Preza, Qyteti Feniks – Nga Prof. Zyhdi DERVISHI
Preza, Qyteti Feniks – Nga Prof. Zyhdi DERVISHI

Preza është një krahinë që shtrihet në Veri dhe Veri-Perëndim të Tiranës. Qendra historike e kësaj krahine është vetëm 22 kilometra larg qendrës së kryeqytetit. Deri në fund të viteve ’20 të shekullit XX, Preza shërbente si qendër administraive e 15 fshatrave përreth (Selenica, T., 1928: 218).

Të dhënat e dokumentuara për Prezën janë të pakta dhe disi të mjegulluara. Por edhe ato që ekzistojnë janë të mjaftueshme për të provuar se Preza-Qendër, gjatë Erës së Re, veçanërisht në harkun kohor nga fundi i shekullit XV deri në fillim të shekullit XX ka pasur karakteristikat urbane të një qyteti ose qyteze. Për këtë mund t’u referohemi disa fakteve dhe arsyetimeve të pakundërshtueshme:

E para, Në shekullin XIX në Shqipëri ka pasur qytete pa kullë sahati, por nuk ka pasur fshatra me kullë sahati. Mjaft studiues mendojnë se në Prezë kulla e sahatit është ngritur mbi kullën rrethore lindore të kështjellës gjatë gjysmës së parë të shekullit XIX. Në vitin 1853 albanologu i shquar gjerman Johann George Fon Hahn ka vizituar Prezën.

Ndër të tjera, ai përshkruan edhe kullën e sahatit dhe sahatin që funksiononte. Sipas dëshmive gojore të banorëve të Prezës deri në fillim të Luftës së Parë Botërore çanga e këtij sahati dëgjohej në të gjithë fshatrat përreth Prezës deri në afërsi të Tiranës dhe të Krujës.

E dyta, Në të gjithë shkrimet e ndryshme të autorëve më të shquar vendas dhe të huaj që nga mesi i shekullit XV deri në fillim të viteve ’30 të shekullit XX, Preza – Qendër karakterizohet si qytet ose si qytezë. Në librin “Historia e Skënderbeut” të shkruar latinisht nga humanisti i madh shqiptar Marin Barleti dhe të botuar në Romë ndërmjet viteve 1508-1510 Preza karakterizohet si qytezë e parthinëve. Në këtë vepër për Prezën, ndër të tjera theksohet: “Pa dyshim këtu shumë gjëra më thonë të parashtroj diçka për zanafillën dhe fatmirësinë e lashtë të kësaj qyteze dhe në radhë të parë fakti që ajo është e përmendur edhe për veprat e shkrimtarëve, gjë që nuk është e panjohur, as u shpëton brezave të mëpasëm.

Përpara luftërave civile të Cezarit dhe Pompeit (vitet 49-45 p.e.r.), kjo qytezë zinte një vend mjaft të nderuar në krahinë; vetë gërmadhat e saj dhe vetë gjurmët e sendeve të veçanta lejojnë të shikosh dhe vlejnë të parafytyrosh qartë shkëlqimin e gjendjes së dikurshme dhe bujarinë e lashtë të vendit. Thonë se e pushtoi dhe e shkatërroi Cezari, kur mbante të rrethuar në qytetin e Durrësit, Pompein dhe Senatin romak. Dhe mbeti përgjithmonë i sheshuar në atë gjendje gërmadhe dhe as u dukën më pas ndonjëherë gjurmë rindërtimi, përveç atyre që zelli i banorëve ripërtëriu për nevojat e veta të ndryshme” (2001:326-327).

Në fillim të shekullit XX një nga njohësit më të shquar të konstruksionit shpirtëror shpirtëror të popullit shqiptar, të kulturës shqiptare, Shtjefën Gjeçovi ka shkruar novelën, që plotëson edhe parametrat e romanit, të titulluar “Mnera e Prezës”. Në këtë vepër ai asnjëherë nuk flet për fshatin Prezë, por për qytetin e Prezës. Madje jo për një qytet të çfarëdoshëm, por për një qytet që realizonte dhe synonte nivele të larta emancipimi të vajzave dhe të grave shqiptare.

