Ylli Demneri - Block Notes

Pasdite vere. Mjafton të shtysh kanatin e majtë të portës së madhe, që deri vonë në darkë qëndron gjysmë e hapur nga një gur i vogël ngecur poshtë saj, pa qenë e nevojshme të kapësh dorezën e rëndë prej metali në formën e një dore zonje me unazë e byzylyk, për të trokitur dhe, përballë, pas hurmës së mbjellë në mes të oborrit, të shfaqet një dhomë e madhe me tri shkallë përpara, ku nga çdo anë është vendosur një vazo me lule. Shkallët janë prej mermeri dhe të lëmuara.

Në atë orë të ditës, në murin përballë, dielli në të perënduar projekton hijen e gjetheve të hurmës që flladi i përkund. Gruaja e ulur pranë derës së hapur të dhomës, që ka vendosur pranë vetes tabakanë me xhezven, kutinë e kafes, sheqerit, një gotë ujë, dy filxhanë dhe një lugë të vogël e që ngrihet të fusë prizën e një furnelle të rrumbullaktë sa një pëllëmbë, është gjyshja ime. Nona, siç e thërrasin të gjithë. Ai djali i vogël, i ulur në krah të saj duke pritur të pijë sherbetin ku notojnë disa grimca kafeje të mbetura në xhezve pasi gjyshja ka zbrazur kafen në filxhanin e saj e që e bëjnë të ndihet i madh, jam unë.

Autori Ylli Demneri, gjatë prezantimit të librit “Më kujtohet”

Gjyshja rrufit kafen e ulur këmbëkryq dhe vështron nga oborri. Përtej oborrit, nga porta e madhe gjysmë e hapur, duken gurët e kalldrëmit të lyer në portokalli nga rrezet e fundit të diellit dhe bari i thatë rrëzë mureve të shtëpisë. «Ah, kafen e ka bekuar Zoti, e prish qetësinë gjyshja. Kur isha e vogël, edhe nona ime në fillim më bënte sherbet. Pastaj, sherbet me pak kafe e, kur u rrita, kafe të vërtetë.» Shikoj gjyshen, ballin e saj me rrudha, faqet e rreshkura (jo si të time mëje) dhe e kam të vështirë ta imagjinoj të vogël. Pres të ftohet sherbeti me grimcat e kafes në filxhanin e vendosur mbi qilim dhe më pushton një dëshirë e fortë për t’u bërë i madh.

Për të pirë një kafe të vërtetë. «Ah, vdekje të kishte, por jo pleqëri », vazhdon gjyshja e përhumbur në mendime. Nuk guxoj t’i them se nuk më pëlqen fare ajo që thotë. Një natë, para se të flija, mendova vdekjen e saj dhe m’u mbushën sytë me lot.

(Ylli Demneri, “Bloc-notes”)

Librin “Bloc-notes” të autorit Ylli Demneri, mund ta gjeni në librarinë Adrion tek pallati i kulturës në qendër të Tiranës

Marrë nga faqja e autorit Ylli Demneri në Facebook
Përgatiti për faqen Tirona: Olsi S. Ferazini