Qazim Mulleti

Qazim Mulleti ka qenë dhe mbetet nji figurë që e ka lënë gjurmën e veta në histori. Ashtu si jemi duke lënë gjurmë të pashlyeshme turpi në histori, po kësaj here në emër të nji njeriu me të cilin komunizmi shqiptar bëri storie dhe gallatë të pafundme…

Qazim Mulleti qe tironas i lindun në lagjen “Sulejman Pasha” në vitin 1893, prej atyne të rrallve që “i kanë dhonë emër dhe dinjitet këtij qyteti” dhe që nji ditë do të ishte ndër mbështetësit ma të flaktë që Tirana të ishte kryeqyteti i Shqipnisë… Qazim Mulleti qe ma së pari nji nxanës i shkëlqyer prej Manastirit, deri në Zosimea të Janinës, dhe student shembullor prej Universitetit të Gallatasarajt deri në Akademinë dipllomatiko-ushtarake të Vjenës, duke qenë njiherësh edhe nji nga poliglotët e rrallë që ka pasë Shqipëria (turqisht, greqisht, gjermanisht, arabisht, serbisht, italisht, latinisht, frengjisht) dhe nji nga koleksionistët e rrallë… Qazim Mulleti djalosh, do të shfaqet në ngritjen e flamurit në Tiranë dhe në Vlorë, dhe si nji prej katër adjutantëve të Princ Vidit… Energjik në Kongresin e Lushnjes, ku do të hidheshin themelet e shtetit të ri shqiptar, me pjesën e vet të dukshme të kontributeve…

Në 1920, është komandant i forcave vullnetare për mbrojtjen e kufijve nga serbët, dhe më pas Prefekt në Dibër… Me vendosjen e Qeverisë së parë në Tiranë, familja e Mulletëve do të ishte mbështetsja kryesore e saj dhe nji ndërtetsë e tyre do të bëhej edhe Ministria e parë e Bujqësisë… Vendoset në rradhët e opozitës dhe është ndër fannolistët e bindur… që së bashkë me dështimin pranon edhe ezilin… fillimisht në Kroaci, e më pas në Vjenë, duke qenë gjithnji njeri aktiv, i drejtë dhe për nji Shqipëri ma të emancipuar. Në Vjenë martohet me Hajrie Kusin dhe pati nji djalë të vetëm: Reshitin… Mbas largimit të Zogut dhe pushtimit të Shqipërisë nga Italia është sërish në mbrojtje të çeshtjes shqiptare, duke mbuluar detyra delikate dhe të rëndësishme…

Miqsia e ngushtë me Bahri Omarin, e detyron që në shtëpinë e tij të gjejnë strehë edhe “ata” që më pas do ta sundonin Shqipërinë për gati nji gjysëm shekulli, e ku krahas degdisjes së tij në ezilin e fundit… i degdisën edhe familjen: gruan dhe djalin në kalvarin pafund të kampeve të interrnimit deri në rrënimin e tyre… Vdes në rrethinat e Romës dhe ata që e kanë njohur e kujtojnë si nji njeri që deri ditën e fundit në 28 gusht të 1956, kishte punuar, pa u trembë nga lodhja…

Kjo kuti metalike që prej dy vitesh endet nëpër media (panorama 3 tetor 2011), u shfaq mbas nji pune këmbëngulse të poetit Gëzim Hajdari… me të cilin kemi folur dhjetra herë derisa ai, arriti ta gjente vendndodhjen e eshtrave të Qazim Mulletit.

