Qazim BODINAKU
Qazim BODINAKU

Qazimi lindi në Tironë në vitin 1893, në një familje mjaft të njohur. Po këtu kreu arsimin fillor, kur shkollimin e mesëm e mbylli në gjimnazin e Durrësit. Më tutje, ai vazhdoi jashtë Shqipërisë, në Kolegjin Turk të Selanikut. Me kthimin në Atdhe, që në rininë e tij dhe duke qenë i mbrujtur me ndjenjat patriotike, u përfshi aktivisht në politikë. I përndjekur fuqimisht nga Haxhi Qamili, kur forcat e të cilit vepronin në Tironë, ishte i detyruar të kalojë në ilegalitet.

Me formimin intelektual të tij, ai shërbeu në detyra mjaft të rëndësishme: drejtor i departamentit politik (1919-1920); komisar i policisë në Tironë (1920-1922) dhe nënprefekt i Tironës (1922-1925). Duke qenë përkrahës i sistemit mbretëror, ai u largua nga Shqipëria kur në pushtet erdhi qeveria e Fan Nolit dhe për t’u rikthyer shumë shpejt me triumfin e Partisë së Legalitetit. Më pas, kryesisht me detyrën e Prefektit, Qazimi ishte në Kukës e në Dibër (1925-1927), në Vlorë (1927-1929), në Elbasan (1929-1930), në Berat (1931-1932 e përsëri 1935-1939), në Gjirokastër (1932-1933) dhe në Shkodër (1933-1934).

Gjatë gjithë veprimtarisë së tij të gjerë në kryerjen e detyrave shtetërore, ai u shqua si patriot në mbrojtje të interesave kombëtare ndaj ndërhyrjeve shoviniste greke dhe fashiste italiane. Për t’u përmendur janë sidomos kundërvëniet e fuqishme e të herëpashershme të tij ndaj shërbimeve të fshehta të këtyre shteteve dhe të agjenturave të tyre në Shqipëri. Për shkak të këtij qëndrimi të vendosur atdhetar, e sidomos pas viteve tridhjetë, nga agjentë të paguar të agjenturës profashiste, atë e vranë më 6 prill të vitit 1939, duke qenë për së dyti në detyrën e prefektit të Beratit.

Mbi aktivitetin e këtij personaliteti ka një dokumentacion të gjerë dhe që ruhet në Arkivin qendror të Shtetit. Ka njëherësh mjaft botime, madje jo vetëm në shqip, që përshkruajnë ngjarje të kohës dhe ku Qazimi është ndër protagonistët e tyre. Në to, ai vlerësohet si ndër njerëzit më me përvojë dhe si një ndër figurat me autoritet gjatë periudhës së mbretërisë.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.