Qazim HERRI
Qazim HERRI

Qazim Herri ka lindur  më 2 qershor 1912. Arsimin fillor dhe atë të mesëm (Gjimnazin e Shtetit) e përfundoi po në qytetin e tij. Ndryshe nga tradita e zakonshme e tironasve, megjithëse jo i vetmi, ai ndoqi drejtim tjetër.

Në mbarim të Kolegjit Ushtarak në Tironë, që e filloi në vitin 1927, mori gradën “nëntoger”, detyrë me të cilën punojë disa kohë. Më tutje, gjatë viteve 1934-1939, kreu studimet e larta në Institutin Gjeografik Ushtarak të Firenzes, ku u profilua për Topografinë e triangulacionit dhe të fotogrametrisë. I përkushtuar në kualifikimin e vazhdueshëm profesional të tij, ai vazhdoi edhe më tutje. Në vitet 1939-1940, në Akademinë Ushtarake ne Torino, mbylli edhe specializimin njëvjeçar.

Me këtë përgatitje më se të plotë, Qazimi kthehet në Shqipëri. Fillimisht nisi në Regjimentin e Artilerisë. Më pas u përfshi në organikën e Misionit Topografik Ushtarak, ku bashkë me kolegët e tij të përgatitur po në Itali, si N. Luli, J. Gjylbegu e të tjerë, dha kontribut të ndjeshëm në përgatitjen e hartave topografike të zonave të ndryshme të Shqipërisë.

Me këtë angazhim, Qazimi bëhet bashkëautor i hartave gjeografike të shkallëve 121000; 1:2000 dhe 125000, për zonat e Tironës, Durrësit, Shkodrës etj.. Pas kapitullimit të Italisë, Qazimi nuk është më në funksione ushtarake.

Gjithsesi, duke e ruajtur profilin e tij, që prej mbarimit të luftës më 1945 e deri kur doli në pension në vitin 1973, ai u angazhua në sektorët civilë të jetës. Në Ministrinë e Bujqësisë, deri në vitin 1956, u mor veçanërisht me problemet e reformës agrare dhe me ato të ujrave e të bonifikimeve. Më tutje, punoi në drejtorinë e rilevimeve topografike bujqësore.

Falë nivelit të tij shkencor e profesional, gjatë kësaj periudhe, ai u angazhua edhe në drejtim të përgatitjes së teknikëve topografë të udhëhequr nga Alajdin Frashëri dhe vetë ai. Përmes kurseve të posaçme, pranë shkollës për gjeometra në Durrës dhe Teknikumit të Ndërtimit në Tironë, veçse si mësues i jashtëm, ka dhënë kontribut të shquar edhe në hartimin e teksteve mësimore, prej të cilëve mund të përmendet veçanërisht libri

Gjeodezia”, 1971, me tre vëllime dhe rreth 600 faqe, botim i Shtëpisë së Propagandës Bujqësore, që konsiderohet ndër më të plotit e të mirëfilltët në planin teorik e praktik. Po kështu, për këtë nivel arsimor, është i rëndësishëm edhe teksti “Njohuri teknike mbi modifikimin dhe sistemimin e tokave”, 1972, me dy vëllime dhe rreth 300 faqe.

Vdiq, më 14 Mars të vitit 2003, në moshën 91 vjeçare, i nderuar nga shoqëria dhe familja e tij.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.