Mihal Jorgji JORGONI – Titulli Shkencor, PROFESOR – Grada Shkencore, DOKTOR
Mihal Jorgji JORGONI – Titulli Shkencor, PROFESOR – Grada Shkencore, DOKTOR

Mihal Jorgoni lindi në Tironë në vitin 1940. Studimet e larta me titullin “inxhinier elektrik” i kreu, më 1962, në fakultetin e inxhinierisë të Universitetit Shtetëror të Tironës.

Prej asaj kohe e deri në vitin 1991 ka punuar në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve të Hidrocentraleve. Atje është shquar si një nga inxhinierët më të talentuar për mbrojtjen rele, automatikën e linjave dhe nënstacionet elektrike të sistemit elektroenergjetik e në veçanti të hidrocentraleve. Në vitin 1987 ka kryer disertacionin me temë ”Sistemet e eksitimit të hidrogjeneratorëve dhe ndikimi i tyre në rritjen qëndrueshmërisë së punës në sistemin energjetik”.

Mihali ka qenë ndër specialistët kryesorë që trajtoi me uzinat e huaja pjesët teknologjike të HC-eve. Është bashkautor në studimet dhe projektimet e HC-eve mbi lumin e Drinit, Vjosës, Devollit etj.. Në HC -et e Fierzës e të Komanit dhe në mjaft nënstacione elektrike dhe stacione të rëndësishme të pompimit ai është drejtues i punimeve të kolaudimit e të vënies në punë të pajisjeve elektrike. Në ISPH drejtoi sektorin elektromekanik për studimin dhe projektimin e hidrocentraleve, porteve dhe veprave ujitëse.

Ka udhëhequr studimet e financuara nga BERZh-i për riaftësimin e hidrocentraleve, rrjeteve transmetuese e shpërndarëse dhe për drejtimin dispeçer të sistemit elektroenergjetik. Më vonë, ka qenë edhe: zv-drejtor i përgjithshëm i KESh-it (1992-1993); përgjegjës sektori në KESh (1993-1994) dhe drejtor i zyrës së përfaqësisë së firmës shumëkombëshe energjetike Asea Brown Boveri (ABB) në Shqipëri prej vitit 1994 e deri sot.

Nga viti 1971 ai ka dhënë mësim si pedagog i jashtëm në fakultetin e inxhinierisë të UT, madje, gjatë viteve 1987-1994, po si i jashtëm, ka drejtuar edhe katedrën e centraleve elektrike. Është bashkautor i disa teksteve dhe programeve mësimore si dhe ka udhëhequr punime të diplomave të studentëve dhe të pasuniversitarëve. Ka shkruar mjaft artikuj shkencorë dhe ka kryer recensa e oponenca disertacionesh, tekstesh, botimesh dhe studimesh të elektroenergjetikës. Zotëron gjuhët angleze, italiane dhe ruse.

Për kontribut në studimet, projektimet dhe kolaudimet e mjaft veprave të sistemit elektroenergjetik është laureuar dy herë me Çmimin e Republikës të klasit I dhe me Urdhra pune të klasit I dhe II. Është anëtar i Akademisë së Shkencave të New-Jorkut dhe që nga viti 1996 është për- fshirë në Enciklopedinë “Who is Who in Science and Engineering”, ShBA.

Burimi: Shoqata Tirana