Në botimin jubilar “10 vjet Mbretni 1928-1938” për Prezën, ndër të tjera, theksohet: “E ringjallur prej Qeverisë Mbretnore si qendër turistike, Preza po merr nji zhvillim të posaçëm nga lëvizja e turistëve të huaj që vijnë me soditë vjetërsinat e këtij qyteti historik” (fq. 262-263).

E treta. Sociologët që kanë trajtuar me përparësi çështjet socialkulturore të urbanizimit si Toine, Wirth, Park etj., kanë argumentuar se mënyra e jetesës e qytetit ndikon në mënyrë të ndjeshme mënyrën e jetesë së banorëve të fshatrave përreth. Mjaft fakte provojnë se në rrjedhën e shumë shekujve Preza, si të thuash, e ka ushtruar një funksion të tillë ndikues, emancipues për fshatarët që banonin në të gjithë krahinën e më gjerë. Fshatarët për shumë kohë e quanin Prezën shehër dhe banorët e Prezës shehërli, fjalë turqishte që përkthehen përkatësisht qytet dhe qytetar.

Në rrafshin arsimor, kulturor Preza ka qenë gjithnjë më e përparuara se fshatrat që shtrihen rrotull saj. Sidomos gjatë shekujve XVI-XIX, ndërkohë që në shumë krahina të Shqipërisë nuk kishte asnjë formë të organizuar të shkollimit, në Prezë kanë funksionuar pothuajse gjithnjë shkolla të orientimit fetar. Nga të parat shkolla shqipe që u hapën pak muaj pas shpalljes së Pavarësisë më 1912, ka qenë edhe shkolla e Prezës.

E katërta, Sikurse edhe në vende të tjera europianoperëndimore, edhe në Shqipëri ka dallime të konsiderueshme në formimin shpirtëror të banorëve të qyteteve dhe të atyre të fshatrave. Modelimi psikologjik i banorëve të Prezës plotësonte të gjitha parametrat për t’u karakterizuar si modelim urban. Ndër të tjera, banorët e Prezës dallohen për tolerancën, që shpërfaqet në të gjithë aspektet e veprimtarinë e të mënyrës së tyre të jetesës, në marrëdhëniet ndërmjet grupimeve sociale dhe në marrëdhëniet ndërindividuale ndërmjet banorëve me përkatësi subkulturore, fetare e politike të ndryshme. Tradicionalisht dhe në ditët tona ndër banorët e Prezës, jo vetëm nuk ka pasur konflikte për çështje fetare, por ata i frekuentojnë rregullisht, pa kurrfarë paragjykimi fetar, vendet e shenjta myslimane e të krishtera, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare.

Që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë (nëntor 1912) deri në ditët tona herë pas here zhvillimet politike janë karakterizuar nga intoleranca e konfliktualiteti i skajshëm. Veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore e më pas konfliktet për çështje politike në shoqërinë shqiptare u agravuan më shumë. Edhe në këto vite tensionesh politike, banorët e Prezës ofruan modelet më humane të tolerancës e të mirëkuptimit. Të inkuadruar në formacionet politike kryesore që vepronin gjatë Luftës së Dytë Botërore si Partia Komuniste, Balli Kombëtar dhe veçanërisht Legaliteti, banorët e Prezës nuk u konfliktuan ashpër, nuk u vranë me njëri-tjetrin, siç ka ndodhur në shumë qytete e krahina të Shqipërisë. Nëpërmjet tolerancës së admirueshme banorët e Prezës arritën të amortizojnë ndjeshëm rrjedhojat shkatërrimtare të luftës së klasave që u imponua nga strukturat partiako-shtetërore të regjimit totalitar socialist në vitet 1945-1990.

