Petrit Dibra
Petrit Dibra

Cili ishte Petrit Dibra? Një ndër futbollistët më të shquar të 17 Nën torit, student i mjekësisë, që pas provimit zbriste në fushë si protagonist absolut i shumë sfidave. Një karrierë e filluar si atlet dhe e vazhduar si futbollist. 17 vjeç debutimi, problemet me stërvitjen e grumbullimet. Ku është sot doktori, çfarë bën në Madrid, ku jeton prej vitesh?

Cikli i një skuadre legjendare ishte drejt fundit dhe ishte epilogu i karrierës së mjaft lojtarëve të famshëm të 17 Nëntorit të Myslym Allës. Sezoni 1969-’70 ishte i fundit që i dha titullin kampion ekipit bardheblu. Pastaj ndeshja me Ajaksin dhe, më pas, rënia disavjeçare. Nga viti 1970 deri në 1982-shin, kur klubi rimori titullin kampion, kemi një periudhë jo të suksesshme, pasi skuadra notonte në vende aspak të pëlqyeshme në renditje.

Madje rrezikonte edhe rënien në Kategorinë e Dytë, por në një ndeshje kualifikuese me Apoloninë mundi të fitonte dhe të qëndronte në Kategorinë e Parë. Pra, kërkohej dhe duhej një ndryshim. Rinis një epokë e re, ndërsa në skuadër u afruan një grup me futbollistë të rinj e perspektivë. Bashkë me “veteranët” e mbetur Dhales dhe Çela, ishin Nallbani, Brahja, Baçi, H.Frashëri, Bekteshi, Rizvanolli, Naçi, Llambi deri te Minga, Kola e Muça. Një ndër ta ishte edhe doktori Petrit Dibra…

Cili ishte Petrit Dibra dhe si u shfaq?
I lindur në Tiranë, më 15 shtator 1953, Petrit Dibra nuk ka traditë futbollistike në familje. Prindërit e tij janë intelektualë, bashkë me tri vajzat dhe djalin e vetëm, nuk trashëgojnë të kaluar familjare sportive. Fillimisht nxënës i shkëlqyer në shkollën 8- vjeçare “Alqi Kondi”, më pas në gjimnazin “Qemal Stafa” dhe pastaj e drejta e studimit në Universitet për mjekësi.

Një konstrukt fizik natyral, një strukturë sportive e admirueshme, shumë potente, me një bust, forcë fizike, start e shkëputje të fuqishme, goditje, vrap galopant, i pakrahasueshëm me askënd për kohën. Një jetë korrekte, normale, jo abuzues, madje shumë i lidhur me ritmin e përditshëm: shkollë-stërvitjefamilje. Studimet në fakultetin e mjekësisë i mbaroi në vitin 1977 dhe menjëherë, një vit më pas, filloi specializimin dhe punën në Maternitetin e Tiranës si Obsteter- Gjinekolog, ku punoi deri në 1991- in.

Petrit Dibra & Arben Minga Petrit Dibra & Arben Minga
Petrit Dibra & Arben Minga

Karriera, nga atlet në futbollist
Në kohën kur zhvilloheshin kampionatet e futbollit midis shkollave 8-vjeçare merrte pjesë si sulmues me ekipin e futbollit të shkollës “Alqi Kondi”. Por, në të njëjtën kohë, ishte edhe anëtar i ekipit të atletikës së shkollës në garat e 60m dhe 100m, ku ishte kampion midis shkollave 8-vjeçare. Trajnerët e atletikës dhe vëzhguesit e futbollit donin që ta merrnin tek ekipet e tyre, ndonëse pasioni i Dibrës së vogël ishte te futbolli. Pranë shkollës dhe ku banonte (tek ish-ekspozita “Shqipëria Sot”), ishte një fushë futbolli, ku trajneri Aurel Verria stërviste një nga ekipet zinxhir të paratërinjve të 17 Nëntorit.

