Qemoran Toptani
Qemoran Toptani

E bija e Fuatit, dy herë kryetar i Bashkisë së Tironës, pjesëmarrës në Kongresin e Triestes (1913) dhe senator (1915), kjo pinjolle e njohur me emrin Lona dhe pjesë e asaj familje autoktone, lindi në Tironë më 9-12-1912, ku bëri edhe shkollën fillore.

Arsimin e mesëm e kreu në Vjenë, ku banonte me familjen e saj; ndërsa arsimin e lartë në Romë. Në Tironë, e kthyer menjëherë pas mbarimit të studimeve, punoi me detyrën e mjekes, duke u angazhuar njëherësh edhe në ndihmë të njerëzve të plagosur, me që ajo kohë përkonte me vitet e fundit të Luftës së dytë Botërore.

Pas çlirimit të vendit, Lona ishte mjeke e përgjithshme në Spitalin Civil të qytetit, ku shumë shpejt u dallua për vlerat dhe punën e saj. Për aftësitë e treguara, ra në sy të emrave të shquar të kirurgjisë së atëhershme, profesorit italian Loci dhe mjekut të shquar shqiptar Frederik Shiroka.

Edhe pse vetëm asistente, të gjitha operacionet që ju besuan asaj, ajo i kreu me sukses dhe për këtë fitoi besimin e plotë të personelit dhe të pacientëve. Pas vitit 1950, kur nevojat për mjekë ishin të mëdha, me detyrën e kirurges së parë, atë e transferojnë në Spitalin e Peshkopisë.

Lonën, historia e përcaktoi kështu si themeluesen e kirurgjisë për atë qytet dhe më gjërë për të gjithë zonën e Dibrës, ku përfshihej edhe Mati e Kukësi. Atje punoi, madje në kushte tepër të vështira, deri pa aparaturën e nevojshme dhe nganjëherë pa ndriçimin elektrik. Gjithnjë e suksesshme në kryerjen e operimeve të niveleve të ndryshme, kishte edhe një detyrë tjetër, që po ashtu e përballoi me mjaft rezultat. Lona përgatiti edhe kirurgët e rinj dibranë që do t’a zevendësonin atë. Pas dhjetë vjetësh, ajo u kthye përsëri në Tironë, por këtë herë në Spitalin Gjinekologjik.

Në krah të emrave të dëgjuar si Glozheni, Kosturi, Gjylbegu etj., edhe këtu, ajo përsëriti aftësitë dhe talentin e saj të kirurgut. Jo vetëm si një mjeshtre e bisturisë, por edhe si një edukatore dhe qytetare e kulturuar, Lona punoi shumë gjatë edhe në këtë institucion të rëndësishëm të shëndetësisë.

Kjo tironase e shquar, dhe njëra nga gratë më intelektuale të kohës, mund të jetë mjekja e parë shqiptare femër dhe, në mos qoftë tamam kështu, me siguri është kirurgia e parë. Për këtë, ajo jep një tjetër “rekord”, ashtu siç ka dhënë rekorde të tjera edhe familja e saj Toptani dhe vetë tironasit.

Lona u nda nga jeta në moshën 69 vjeç, më 23-5-1981. Për vlerat e gjithanëshme që kishte ajo, kolegët dhe pacientët e vet e mbajnë mend dhe e kujtojnë edhe sot. Në përkujtim të saj, për të, mund dhe duheshin gjetur forma edhe më të dukshme e krejtësisht të merituara.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.