Viti 1956 solli një ngjarje të veçantë në jetën time sportive. Kisha disa muaj që stërvitesha me të rinjtë e 17 Nëntorit. Askush të mos mendojë se profesor Xhaviti më aktivizoi brenda një periudhe të shkurtër. Jo, jo, unë si shumë futbollistë të tjerë jam stërvitur sistematikisht edhe si portier, edhe si sulmues.

Kur skuadra, e ndarë në grupe, bënte garë shpejtësie në segmente të vogla, bija në sy më shumë se çdo futbollist tjetër. Më pëlqente edhe koha kur gjuanim në portë, si në rolin e portierit, ashtu edhe të sulmuesit. Kisha shut të fortë dhe gjuaja me të dyja këmbët.

Ishte një ditë stërvitje krejtësisht e zakonshme, por duke qenë mesjavë përdorej nga trajneri ynë, për ndeshje kontrolli. Fillimisht bëmë një nxehje në grup, që nuk zgjati më shumë se 20 minuta. Sapo ra bilbili për përfundimin e saj, u grumbulluam në qendër të fushës. Ka qenë një muaj  para se të fillonte Kampionati Kombëtar i të Rinjve i vitit 1956. Demneri filloi të thërrasë emrat e skuadrës së parë, ata futbollistë që ai mendonte se do të ishin më afër formacionit të ditës së hapjes së kampionatit. Më pas rreshtoi futbollistët e grupit të dytë. Shumë shpejt konstatoi se numri i tyre ishte 10. Më duhet të them, se ishte periudhë

gripi dhe mungonin shumë futbollistë. Hodhi vështrimin nga ne portierët, që në fakt ishim tre, dhe më veçoi mua, duke më thirrur me emër: “Panajot, ti do të luash sulmues i krahut të majtë”. Sigurisht që nuk ishte dita e parë që unë luaja si sulmues. Filloi dhe mbaroi loja stërvitore. Loja ime tërhoqi vëmendjen edhe të disa shokëve të mi, që nuk ngurruan të më uronin, por edhe për të më thënë se unë luaja më mirë si sulmues, se sa si portier.

Të nesërmen pas stërvitjes, trajneri na tha se do të zhvillonte 30 minuta lojë me dy porta. Kur thirri emrat e skuadrës “A”, midis tyre shqiptoi edhe emrin tim. Në atë çast mbaj mend se u skuqa e zemra filloi të më rrahë shpejt. Sidoqoftë nxitova tek vendi ku ishin rreshtuar futbollistët e skuadrës së parë. Kësaj radhe profesori më tha: “Sot, ti do të luash si sulmues i djathtë”.

Përsëri në këto 30 minuta luajta mirë, nuk zhgënjeva as shokët e as profesorin. Mbas ndeshjes, profesori më hodhi dorën në qafë dhe më uroi për lojën e zhvilluar. Kjo është historia ime e vendosjes nga pozicioni i portierit në atë të sulmuesit. Nga ku nuk do të lëvizja deri në përfundim të karrierës sime.

Burimi: SKTIRANA.COM

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.