Ai e kishte spikatur dhe insistoi që Dibra të stërvitej me ekipin e tij, por qëndroi për pak kohë aty, pasi kaloi me ekipin e futbollit të “Pallatit të Pionerit”, me të cilin përfaqësonin qytetin e Tiranës në Spartakiadën e Pionerëve në Durrës, ku fitoi vendin e parë me trajner Osman Reçin. Pas kësaj, në moshën 15-vjeçare, filloi stërvitjen me të rinjtë e 17 Nëntorit me trajner Xhavid Demnerin, me të cilin konsolidohet si sulmues i djathtë për cilësinë e shpejtësisë, driblimit, si dhe aftësinë për të shënuar gola. Ishte shumë i ri dhe as që e mendonte se karriera e tij do të startonte pikërisht në atë moshë, madje kalimi te një ekip i madh do të realizohej shumë shpejt dhe në mënyrë të papritur.

Debutimi, kur Alla i tha: “merr këpucët…”
Sapo kishte filluar sezoni 1970-’71. Siç ishte traditë, çdo të enjte ekipi i parë i 17 Nëntorit luante ndeshjet e kontrollit me skuadrën e të rinjve që, si zakonisht, zhvilloheshin te fusha e “Qytetit të Nxënësve”. Në njërën prej tyre, skuadra e të rinjve arrin që të fitojë me dy gola të shënuar nga Dibra. Mbas ndeshjes, trajneri Lym Alla i afrohet dhe i thotë: “Merr këpucët dhe të shtunën do vish me ne në Berat për ndeshjen e kampionatit kombëtar”.

Dibra ishte 17 vjeç dhe në vitin e tretë të gjimnazit. Por, do të ishte pikërisht ajo fundjavë që ai do të bashkohej me ekipin e parë të 17 Nëntorit, ku ishin lojtarë dhe figura të konsoliduara si Tafaj, Frashëri, Kasmi, Dhales, Bukoviku, Kazanxhiu, Mema, Xhaçka, Bytyçi, Hyka, Ishka, të cilët kishin fituar 5 kampionate dhe sapo kishin barazuar me Ajaksin e Krujfit 2-2 në Tiranë. Megjithëse diferenca e moshës së Dibrës me grupin e legjendarëve ishte rreth 10-13 vjet, ai u përshtat menjëherë në filozofinë e tyre dhe fitoi besimin e trajnerit dhe të ekipit. Atë ditë në Berat, Ali Mema pësoi një traumë dhe trajneri Alla e zëvendësoi me Petrit Dibrën në pjesën e dytë. Prej asaj dite Dibra nuk do të lëvizte më nga skuadra dhe do të ishte pjesë e pandarë e formacionit kryeqytetas deri në çastin e fundit të karrierës futbollistike. Por, si shumë të tjerë, nuk pati fatin të luante në aktivitetet ndërkombëtare, nga vetëpezullimi trevjeçar i futbollit shqiptar.

As 17 Nëntori, as kombëtarja nuk morën pjesë në turne të tillë, ku Dibra e të tjerë të mund të prezantoheshin me cilësitë dhe nivelin që kishin. Vetëm një miqësore dhe disa përfaqësime ballkanike me klubet. U thirr për përforcim nga Vllaznia në takimin me Austrinë e Vjenës për Kupën e Kampioneve (1978), pastaj për Kupën Ballkanike sërish me Vllazninë, Dinamon, ndaj Panioniosit, Radnickit të Nishit dhe një herë me ekipin Shpresa U-21 të Shqipërisë, ku ishte edhe kapiten. Një karrierë e mbyllur me dy kupa të Shqipërisë (1976, 1977), pa asnjë karton të marrë, i admiruar gjithmonë nga tifozeritë falë karakterit, qetësisë dhe “fair play”-t që transmetonte në fushë.