Në njedhën e trazuar të kohës shumica e objekteve arkitektonike të qytetit të Prezës janë shkatërruar ose janë zhdukur plotësisht. Ka mbetur deri në ditët tona pothuajse vetëm kalaja, e cila ngrihet në pjesën më të lartë të vargut kodrinor të Prezës. Kjo kala ka formën e një pesëkëndëshi të çrregullt me kulla të rrumbullakta në katër qoshe dhe me një kullë drejtkëndëshe rreth mesit të murit që shtrihet në drejtim Perëndim-Lindje. Kalaja ka gjatësi 80 metra dhe gjerësi 50 metra (Papajani, L., 1974: 167). Për nga përmasat dhe trashësia e mureve (1.3m – 1.4 m) kjo kala nuk ka qenë përllogaritur për të përballuar rrethime të gjata e bombardime me artilerinë e rëndë. Mjaft fakte provojnë se kalaja e Prezës ka shërbyer kryesisht si kullë kontrolli për rrugën me rëndësi ekonomike dhe ushtarake që lidhte Durrësin me Krujën dhe me Shkodrën. Gjithashtu kjo kala përbën edhe një pikë komunikimi vizual ose të përcjelljes së mesazheve nëpërmjet sinjaleve pamore ndërmjet kalasë së Petrelës, të Krujës, të Durrësit dhe të Ishmit (Karaiskaj, Gj., 1981:107).

Mjaft studiues mendojnë se kalaja e Prezës është ndërtuar për herë të parë gjatë shekullit të III pas Krishtit. Që nga kjo kohë deri në fund të shekullit XIX është rrënuar dhe rindërtuar pothuajse krejtësisht disa herë. Mendohet që kalaja të jetë ndërtuar më herët. Disa studiues arsyetojnë se së paku që nga shekulli i II para Krishtit dhe më pas, Preza ka qenë arenë ku janë zhvilluar beteja ndërmjet ushtrive më të fuqishme në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

Flitet edhe për beteja të zhvilluara nga ushtritë romake. Ndërsa albanologu i shquar gjerman Johann Georg Fon Hahn e zhvendos edhe më në thellësi të historisë rëndësinë e relikeve të gjetura e që lipset të zbulohen në Prezë. Ndër të tjera, ai ka shkruar: “Përsa u takon fosilizimeve të gjetura në vargun kodrinor të Prezës (Preschia), që ndodhet në drejtimin perëndimor përkundruall Krujës… zoti Dr. Ami Boué i cilësuar si një minierë të vërtetë …” (2001 :29).

Ndaj mendojmë se studimi me kritere shkencore i parahistorisë dhe historisë së Prezës, restaurimi i monumenteve të saj, veçanërisht i kalasë, përfaqësojnë një kontribut të rëndësishëm për të plotësuar “hapësirën” e atlasit kulturor, që ka rëndësi jo vetëm për Prezën, kulturën kombëtare shqiptare, por edhe për historinë e kulturën e vendeve fqinje me Shqipërinë, me të cilët në rrjedhën e historisë shkëmbimet ekonomike, kulturore dhe përplasjet ushtarake kanë qenë më të shpeshta dhe më ndikuese.

Fotot janë të vitit 1934, të cilat janë tërhequr nga Franca me interesimin e restauratorit Sefer Gordi LITERATURA KRYESORE -Barleti, Marin: Histori e Skënderbeut, Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2001.-10 vjet Mbretni 1928-1938, Tiranë 1938-Gjeçovi Shtjefn: Mnera e Prezës, Botim i Shoqatës Kulturore “Pellazgët”, Tiranë 2000.-Hahn, Johann George Von: Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit, Shtëpia Botuese “Geer”, Tiranë 2001.-Karaiskaj Gjergj: 5000 vjet fortifikime në Shqipëri, Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, Tiranë 1981.-Papajani, Lazar: “Kalaja e Prezës”, Revista Monumentet, 1974, nr. 7-8.-Selenica, Teki: Shqipnia më 1923, Shtypshkronja “Tirana”, Tiranë 1923.-Selenica, Teki: Shqipëria më 1927, Shtypshkronja “Tirana”, Tiranë 1928.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.