Rishfaqja e kësaj kutie metalike me emrin e nderuar të këtij personaliteti na poshtëron të gjithve si bashkombas, na turpëron të gjithëve si qytetarë, na turpëron të gjithëve si bashkëvuajtës, dhe duhet t’i turpërojë edhe të gjithë ata që flasin dhe shkruajnë për historinë e këtij vendi, duhet t’i turpërojë të gjithë ata që s’kanë as minumumin e kurajos për ta thënë hapur jo të vërtetën po as gjysmën e saj, duhet t’i turpërojë të gjithë ata që ndjehen me shpirt tironas, sepse vështirë të gjendet nji figurë aq popullore dhe aq energjike në historinë e tyre sa ajo e Qazim Mulletit (megjithë at komedinë e përdhosëse)… duhet t’i turpërojë ata që e kanë gjakun e tyre, dhe që ende s’gjejnë forcë as kurajo për t’i dalë zot nji figure dhe nji njeriu që u ka lënë gjithçka nga vlerat e tij…!!!

Kjo kuti metalike e mbetur ende në nji magazinë të pluhurosur varreze, s’është tjetër veçse fytyra e shtetit shqiptar, fytyra e qytetarit shqiptar, është dhimbja jonë e pakallur… e mbetur ashtu si kjo kuti metalike rrugëve të botës… së cilës sot askush s’i del zot…

korrik 2013

Gjenden në Romë eshtrat e Qazim Mulletit

nga Ylli Polovina

Kohët e fundit, gjatë një bisede me Tanush Mulletin, nipin tashmë të njohur të shumë më të njohurit Qazim Mulleti, ky papritmas përmendi emrin e poetit Gëzim Hajdari, i cili prej afro dy dekadash jeton e shkruan në Itali, duke u bërë edhe ai një emër mjaft i ndier. Citimi i Hajdarit erdhi sepse fjala ishte për të vuajturit nga gjysmëshekulli totalitar i paranëntëdhjetës dhe se poeti, duke u shpalosur fort në shtyp, ka sipërmarrë prej vitesh misionin e zbulimit dhe rivlerësimit të figurave të shquara kombëtare. Sigurisht, Gëzim Hajdari nuk është i vetmi në këtë përpjekje, por Tanush Mulletit i kishte bërë përshtypje pasioni i tij, një lloj betimi që i kishte nënkuptuar. Me postë elektronike, një ditë më pas, e vura në dijeni poetin për fjalët e ngrohta që dëgjova. Ai m’u përgjigj me disa radhë, ku nuk kishte pak befasi. Ai njihej me Mulletët. “Ruaj një kujtim me djalin e xhaxhait të Tanushit, Reshitin (djalin e Qazimit)”, më shkroi, “Ishte një ditë vjeshte e vitit 1986. Në fushat me misër të Savrës, në qytetin tim të Lushnjës, takoj Reshitin dhe ndër të tjera i them: “Shiti (kështu i thërrisnin shkurtimisht), nëse do të ishte yt at, Qazim bej, ku do të ishe sot?”. Shiti, me shtat jo fort të gjatë e të imët, më thotë “Do të isha ambasador në Zvicër”. Dhe unë përsëri “Pse jo në Itali?”. Prapë ai: “Jo nuk dua në Itali, në Zvicër më pëlqen”.

Gëzim Hajdari – Poeti që gjeti eshtrat

 

Kutia metalike me eshtrat e Qazim Mulletit
Kutia metalike me eshtrat e Qazim Mulletit

Ky ishte takimi im i vetëm e i paharruar me djalin e të madhit Qazim Mulleti, ish-prefekti i Tiranës”. Më pas do ta pyesja Gëzim Hajdarin për ndonjë hollësi tjetër rreth kësaj ngjarjeje dhe ai do të shtonte se rasti dhe fati i njohjes me Rushitin kishte ndodhur, kur për disa muaj pati punuar edhe ai si punëtor bujqësie në brigadën e një bashkëvendësi me emrin Llazar Stambolliu. Pikërisht këtu, në brigadën e tretë të plehut (kështu quhej saktësisht), ishte, sigurisht si i internuar, edhe i biri i ndëshkuar padrejtësisht i Qazim Mulletit. “Në atë trup të vogël të bënin përshtypje krahët e tij shumë të gjatë”, shpjegoi poeti, “dhe kur me kujdes e pyeta përse i kishte ngjarë kjo, ai u përgjigj “Për shkak të peshës së tezgave të rënda me pleh”. “Qe njeri i gëzuar, gjithsesi”, shqiptoi pikëllueshëm Hajdari, “përherë rrinte me buzë në gaz”.