Golat më spektakolarë dhe ato për t’u harruar
Ka shumë momente, të cilat duhet të kujtohen në karrierën e tij, por dy janë më selektivët: Një ndeshje, e cila ka lënë mbresë, është ajo ndaj Partizanit në stadiumin “Qemal Stafa”. Viti 1974 dhe Panajot Pano do të linte futbollin. Është sfida e fundit sportive e tij, në një stadium të mbushur si rrallëherë. Por, përveç Panos së madh, ndeshja do të kishte edhe një protagonist tjetër: Petrit Dibrën, autori i një dygolëshi spektakolar të realizuar me aksione individuale të shkëlqyera, që i dha fitoren 2-1 skuadrës së tij. Por, edhe një rast, kur i vetëm para portës me Dinamon e Zagrebit në stadiumin “Qemal Stafa” humb një rast ideal, kur mbrojtësi jugosllav evitoi golin e sigurt me një sparkatë.

Gjatë një dhjetëvjeçari që luajti, Dibra ishte i pesti me 70-të gola të realizuar (1971-1980) në historinë e golashënuesve më të mirë të klubit pas Fortuzit, Kolës, Migës, Muçës, duke renditur përkrah një tjetër legjende bardheblu si Skënder Hyka. Në sezonin 1979, ai ishte edhe golashënuesi më i mirë me 14 gola (bashkë me Muratin e Partizanit). Vetëm një herë gjuajti 11- metërsh në karrierën e tij: Pikërisht në këtë sezon, kur ndaj Skënderbeut në stadiumin “Dinamo”, në të parën e të fundit goditje nga pika e bardhë e përplasi topin në shtyllën e portës së mbrojtur nga Jani Kaçi. Dallohej në normat e FSHF-së dhe në fushë në shumë raste e fillonte vrapin nga mesfusha e tij, pa mundur ta ndalte askush deri te porta kundërshtare.

Problem provimet, stërvitjet dhe grumbullimi
Koha apo periudha e provimeve ka qenë një ndër momentet që i “vështirësonte” marrëdhëniet e doktorit me klubin. Shumë i dashur nga grupi, shumë i komunikueshëm, mjaft i thjeshtë, model për nga sjellja, por ajo që i komplikonte situatat me drejtuesit dhe trajnerët ishte koha dimërore dhe verore e provimeve. I impenjuar dhe i zhytur totalisht në angazhimet universitare, Dibra kishte problem në stërvitje dhe në frekuentimin sistematik të saj.

Gjatë viteve si student në Fakultetin e Mjekësisë, jo pak herë, shkonte në stërvitje pa ngrënë, pasi stërvitjet në periudhën e dimrit fillonin në orën 3, ngaqë errësohej shpejt, ndërsa leksionet mbaronin në orën 2. Pas stërvitjes, deri vonë në mesnatë, studionte për të arritur rezultate të larta në mësime dhe provime, të cilat shpeshherë përkonin me ndeshjet e kampionatit duke krijuar shumë tension. Por, 17 Nëntori pa Dibrën ishte si një gotë e mbushur përgjysmë.

Ai në fushë ishte shpirti, motori i saj dhe i tifozërisë e të gjithë toleronin me Dibrën, pasi ishte formimi, personaliteti i tij, që nuk ta lejonte të ishe “agresiv” me të, në stërvitje, në ndeshje, kudo. Por, edhe për një arsye më shumë: në fushë ishte i jashtëzakonshëm, sidomos kur kishte ditën dhe momentin e tij. Dhe kjo nuk kishte shumë lidhje me stërvitjen, apo angazhimin dhe grumbullimet me skuadrën. Vinte direkt nga provimi dhe në ndeshje ishte një kolos i vërtetë. Vinte nga shkolla apo zbori, dilte në fushë dhe shënonte, siç është rasti kundër Dinamos, pas një provimi të vështirë që sapo kishte dhënë në Farmacologji.

