Petrit Dibra
Petrit Dibra

Petrit Dibra lindi në Tiranë më 15-9-1953. Në vitin 1978 kreu studimet e larta në fakultetin e mjekësisë të UT, me diplomëm “mjek i përgjithshëm” dhe menjëherë edhe specializimin në spitalin gjinekologjik të Tiranës, ku punoi deri në vitin 1991. Prej atëherë, ai vazhdon të punojë me të njëjtin profesion në Madrid të Spanjës.

Petrit Dibra
Petrit Dibra

Duke qenë nxënës shumë i mirë, po i tillë ishte edhe në lojën e futbollit kur luante me shoqërinë e shkollës e të lagjes, në rrugë e midis pallateve, dhe gjithmonë sulmues e shënues golash. Pas aktivizimit me skuadrën e Pallatit të Pionerëve, në të cilën dallohej mes shokëve, në moshën 16 vjeçare është pjesë e ekipit të të rinjve “17 Nëntori” që drejtohej nga Xh. Demneri, ku luajti dy vjet radhazi. Kualitetet e tij e rradhitën shumë shpejt në ekipin e të rriturve, me trajner M. Allën..

Me këtë ekip, në rolin e sulmuesit të djathtë dhe gjithnjë me numurin 7, luajti për 11 vjet radhazi (1970-1981). Aktivizimi i tij i takon një periudhe jo të shkëlqyer të klubit, madje kur luajti deri për të qëndruar në kategorinë e parë. Fillimi i karrierës së Petritit është kur brezi i parë i lavdishëm i atij klubi, me F. Frashërin, A. Memën, G. Kasmin etj., e kishte mbyllur apo po e mbyllte karrierën e tij; ndërsa mbarimi, me brezin e dytë gjithashtu të lavdishëm. M. Baçi, A. Naçi, S. Mema, A. Kola etj., sapo e fillonin atë.

Në këto kushte, Titi mbajti një barrë të rëndësishme. Ishte i shkëlqyer në përgatitjen fizike e teknike dhe i shquar sidomos për sprintin e tij të fuqishëm, kur siç thonin tifozët, “ndizte motorët”. Të paharrueshëm mbeten golat e tij, jo rrallë, realizuar me triblime që nga mesfusha. Në qindra ndeshje zyrtare të tij, ka qenë edhe ndër golshënuesit më të mirë të vendit.

Vlerat cilësore të Titit kanë dalë në pah edhe në ndeshjet që ai zhvilloi në kuadrin e kupës ballkanike si dhe me ekipin “Shpresa”, për aktivitetet ballkanike dhe europiane. Megjithate, edhe rastësia bën të veten. Një dëmtim i rëndë në gju bëri që, fatkeqësisht, talenti Dibra të ndërpresë para kohe këtë karrierë mbresëlënëse. Ky fakt si dhe niveli i atëhershëm i ekipit e lanë këtë futbollist të rrallë të KS “17 Nëntori” vetëm me dy kupa të Republikës (1976, 1977) dhe pa asnjë trofe kampioni.

Kontributi i dhënë, cilësia e lojës dhe mirësjellja me edukatë e kulturë, në lojë dhe jashtë saj, bënë që ai të marri pas vehtes jo vetëm dashamirësit e futbollit të Tiranës, por të të gjithë vendit.

Për meritat e tij, ai mban titullin “mjeshtër i sportit”.

Burimi: Shoqata Tirana
Përgatiti për faqen Tirona: Olsi Ferazini

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.