Në ditët e mëpasshme, poeti do të shprehte edhe një brengë, të cilën e kishte ruajtur përherë në shpirt: të shkonte në varrin e Qazim Mulletit, i cili ndodhet në rrethinat e largëta të Romës, në qytezën e njohur Roka di Papa (Rocca di Papa). Do të vendoste atje një tufë me lule. Ndoshta edhe ato fjalë të ngrohta të Tanushit, duke e prekur, e kishin shtyrë edhe më shumë të mos vononte. Kështu, një ditë (qe e enjtja e kësaj jave, 29 shtator), mori udhën për të plotësuar një amanet që në heshtje ia kishte bërë Reshitit, pas asaj bisede të dhimbshme e të largët, kur njerëz përreth nuk kishte dhe në fusha sapo qe korrur misri. Në Roka di Papa e priti një nga nëpunësit e komunës, me të cilin pati folur para se të nisej. Ai i tha se hë për hë nuk mbante mend të gjithë emrat e të vdekurve, por do të shkonin në arkiv e shihnin dokumentet. Kur hapën një nga regjistrat e gjetën emrin e Qazim Mulletit. Ishte shkruar se pati ndërruar jetë më 28 gusht 1956, ora dy e pasdites. Si profesion i qe shkruar “nëpunës”.

Adresa, ku në Roka di Papa ish-prefekti i Tiranës pati jetuar, qe një lagje në pjesën e vjetër të qytezës, në Vikolo dele Grote (Vicolo delle Grotte), numër 8. Pastaj, njeriu i komunës u shpreh se tani mund të shkonin në varreza. Kur hynë në Cimitero Comunale San Sebastiano Martire, Qazim Mulleti nuk qe mes varreve të zakonshme, por i futur në një arkë alumini, në një nga depot. Punonjësi i varrezave shpjegoi se personi për të cilin poeti Gëzim Hajdari po interesohej, qe hequr prej andej në 2004. Sqaroi se kjo ndodhte me të gjithë pas tridhjetë vitesh. Liroheshin vendet për jetëhumburit e radhës. Pastaj shtoi se varri, ku Qazim Mulleti kishte qenë më parë, tani mbartte një të vdekur tjetër, me emrin Xhuzepe. E vijoi fjalën e tij, duke thënë se tashmë mund të shkonin në depo e ta shihnin me sy arkën e vogël arkivol.

Tha gjithashtu se do ta nxirrte jashtë dhe se do ta hapte që Hajdari ta shihte. “Kjo nuk lejohet”, shtoi, “po ashtu edhe të bëhen fotografi në varreza, por ti vepro si të duash e unë nuk do të them asgjë”. Ndërsa do të shihnin që brenda kutisë mortore do të ishin një grusht kockash, shenja të dhëmbëve, gjurmë të tretura të një tufe flokësh, dy mbetje këpucësh dhe po ashtu copëra të imëta çorapesh, punonjësi italian i bashkisë do të thoshte me trishtim se në qytetin e tyre të vizituar nga njerëz të shquar, nga Zhorzh Sand, Stendal e deri tek Anderseni, ku kishte jetuar e qe varrosur edhe këngëtari i shquar italian Klaudio Vila, për shqiptarin Mulleti nuk kishte asgjë të botuar, artikull apo libër, qoftë kjo edhe ndonjë broshurë. Gëzim Hajdari atëherë nisi t’i fliste për figurën e bashkëkombësit të tij, jetën e trazuar nga politika dhe njëkohësisht familjen e shquar që përfaqësonte, se sa mirë do të qe që eshtrat e tij të riktheheshin në Shqipëri… Rrëfimi mbi këtë ngjarje të së enjtes vijon edhe më tej, por po e ndërpresim një çast këtu, për të mos e lënë apo braktisur absolutisht, por për ta çuar më tej, duke e vijuar në një shkrim shumë më të plotë.