Largimi, pas një dëmtimi dhe neglizhenca ndaj tij
Nuk ishte se fundi i karrierës erdhi nga mosha, apo ndonjë arsye tjetër sportive. Ishte ende shumë i ri, plot forcë dhe mund të jepte kontribut me skuadrën e tij. Madje gjendja fizike që kishte ia lejonte vazhdimësinë. Mirëpo dy dëmtime të rënda radhazi, në sezonin 1979-1980, fillimisht me Besëlidhjen në stadiumin “Dinamo” dhe pas pak kohe me Tomorin e detyruan të ndalonte. Trauma në gju ishte e rëndë, plus mungesa e provave diagnostike në atë kohë në Shqipëri bëri që të mos trajtohej si duhej nga mjekët. E vetmja zgjidhje ishte dërgimi jashtë shtetit për t’u operuar, por kjo nuk u realizua, pasi dërguan dy të tjerë për mjekim. Në këto kushte pa rrugëdalje, në shtator të vitit 1980 Petrit Dibra nuk doli më në fushë, e kësisoj e la futbollin në kulmin e formës dhe pjekurisë sportive.

Sa pak futbollistë mjekë
Nuk janë të shumtë, madje numërohen me gishta, pasi është e vështirë – gati e pamundur – që një futbollist i mirë të jetë student dhe mjek i mirë. O njërën, o tjetrën për shumë arsye! I tillë ka qenë psh. Sokrates te Brazili i madh. Në Shqipëri në historinë gjysmëshekullore janë të paktë. Kujtojmë Pëllumb Himçin, sulmuesin e shpejtë në krahun e djathtë të Labinotit të Elbasanit në vitet `70-të. Ai ka qenë me profesion mjek. Madje futbolli e ndihmoi gjatë kohës që ishte student në Tiranë, por pastaj u detyrua ta braktiste atë në moshë të re për shkak të impenjimeve në detyrën e mjekut.

Ose dentisti Bardh Buzi i T o – morit. Pastaj Petrit Dibra. Student i shkëlqyer, i tillë edhe si futbollist. Sa herë në ditë ndeshjesh të rëndësishme kishte dhënë edhe provim. Paradite në provim, pasdite në stadium. Askush nuk e toleronte në shkollë, madje respektohej nga të gjithë. Interesant ishte një fakt: edhe pse tifozë të skuadrave të ndryshme, ishin pikërisht pedagogët ata që e admironin më shumë. Asnjë “hakmarrje” në provim, edhe pse në fushë e kishin kundërshtar dhe shpesh i ndëshkonte.

Ku jeton sot doktori e futbollisti i famshëm?
Pasi ka lënë futbollin dhe është shkëputur totalisht prej tij, nuk ka preferuar të merret si administrator me të. Një karrierë e filluar dhe e mbaruar vetëm si futbollist. Pastaj përkushtimi i karrierës profesionale si mjek obsteter-gjinekolog, duke punuar 12-13 vjet radhazi në Maternitetin e Tiranës, deri në vitin 1991. Pastaj transferimi në Spanjë, jeton e punon si mjek, së bashku me gruan dhe vajzën. I detyruar, ka dhënë sërish disa provime në specialitetin obstetrikgjinekologji, ka marrë titullin si Mjek Specialist Obsteter- Gjinekolog dhe prej 22 vitesh punon në këtë profesion në një spital të Madridit.

Futbollin shqiptar e ndjek sa mundet, pasi është shumë i zënë me punë. Ndërsa kampionatin spanjoll e ndjek kryesisht nëpërmjet televizionit për mungesë kohe dhe kur krijohet mundësia shkon në “Bernabeu”, ndonëse nuk është tifoz i Realit, por i Barcelonës. Eshtë tifoz më shumë i asaj skuadre të vitit 1991, në kohën kur Krujfi ishte trajner i Barcelonës. Ka qenë dhe mbetet idhulli i tij si futbollist. Nga familja nuk e pasoi askush në sport e profesion, pasi vajza nuk preferoi të ishte mjeke si i ati, as piktore si nëna, por ka studiuar dhe është psikologe.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.