Jovan Jano / Studiues dhe publicist – Shumë njerëz në fund javë apo dhe në ditë të zakonshme shkojnë në Petrelë në kalanë e saj dhe në qytezën e vogël që përditë e më shumë po merr pamjen e një qyteze të vogël turistike. Gjëja më e bukur dhe mbresëlënëse në këtë zonë është kalaja e Petrelës, që, sipas përshkrimeve të historianëve të vendit dhe të huaj, ka gjasa të ketë qenë garnizon i fortifikuar ushtarak. Por ajo që është për të ardhur keq, është se nuk ka asnjë tabelë apo një udhërrëfyes që të tregojë se jo shumë larg nga qendra e fshatit Petrelë, 800-900 metra më lartë, në kodrën tjetër, që quhet Persqop, ndodhet një kështjellë tjetër, më e vjetër, më interesante dhe me një histori edhe më lashtë se ajo që shihet në qendër. Shumë njerëz shkojnë deri në Petrelë, por kalanë për të cilën po flasin nuk e dinë dhe kthehen pa e vizituar.


Të gjithë ata që kanë pak mend dhe kulturë e dinë që në Petrelë gjendet një kala e lashtë ilire e ndërtuar në maje të një shkëmbi. Kalaja është impresionuese dhe qëndron kryelartë si për t’i treguar gjeneratave të tëra shqiptarësh sesa e sa luftëra janë bërë në këtë vend; sesa beteja ka bërë Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti kundër pashallarëve osmane dhe Ballaban Pashës.

Në qendër të komunës kishte një atmosfere të gëzueshme sepse organizohej një panair i prodhimeve artizanale të komunës, por që koincidonte edhe me Ditën e Monumenteve të Kulturës. Ne nuk e dinim një gjë të tillë dhe këtë udhëtim e kishim planifikuar disa ditë më parë. Pasi lamë pas orkestrinat popullore dhe entuziazmin e banoreve morëm të përpjetën majtas, në drejtim të malit të Vilës.

Dua t’u kujtoj miqve të mi se pas çdo toponimi fshihet një histori e madhe. Në librat e shkruar nga autorë të huaj dhe vendas, Petrela quhet edhe Petralba, që në gjuhën shqipe do të thotë gur i bardhë; vilë do të thotë qytezë. Madje diku afër ishte dhe një fshat me emrin Shën Koll, gjë që vërteton se kjo zone ka pas qenë e banuar nga popullsi kristiane dhe me ardhjen e turqve osmane, me hir apo me pahir ka ndodhur procesi i proselitizmit (kthimi në muhamedanë).

Ky udhëtim me vlera të vërteta turistike më befasoi edhe për faktin se poshtë shtëpisë së madhe të Shefqet Haxhimalit, jo më shumë se nja 60 – 70 metra larg gjendej një gur gjigant i bardhë midis ullishtës 1000çvjeçare. Një vëzhguesi të kujdesshëm menjëherë i lind pyetja: ”Nga ka ardhur ky gur i madh dhe me se është lëvizur? Nëse ka rënë nga mali i Vilës si është e mundur që nuk është thyer asnjë ulli?! Pra, ullinjtë biblik janë mbjellë pas rënies së gurit të bardhë dhe shtëpia 200-vjeçare prej guri është ndërtuar shumë e shumë vite më vone se ullishta. Ky gur i bardhë, për mendimin tonë, duhet parë jo më nga pikëpamja gjeologjike, por edhe nga ajo historike. Ndoshta edhe Petrela e ka marrë emrin nga ky gur, të cilin njerëzit e shohin prej vitesh me indiferentizëm. Ai duhet të bëhet objekt studimi i gjeologëve dhe arkeologëve dhe të mbrohet nga shteti si monument kulture.

Por surpriza që na beri Juliani me mikun e tij, Stilanin ishin muret e lartë me gurë megalitike, nja 200 m larg shtëpisë së Shefqet Haxhimalit. Gjer tek muri rrethues me gur gjigantë të çonte makina.

Poshtë rrugës shtrihej një peizazh mahnitës madhështor me ullishte shume te vjetra. Ne u kapëm që të katër për duarësh dhe nuk e rrethonim dot një ulli biblik pasi duhej dhe një person i pestë që ta pushtonim trungun e tij. Këto ullinj duhet të jenë 1000 deri në 1500-vjeçarë. Na u desh që të bëjmë nja 100 m më këmbë për të mbërritur gjer tek gurët ciklopike që u kishin rezistuar jo vetëm luftërave por edhe agjenteve atmosferikë, rrufeve, zjarreve, tërmeteve…

Guri i bardhë, muret me gurë megalitikë, ullishtat me moshë mijëravjeçare, varri i mbretit Glauk në veri të malit, tregojnë se ky mal fsheh shume mistere në thellësinë e tij. Këtu mund të përmbyset një histori dhe të krijohet një histori tjetër. Petralba është një enigmë. Dikur ajo ka patur qytetërim ilir, pastaj bizantin dhe në mesjetën e më vonët, kulturë osmane.

Pamje tepër impresionuese, por edhe një ndjesi jo e mirë na u krijua kur pamë atë vend të rrethuar, të braktisur dhe të harruar. Në këto momente na vajti mendja tek interesimi i organeve vendore, tek Ministria e Kulturës dhe filluam të adresonim kritika ndaj tyre kur befas nga shkurret e dendura dolën dy djelmosha dhe në filluam t’u “ankoheshim” edhe atyre. Ata ishin djem te edukuar dhe me kulturën e duhur për monumentet e kulturës. Njëri ishte arkeolog dhe tjetri arkitekt pranë Ministrisë së Kulturës. Ata u gëzuan shumë që ne interesoheshim njëlloj si ata për monumentet.

Kalaja e malit të Vilës ose siç e quajnë disa historianë të huaj, kalaja e Brysekut, është e madhe, zë një territor të konsiderueshëm dhe që aty shpaloset një pamje e pazakonte natyrore. Thonë se ka qenë selia e mbretit parthin, Glauku, i cili 3000 – 4000 vjet para Krishtit ka sunduar këto vise duke filluar nga Berati, Dumreja, Elbasani dhe deri në Tirane e Kruje. Është ky mbret që në moshën 3-vjeçare mori dhe adoptoi Pirron e famshmen të Epirit, dhe kur Pirro u rrit e martoi me të bijën.

nNë anën veriore të malit gjendet një varr gjithashtu me gur megalitik rreth 20 m me 2 mendohet se mund të jetë varri i mbretit Glauk ose i mbretëreshës. Ka dhe një hipotezë të hedhur nga historianë të huaj se aty, pranë Gaukut, mund të jetë varrosur edhe Pirro i Epirit(!)

I gjithë mali është i rrethuar me mure të tillë dhe gurët ishin 1.5 m dhe lartësi 60 cm. Menjëherë të lind pyetja: Si janë bërë? Si janë mbartur? Pse janë bërë kaq shumë të trashë përderisa nuk ka patur në ato kohëra topa dhe mortaja, por heshta dhe shpata?!…

Pasi zbritëm nga lartësia ku ishte muri i madh, u nisem për të parë varrin e madh të Glaukut, disi i shkatërruar. Na erdhi mirë që Bashkia e Tiranës kishte vendosur një mbishkrim që u kujtonte njerëzve që kishin të bënin me një Monument Kulture. Pikërisht në këto çaste sytë tanë panë një grumbull të rinjsh që po vinin drejt varrit monumental.

Shkoni në Petrelë, por shkoni edhe më lartë, në malin e Vilës, në kalanë e Persqopit, në këtë mrekulli gati të panjohur historike dhe turistike!…