3 tetor 2011 (panorama)

Peticion drejtuar:

Trashëgimtarëve Ligjorë të të Ndjerit Qazim Mulleti

Në të njejtën kohë,

Këshillit drejtues të Shoqatës “Tirana’’

Kryetarit të Bashkisë së Tiranës z.Lulzim Basha

Antarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës

Objekti i peticionit: Kthimi i eshtrave të ish-prefektit të Tiranës, të ndjerit Qazim Mulleti

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Para disa muajsh, nëpërmjet shtypit të shkruar shqiptar, mësuam një lajm i cili befasoi dhe la një shije të hidhur në mbarë komunitetin autoktonas tironas.

Lajmi bënte fjalë për një zbulim të viteve të fundit dhe me ekzaktësi kishte të bënte me gjetjen e eshtrave të Qazim Mulletit, ish-Prefektit të Tiranës në vitet 1939-1944, një individ, i cili edhe sot e kësaj dite vazhon të jetë një prej personave publikë më të dashur dhe që kujtohet me nostalgji nga mbarë komuniteti autoktonas tironas dhe jo vetëm.

Sipas këtij informacioni, eshtrat e ish-Prefektit, sot prehen në varrezën “San Sebastiano Matire” në Rocca di Papa (Provincë e Romës). Në inpakt të parë, lajmi i gjetjes së eshtrave të Qazim Mulletit na gëzoi, jo vetëm ne firmëtarët e këtij peticioni, por të gjithë ata individë që figurën e këtij njeriu të madh e të nderuar vazhdojnë ta kujtojnë me nostalgji.

Por siç e thamë që në nisje të këtij peticioni, ky lajm nga një anë qe dhe befasues, për mos të thënë tronditës, pasi nga ky zbulim u mësua gjithashtu se prej disa vitesh eshtrat e tij nuk preheshin më në një varr të zakonshëm, por në brendësi të një arke alumini dhe jo të mbuluar me dhe, në një nga depot mortore të kësaj varreze.

Pyetja që kishim dëshirë të shtronim në këtë rast është shumë e thjeshtë: A e meriton sipas jush ky tironas që punoi me përkushtim dhe dashuri për qytetin e tij, një shpërblim të tillë?!

Duke marrë shkas nga kjo situatë, Ne, firmëtarët e këtij peticioni, i bëjmë thirrje në rradhë të parë, trashëgimtarëve ligjorë të të ndjerit Qazim Mulleti, për nisjen sa më të shpejt të procedurave për kthimin e eshtrave të tij në kryeqytet, dhe në të njëjtën kohë, Shoqatës “Tirana” dhe Bashkisë së Tiranës, për ngritjen e një grupi të përbashkët pune, për t’u mbështetur me të gjitha format sjellen e eshtrave të Qazim Mulletit në Tiranë dhe përgatitjen e një ceremoniali zyrtar, për ta nderuar kët figurë, ashtu siç i ka hije një Burri shteti, me MADHESHTI!

dhe së fundi, anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës, të mbështesin dhe të votojnë propozimet tona për:

  1. a) ngritjen në Tiranë të një shtatoreje të Qazim Mulletit;
  2. b) nje sheshet kryesore të Tiranës të emërtohet “Sheshi Qazim Mulleti’’.

Shpirti i Qazim Mulletit nuk do gjejë asnjëherë paqe nëqoftëse eshtrat e tij nuk do prehen nën dheun e qytetit ku u lind, ku u rrit dhe për të cilin ai punoi me aq dashuri dhe përkushtim!

Nderojeni!

BURIMI: RADIANDRADI.COM

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.