Po shtohen rrogat – Mustafa GREBLLESHI
Po shtohen rrogat – Mustafa GREBLLESHI

Dikur nji nëpunës, për të thye monotoninë që i kishte gllabrue memurët, hapi fjalën se po shtoheshin rrogat. Në fillim nuk i besoi askush. Por me që ai ngulte kambë dhe betohej se e kishte ndëgjue prej këtij ase atij ministri, e besuen të gjithë. Dhe fjala mori dhenë. Bile e besoi edhe ai vetë. Por Shkurti (sepse kjo ngjau në muejin Shkurt) kaloi, dhe rrogat s’u shtuen.

Nëpunsat i a vunë fajin Shkurtit ugur-keq. Pritën Marsin e luleve. Pastaj kaluen edhe vjete.

Mbramë u fol me insistim për nji shtesë rrogash. Shtesë 50% mbi rrogën bazë. Informatat vijnë nga burime gjysëm zyrtare, ndofta edhe tre çerekë zyrtare. Në qarqet politike dhe intelektuale të Kryeqytetit, çështja e shtesave asht bisedë e ditës.

Kët lajm e mirëprita. Nuk dij se pse më ngushëlloi disi. Mendova të mos i tregoj fare në shtëpi, në mënyrë që 100 frangat që do të më shtohen, të më mbeten mue. U ankuem, mbushëm kushdi sa kollona për memurët me halle shumë dhe ja tashti, dikush i ndëgjoi klithmat t’ona dhe pati mëshirë. Kush duron fiton. Neve pra jemi nga ata burra që kemi durue dhe durojmë. Dhe po t’a dojë interesa e Shqipnisë, punojmë edhe pa rrogë fare.

Punova me qejf dhe dola po me qejf.

-T’u ngjat’jeta, Bardhi, ku vete kështu me nxitim?

-Hajde Liu. Do t’i hedhim nj’a dy kupa sonte për hatër të shtesave. Bile, Nekiu e lajmëroi telegrafisht të vëllanë në Korçë, për shtesat.

Dolëm edhe nga taverna.

Urime, urime! ju lumtë ju memurve, për çdo muej shtesa! – na thanë disa që un s’i njifsha.

Mbas. darke po rrijsha me plakën t’ime. Ajo në qoshen e djathtë, un në të majtën. Ajo fliste dhe un ndëgjojsha. Kuvendojshim për politikë, për kasapët që nuk shesin mish, për tregtarët që thonë se s’kanë as voj, as oriz, as sheqer. Tek e mbramja, më pyeti se në ç’ muej jemi.

-Në mos gabofsha, jemi në Mars -i thash jo fort i sigurt, meqë siç e dini, kalendarin e grisa.

-Un mar vesht vetëm allaturka. Pra jemi akoma në Shkurt, Marsi ende s’ka hy! Aaa! Prandaj më paska çel pula vetëm shtatë zogj.

-Pse moj plakë, ç’ka të bajë pula me Shkurtin?

-Po si jo, Shkurti asht i shkurtën edhe ters, se po t’ishte i gjatë, squka (klloçka, për Vlonjakët, kovaçka për Korçarët dhe koqa për Kavajsit) do t’i çilte të trembëdhjetë zogjtë.

Më ra në mend puna e shtesave. E pra jemi në Shkurt (allaturka) dhe po në Shkurt flitet për shtesa.

Nuk m’u durue pa i a tregue edhe plakës.

Asht rrenë për Zotin, kurrë nuk shtohen rrogat në këtë muej ugursëz.

Ruhu moj plakë se me t’a marrë vesht memurët, për Zotin. .. i prishën punët me ty.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.