore dhe në Teatrin e Operës e të Baletit, është diplomuar me temë nga etnokoreologjia shqiptare. Në mënyrë të pavarur, ai iu përkushtua folklorit koreografik shqiptar dhe në vitin 1967 filloi punë si punonjës shkencor (etnokoreolog) në Institutin e Folklorit (sot Instituti i Kulturës Popullore) të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Gjatë karrierës së gjatë të tij në këtë institucion, ka kryer ekspedita të shumta kërkimore shkencore në terren, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, te shqiptarët e Maqedonisë, ndër arbëreshët e Italisë etj. Falë punës së Ramazanit, arkivi i këtij institucioni është pasuruar ndjeshëm me mbi 100 filma shkencorë nga sfera e traditës dhe e bashkëkohësisë të kulturëskombëtare shqiptare.

Në vitin 1982 realizoi disertacionin e shkallës së parë me temë Vallet e Lunxherisë dhe disa paralele me Shqipërinë e jugut”; ndërsa më 1994, atë të shkallës së dytë “Vallëzimi popullor shqiptar-Lirika”.

Për vallëzimin popullor në përgjithësi (etnokoreologjinë), ai ka botuar mjaft libra, si p.sh.: ”Në truallin e valles popullore” (1975), “Të njohim vallet tona”, 1976; “Folklori koreografik i Hasit”, 1977; ”Gjurmime koreografike”, 1995; ”Vallet e Lunxhërisë”, 1995; “Letërsifolklorike”, 1996, (me bashkautor) e deri në më të fundit ”Visare etnokoreografike”, 702 fq., 2003; ”Etnokoreografi kosovare hasjane”, Globus R, 323 fq., 2005.

Tani po përgatit me bashkautor vëllimin “Identitet kulturor-vështrim etnofolklorik për Kërçovën me rrethina” dhe po me bashkautor ka në projekt përgatitjen e vëllimit ”Mbijetojë 5oo vjeçare, Folklori i arbëreshëve të Italisë”, si dhe katër vëllime të tjera me përmbledhje artikujsh nga fusha e etnokoreologjisë shqiptare dhe më gjerë.

Si koreolog (studiues dhe kritik) është autor i rreth 200 artikujve shkencorë për folklorin koreografik si dhe për koreografinë artistike të kultivuar, përfshirë edhe balete kombëtare të popujve të tjerë, të botuar kryesisht në organe shkencore, por edhe në periodikë e të përditshme të Shqipërisë, Kosovës, të shqiptarëve të Maqedonisë e të Malit të Zi si edhe në botën e jashtme. Me kumtesa dhe referate, ai ka marrë pjesë në veprimtari shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ka realizuar mbi 200 biseda dhe emisione radiotelevizive për probleme të kulturës popullore e të artit.

Është angazhuar edhe në fushën pedagogjike, në Akademinë e Arteve në Tironë, për lëndën ”Folklori koreografik shqiptar”. Ka udhëhequr tema diplomash dhe disertacionesh dhe është ngarkuar me detyrën e anëtarit ose të kryetarit të jurive pranë Institutit të Kulturës Popullore dhe Akademisë së Arteve për mbrojtje disertacionesh në fushën e folklorit dhe të muzikës së kultivuar shqiptare.

Ka qenë anëtar komisionesh dhe jurish për organizimin dhe zhvillimin e nëntë festivaleve folklorike kombëtare (prej 1957 deri më 2002). Veç këtyre, ka qenë kryetar i jurisë për festivalin folklorik të shqiptarëve të Maqedonisë “Sharri këndon-Tetovë 1995”; anëtar i jurisë për Festivalin e 37-të Ndërkombëtar të Valleve në Bursa të Turqisë (korrik, 1998); drejtues i tryezës së rrumbullakët për festivalin e 4-të Ndërkombëtar të Folklorit, në Stamboll të Turqisë (korrik, 1998); kryetar dhe anëtar jurishë në Festivalin e Këngëve dhe Valleve të përpunuara ”Këngë jeho”, Strugë (1998); ”Festë dituria ’99”, Kërçovë (1999); “Kosovarja këndon”, Ferizaj-Kosovë, (1999); si edhe kryetar i jurisë dhe president i Simpoziumit Shkencor Ndërkombëtar të Festivalit të Dytë Euromesdhetar të Muzikës dhe Valles Antike Arbëreshe ( San Cosmo Albanese Itali, gusht 2003).

Si koreograf në të gjitha institucionet artistike profesioniste dhe në shumë ansamble amatore, ka vënë në skenë krijime të tij koreografike; ndërsa, si udhëheqës artistik ka organizuar e drejtuar koncerte folklorike dhe spektakle artistike për shfaqje brenda dhe jashtë të Shqipërisë.

Është anëtar i këshillit shkencor të Institutit të Kulturës Popullore; anëtar i redaksive të revistave ”Kultura popullore” dhe ”Çështje të folklorit shqiptar”; anëtar i redaksisë së fushës së kulturës popullore për Fjalorin Enciklopedik Shqiptar si dhe i revistës shkencore kulturore “Univers”.

Ai është, gjithashtu, përgjegjës i departamentit të etnomuzikologjisë dhe etno koreologjisë në Institutin e Kulturës Popullore; anëtar i këshillit artistik tëAnsamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore; anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë; anëtar i grupit studimor ndërkombëtar për etnokoreologjinë të UNESKO-s si dhe anëtar i komitetit drejtues të Qendrës së Studimeve Italo-Arbëreshe (San Demetro Corone-Itali).

Mban titullin ”Nderi i qytetit të Tironës” dhe është dekoruar me Urdhrin e Artë “Naim Frashëri”.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.